Në Komisionin për testin PISA, një anëtar i dyshuar për plagjiaturë e tjetri për vjedhje

Aktuale

Në Komisionin për testin PISA, një anëtar i dyshuar për plagjiaturë e tjetri për vjedhje

Më: 24 tetor 2018 Në ora: 23:03
Faza e parë e testit PISA në Gjilan

Pjesë e Komisionit për mbikëqyrjen e testit ndërkombëtar PISA dhe hartimin e Planit të veprimit vazhdojnë të jenë edhe dy anëtarë, të cilët dyshohen për vepra të ndara: njëri për plagjiaturë e tjetri për vjedhje.

Njëri prej tyre është Zeqir Veselaj, profesor i asocuar në Fakultetin e Edukimit të Universitetit të Prishtinës.

Ndaj Veselajt organizata Admovere ka ngritur dyshime për plagjiaturë të doktoratës.

Ai ka thënë se nostrifikimi i doktoratës së tij është ngatërruar qëllimshëm si plagjiaturë për ta dëmtuar në opinionin publik.

Pavarësisht këtyre dyshimeve, Zeqir Veselaj vazhdon të jetë anëtar i Komisionit për mbikëqyrjen e testit PISA.

Këtë për  kallxo e konfirmoi edhe zëdhënësi i Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Kulturës, Valmir Gashi.

“Edhe pse Komisioni në këtë fazë nuk është shumë aktiv, Zeqir Veselaj vazhdon të jetë pjesë e Komisionit për faktin se çështja e ngritur nuk ka të bëjë me Ministrinë”, tha Gashi.

Anëtare e Komisionit për testin PISA vazhdon të jetë edhe Igballe Cakaj, zyrtarja e Ministrisë së Arsimit e larguar nga puna nën dyshimet se ka kryer një vjedhje ose tentim vjedhje në Bruksel.

Igballe Cakaj në një prononcim tha se vazhdon të jetë anëtare e Komisionit për testin PISA, pavarësisht se asaj i është ndërprerë marrëdhënia e punës nga Ministria e Arsimit, ku ishte udhëheqëse e Divizionit për zhvillim profesional të mësimdhënësve.

Në vendimin e nënshkruar nga sekretari i përgjithshëm i Ministrisë së Arsimit thuhet se udhëheqëses së Divizionit për zhvillim profesional të mësimdhënësve në MAShT i shqiptohet masa disiplinore: Ndërprerja e marrëdhënies së punës në shërbimin civil.

Pasi kishte dëgjuar deklaratën me gojë të Cakajt, Komisioni Disiplinor kishte ardhur në përfundim se provat e ofruara si dyshime për vjedhje apo tentim për vjedhje në lokalin në Bruksel në bazë të fakteve rezultojnë të vërteta.

Rasti për të cilin dyshohet tashmë ish-zyrtarja e lartë ka ndodhur në fund të qershorit të këtij viti.

Igballe Cakaj ishte pjesë e delegacionit të MAShT-it në takimin e ministrave të Ballkanit Perëndimor. Në këtë delegacion ishte edhe vetë ministri Shyqiri Bytyqi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat