Prokuroria Themelore në Prishtinë konfirmoi sot se vëllai i Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, Gani Thaçi, ka qenë i përfshirë në një përleshje në mjediset e Byrosë Kosovare të Sigurimeve.
Lidhur me këtë ka reaguar presidenti i vendit, Hashim Thaçi, i cili ka thënë se nuk e arsyeton asnjë veprim të kundërligjshëm të askujt, aq më tepër në një rast si ky, përcjell Bota sot.
Përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook, ka thënë se të qenit familjar i një zyrtari të lartë nuk nënkupton imunitet dhe amnisti për askënd, derisa ka ftuar organet e drejtësisë që të bëjnë punën e tyre.
Postimi i tij i plotë:
Jam njoftuar për përfshirjen e vëllait tim në një përleshje sporadike fizike. Asnjëherë nuk do ta arsyetoj asnjë veprim të kundërligjshëm të askujt, aq më tepër në një rast si ky. Të qenit familjar i një zyrtari të lartë nuk nënkupton imunitet dhe amnisti për askënd. Përkundrazi. Përgjegjësia është individuale. I ftoj organet e rendit që ta trajtojnë rastin në përputhje me ligjin. Vetëm kështu ndërtojmë shtet ligjor, në të cilin të gjithë jemi të barabartë para ligjit dhe drejtësisë. HTH.