Thaçi: Gjykata Kushtetuese, ndër institucionet më të suksesshme në Kosovë

Aktuale

Thaçi: Gjykata Kushtetuese, ndër institucionet më të suksesshme në Kosovë

Më: 25 tetor 2018 Në ora: 18:46
Sot është shënuar 9-të vjetori i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës

Me ceremoni solemne, sot është shënuar 9-të vjetori i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, ku u vlerësua se kjo gjykatë është ndër institucionet më të rëndësishme, por edhe më të suksesshme në Kosovë.

Kryetarja e kësaj gjykate, Arta Rama-Hajrizi ka vlerësuar se ky vit ka qenë vit i sprovave për Gjykatën Kushtetuese.

Rama-Hajrizi: Gjykata Kushtetuese gjatë këtij viti është përballur me sprova të shumta

“Për herë të parë gjykata iu nënshtrua procesit të njëkohshëm të gjyqtarëve kushtetues dhe për herë të parë gjykata më nuk ka në përbërjen e saj  gjyqtarë ndërkombëtarë.  Kontributi i gjyqtarëve të larguar së fundmi, që njëherësh ishin pjesë në gjeneratën e parë të gjyqtarëve kushtetuese ishte thelbësor dhe tejet i çmuar për vendosjen e themeleve të Gjykatës Kushtetuese në vend dhe për zhvillimin institucional  të Gjykatës Kushtetuese”, tha Rama Hajrizi.

Ajo ka shtuar se  luftimi i krimit dhe korrupsionit vazhdon të jetë sfidë për institucionet e vendit. Ku në këtë prizmë, siç tha ajo, ka një rol të rëndësishëm Gjykata Kushtetuese.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka vlerësuar se Gjykata Kushtetuese është ndër institucionet më të rëndësishme, por edhe më të suksesshme në Kosovë.

Thaçi: Gjykata Kushtetuese është ndër institucionet më të suksesshme në Kosovë

“Pavarësia, integriteti, profesionalizmi, vizioni që ka treguar Gjykata Kushtetuese, që nga themelimi i saj, janë shembull për të gjithë. Këto virtyte janë model për institucionet e tjera, sesi duhet të punohet dhe si duhet të mbrohet shteti. Gjykata Kushtetuese duhet të vazhdojë të luajë rol në mbrojtjen e Kushtetutës dhe në interpretimin përfundimtar të saj. Duke mbrojtur rendin kushtetues, ju mbroni shtetin e Kosovës, ju ruani themelet e shtetit tonë. Sundimi i ligjit në përgjithësi, është një prej parimeve bazë, mbi të cilat kemi ndërtuar shtetin dhe shoqërinë kosovare”, ka thënë presidenti Thaçi dhe ka shtuar se falë profesionalizmit, Gjykata Kushtetuese tani më është duke funksionuar me gjykatës vendorë.

I pranishëm në ceremoni ishte edhe Kryetari i Komisionit të Venecias, Gianni Buquicchio, i cili tha se është kënaqësi të jetë i pranishëm në shënimin e vitit të nëntë të Gjykatës Kushtetuese, duke shtuar se kjo e fundit është një garantuese për rendin e ligjit.

Buquicchio: Gjykata Kushtetuese kanë rolin thelbësor të rendit kushtetues

“Gjykata Kushtuese është një garantues, e rendit kushtetues, është më rëndësi që kjo gjykatë të kryejë detyrën e saj në mënyrë efektive. Znj. Kryetare, komisioni gjithmonë do të mbetet mbështetës i Gjykatës Kushtetuese dhe inkurajon themelimin e tyre në të gjitha shtetet ku nuk ekzistojnë. Themelimi i Gjykatës Kushtetuese është një ngjarje historike, sepse kemi vërejtur gjatë kohës që gjykatat  kushtetuese mbrojnë një stabilitet kushtetues dhe mbrojnë demokracinë. Të drejtat e njeriut janë një prej detyrave qendrore të Gjykatës Kushtetuese, ato janë baza e demokracisë së vërtetë”, tha Buquicchio.

Sipas tij, Komisioni i Venecias ka vërejtur ndër vite që disa gjykata kushtetuese në botë kanë pasur presion dhe janë kërcënuar. Në raste të tilla, ai tha se si kryetar i komisionit të Venecias ka intervenuar në këto vende si: Bosnjë e Hercegovinë, Poloni, Ukrainë, Turqi, e shumë vende të tjera.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat