Prokuroria: Do ta intervistojmë djalin e Shpend Maxhunit

Aktuale

Prokuroria: Do ta intervistojmë djalin e Shpend Maxhunit

Më: 24 tetor 2018 Në ora: 13:15
Shpend Maxhuni

Pas tentim-shfajësimit të djalit të Shpend Maxhunit, të cilit iu gjet armë pa leje dhe drogë, Prokuroria tash ka vendosur të merret me rastin. Zëvendësprokurori i Prokurorisë Themelore të Prishtinës, Ibrahim Berisha, ka thënë për media se së shpejti do ta procedojnë lëndën në gjykatë.

Në fundjavë, kur në media u raportua se me 12 tetor Shpëtim Maxhunit, djalit të shefit të AKI’së, Shpend Maxhunit, i ishte gjetur në veturë armë pa leje dhe substancë narkotike e llojit marihuanë, prokuroria dhe policia provonin ta shfajësonin të dyshuarin, rastin e të cilit fillimisht e kishin heshtur. 

Policia, në raportin e 12 tetorit, kishte theksuar se një të dyshuari i është zënë armë pa leje dhe drogë. Më tutje, policia dhe prokuroria pohonin se as arma e as substanca narkotike nuk ishin të djalit të Shpend Maxhunit, por të dy personave tjerë. 

Policia e Kosovës nuk kishte proceduar në Prokurori kallëzimin penal, pasi ishin intervistuar të dyshuarit. 

E, tash zv.prokurori i Prokurorisë Themelore të Prishtinës thotë se Policia e ka dorëzuar në Prokurori kallëzimin penal lidhur me rastin e djalit të Shpend Maxhunit. 

“Jemi duke i zhvilluar hetimet. Tash prokurorja e rastit është duke i ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme. Kallëzimi Penal ka ardhur në Prokurori. Ne po e shqyrtojmë atë dhe pastaj  do ta dërgojmë në Gjykatë“, ka thënë Berisha.

Ai ka treguar se prokurorja e rastit po i shqyrton mundësitë për riintervistimin e Shpëtim Maxhunit dhe dy personave të tjerë, të cilët në polici kanë marrë përgjegjësinë për armën pa leje dhe substancën narkotike.

E, gjetja e armës dhe substancave narkotike te një 20-vjeçar, do të ishte veç një rast tjetër që shkon në procedura të rregullta të Policisë së Kosovës, sikur ai të mos ishte djali i shefit të AKI’së dhe sikur Policia e Prokuroria të mos ndryshonin faktet pas një jave kur një rast i tillë u bë publik nga media. 

Tek Shpëtim Maxhuni, djali i shefit të AKI’së, Shpend Maxhunit,  me datë 12 tetor, derisa po voziste veturën në pronësi të gjyshit të tij, u gjetën armë pa leje dhe substanca narkotike të llojit marihuanë.

Në raportin policor të ditës kur Policia e kishte ndaluar Shpëtim Maxhunin, raportohej për një të dyshuar, të cilit i ishte gjetur armë e drogë në veturë në Zllatar. Ndërsa kur në media u nxor se ‘i dyshuari’ ishte djali i Shpend Maxhunit, policia sqaroi se as arma e as substanca narkotike nuk ishin të Shpëtimit, por të dy personave të tjerë që ishin me të në veturë.

“Njësia policore gjatë kontrollimit të dyshuarit mashkull K-shqiptar ka gjetur dhe konfiskuar një pistoletë me katër fishek dhe një thikë”, thuhej në raportin e para 10 ditëve.

Policia e Kosovës fillimisht nuk e kishte dorëzuar kallëzim penal në Prokurori, derisa kjo u raportua nga mediat. Më pas, institucionet u mobilizuan në "shfajësimin” e djalit të Shpend Maxhunit. Në raportin shpjegues të Policisë, të lëshuar një javë pas rastit, thuhej se kushëriri i Maxhunëve ka deklaruar se arma është e tij, ndërsa personi tjetër që ka qenë në veturë ka marrë përsipër posedimin e substancës.

“Në veturë kanë qenë tre persona, atë e ka drejtuar djali i Shpend Maxhunit, ndërsa  xhaketa me revole ka qenë e Rinorit. Kushëriri i tij Rinori ka deklaruar se xhaketa dhe arma pa leje ishte e tij sipas informacioneve të fundit të cilat i mora. Droga e llojit marihuanë që është gjetur në cigare është gjetur të një person tjetër i cili ka qenë jashtë automjetit, kur është kontrollu ju ka gjet atij”, kishin deklaruar organet e hetuesisë për medias disa ditë pasi që ka ndodhur rasti.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat