Gjykata Kushtetuese shënon 9 vjetorin e themelimit

Aktuale

Gjykata Kushtetuese shënon 9 vjetorin e themelimit

Më: 25 tetor 2018 Në ora: 07:56
Gjykata Kushtetuese e Kosovës

Sot në kryeqytet me ceremoni solemne Gjykata Kushtetuese e Kosovës do të kremtojë vitin e 9-të gjyqësor.

Gjykata Kushtetuese e Kosovës është autoriteti më i lartë për interpretimin e Kushtetutës së Kosovës dhe shqyrtim gjyqësor të ligjeve lidhur me përputhjen e tyre me kushtetutën.

Gjykata është themeluar në janar të vitit 2009. Me autoritetin e saj për shqyrtimin e legjislacionit dhe kërkesave individuale për shkeljet e të drejtave, Gjykata është kontrolli më i lartë mbi pushtetin legjislativ dhe ekzekutiv në Kosovë dhe është arbitri më i lartë për interpretimin e dispozitave kushtetuese për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të njeriut.

Në ceremoni pritet të marrin pjesë udhëheqësit më të lartë shtetërorë, përfaqësuesit e akredituar të misioneve diplomatike dhe të organizatave ndërkombëtare në vend, si dhe delegacionet e nivelit më të lartë nga Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë, Gjykata Kushtetuese e Malit të Zi, Gjykata Kushtetuese e Maqedonisë, Gjykata Kushtetuese e Bullgarisë, Gjykata Kushtetuese e Turqisë, Gjykata Kushtetuese e Maltës, Gjykata Kushtetuese e Letonisë dhe Gjykata e Lartë e Shqipërisë.

Pjesëmarrës në ceremoninë e Vitit të 9-të Gjyqësor të Gjykatës Kushtetuese do të jenë edhe kryetari i Komisionit Evropian për Demokraci Nëpërmjet Ligjit (Komisioni i Venecias), Gianni Buquicchio, si dhe juristja me nam ndërkombëtar dhe njëherësh zëvendëspërfaqësuesja e Republikës së Irlandës në Komisionin e Venecias,  Grainne McMorrow. 

Me fjalim rasti, pjesëmarrësve në këtë ceremoni do t’i drejtohen kryetarja e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës, Arta Rama-Hajrizi, presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, si dhe kryetari i Komisionit të Venecias, Gianni Buquicchio.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat