Sipas Balajt, Telekomi ka vlerë mbi 500 milionë euro

Aktuale

Sipas Balajt, Telekomi ka vlerë mbi 500 milionë euro

Më: 25 tetor 2018 Në ora: 23:50
Lamih Balaj

Kryetari i Sindikatës së Punëtorëve të Telekomit, Lamih Balaj, ka thënë se Telekomi i Kosovës është në gjendje jo të mirë, por jo në të rëndë siç raportohet.

Sipas tij, Telekomi i Kosovës ka vlerë mbi 500 milionë euro dhe jo siç është thënë nga Besa Shatri Berisha, kryetare e Bordit të Telekomit, se vlera e Telekomit është 22 milionë euro.

Balaj ka thënë se Telekomi nuk është afër falimentimit, dhe “po të falimentojë Telekomi, falimenton Kosova”.

“Po të falimentojmë ne falimenton republika. Jemi aset i Kosovës. Pse themi se falimenton shteti? Sepse mbi 180 institucione të vendit janë të lidhur direkt me Telekomin dhe çka nëse zgjohemi e themi se ka falimentuar Telekomi, do të thotë se do të falimentojnë krejt këto përfshirë Policinë e AKI-në”, ka thënë Balaj.

Sipas Balajt, Telekomi vetëm në antena ka mbi 25 milionë euro vlerë.

“Hekur me mbledhë e me i shitë, e kapim vlerën 25 milionë euro. Ne i kemi 512 antena në territor të Kosovës, në vlerë rreth 25-26 milionë euro vetëm antena pa pajisje përcjellëse e investime tjera. S’ka kompani me fuqi financiare e punëtore si ne për optikë. Vetëm asete të paluajtshme të Telekomit kemi mbi 500 milionë euro”, ka deklaruar më tej ai.

Ai ka insistuar se nuk duhet të paguhet borxhi ndaj Z-Mobilet duke thënë se “njerëzit që i kanë nënshkruar ato marrëveshje duhet të shkojnë në burg e paratë të mbesin në shtet”.

Ai ka shtuar se nuk do të pranojnë uljen e pagave. “Me punë i kemi fituar dhe nëse dikush mendon që me paga tona sa herë që bëhen kontrata të dëmshme e t’ua ulim pagat punëtorëve, le të harrojnë këtë njëherë e përgjithmonë”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat