Vetëvendosje kërkon shkarkimin e Shpend Maxhunit

Aktuale

Vetëvendosje kërkon shkarkimin e Shpend Maxhunit

Më: 23 tetor 2018 Në ora: 12:12
Ganimete Musliu

Komisioni për Mbikëqyrjen e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë në mbledhjen e sotme ka diskutuar edhe për rastin e djalit të shefit të këtij institucioni, Shpend Maxhunit, që dyshohet për posedim narkotikësh dhe armëmbajtje pa leje.

Nënkryetarja e këtij Komisioni, Ganimete Musliu, ka thënë së Lëvizja Vetëvendosje në këtë mbledhje ka kërkuar shkarkimin e Maxhunit.

Ajo ka thënë po ashtu se Komisioni me shumicë votash ka vendosur që lidhur me këtë rast të kërkojë një raport të detajuar nga Policia.

“Zakonisht vendimet merren me konsensus, sot kishte zëra të ndryshëm, nga partitë opozitare, me theks të veçantë nga Lëvizja Vetëvendosje ishte kërkesa edhe për shkarkimin e drejtorit të AKI-së, Shpend Maxhuni”.

“Komisioni, me shumicë, vlerësoi që ne fillimisht duhet të informohemi në vijë zyrtare lidhur me rastin, sa ka qenë ligjërisht i invlovuar drejtori i AKI-së, a ka pasë ndërhyrje në rastin dhe pasi t’i kemi informacionet, ne do të përgjigjemi në një takim të radhës”.

“Fillimisht u morëm vesh që të kërkojmë nga Policia e Kosovës që në detaje të na raportojë për rrjedhën e kësaj ngjarje që tashmë ka ndodhur”.

“Ne do të kërkojmë zyrtarisht raport prej Policisë, pastaj do ta shqyrtojmë raportin, do të kërkojmë sqarim pse është ndryshuar raporti, pse ka dilema ose dyshime nëse ka pasë tendencë për t’u ndryshuar por nuk mund të vijmë në përfundim se ne nuk jemi si Komision Parlamentar për t’ia bërë gjyqin askujt, ne ushtrojmë kontroll demokratik mbi institucionet dhe do të kërkojmë në vijë zyrtare që të informohemi se si ka rrjedhur procesi”.

“Nëse vërtetohet që drejtori i AKI-së ka ndikim në çështjen, atëherë konform ligjit dhe rregullave do të përgjigjemi dhe do të kërkojmë nga institucionet përgjegjëse të marrin masa”.

“Ne sot menjëherë pas mbledhjes do t’i drejtojmë shkresën Policisë dhe do të kërkojmë që në afatin sa më të shpejt të mundshëm të na kthejnë përgjigje por nuk mund të paragjykojmë se kur do ta kthejnë përgjigjen. Në momentin që unë si kryesuese e këtij Komisioni, do ta marr përgjigjen nga institucioni përgjegjës, do ta ftoj Komisionin ku do shqyrtojmë dhe do të marrim vendim për hapat e mëtutjeshëm”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat