Prokuroria e shtetit tregon çka do të ndodhë me vëllaun e presidentit Thaçi

Aktuale

Prokuroria e shtetit tregon çka do të ndodhë me vëllaun e presidentit Thaçi

Më: 25 tetor 2018 Në ora: 17:17
Gani Thaçi, vëllai i presidentit të vendit Hashim Thaçi

Prokuroria e Shtetit shumë shpejt pritet të bëjë kallëzim penal ndaj koordinatorit të Byrosë Kosovare të Sigurimeve, Gani Thaçit dhe shoferit të tij për sulmin fizik që i kanë bërë të mërkurën drejtorit të BKS-së Blerim Pushkollit dhe drejtorit të kompanisë së sigurimeve “Illyria Insurance”, Gianni Sokolic.

Këtë e ka konfirmuar prokurori përgjegjës për komunikim me media në Prokurorinë Themelore në Prishtinë, Ibrahim Berisha, i cili ka thënë se të gjitha procedurat hetimore kanë përfunduar nga prokurori i cili ka dalë në vendin e ngjarjes.

“Prokurori ka dalë në vendin e ngjarjes, ku janë kryer procedurat paraprake dhe pritet të ndërmerren veprime tjera për kallëzim penal”, ka thënë shkurt Berisha.

Ai nuk ka treguar motivet e sulmit për këtë rast ku është përfshirë Gani Thaçi, vëllai i presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi.

Media gjatë tërë ditës ka bërë përpjekje për ta kontaktuar drejtorin e Byross Kosovare të Sigurimeve(BSK) Blerim Pushkollin  për të sqaruar ngjarjen por i njëjti nuk është përgjigjur në thirrjet telefonike.

Sulmi fizik ndaj Pushkollit dhe Sokoliq ka ndodhur dje në zyrën e BKS-së rreth orës 12:00.

Rastin e kanë konfirmuar edhe Policia sipas së cilëve në rrugën “Lidhja e Pejës” ka ndodhur një përleshje fizike mes tre personave.

“Menjëherë pas marrjes së këtij informacioni në vendin e ngjarjes kanë dalë të gjitha njësitet e nevojshme policore te cilat konform rekomandimeve te prokurorit te shtetit i cili po ashtu ka dale ne vendin e ngjarjes, po ndërmarrin veprimet e mëtutjeshme hetimore e procedural”,  ka thënë dje zëdhënësja e Policisë për rajonin e Prishtinës Flora Ahmeti.

Ndryshe, në shtator të vitit 2016, me përkrahjen e pa rezervë të Gani Thaçit, vëllait të presidentit të Kosovës, Blerim Pushkolli është zgjedhur drejtor i Byrosë Kosovare të Sigurimeve.

Banka Qendrore e Kosovës (BQK) në atë kohë kishte aprovuar vendimin e Asamblesë së Përgjithshme të Byrosë Kosovare të Sigurimeve (BKS) për zgjedhjen e Blerim Pushkollit në cilësinë e drejtorit të ri.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat