Drejtori i ri i KEK-ut, kushëri i Hashim Thaçit e ish-i akuzuar për tri vepra

Aktuale

Drejtori i ri i KEK-ut, kushëri i Hashim Thaçit e ish-i akuzuar për tri vepra

Më: 26 tetor 2018 Në ora: 21:22
Njazi Thaçi

Një tjetër emër i lidhur me krerët e shtetit, ka zënë pozitë drejtuese në një ndërmarrje publike të rëndësishme të vendit.

Kushëriri i presidentit Hashim Thaçi, Njazi Thaçi, është emëruar si Drejtor Menaxhues i Korporatës Energjetike të Kosovës, raporton ktv.

Nga konkursi i tretë i shpallur për këtë pozitë, Thaçi, sipas njoftimit dërguar nga kryetari i Bordit të Drejtorëve të KEK-ut, Faruk Hajrizi, ka dalë si kandidati më i suksesshëm.

Konkursi ishte zhvilluar me bashkëpunimin e ekspertëve të angazhuar nga Ambasada Britanike, që e kishin vlerësuar Thaçin si kandidatin më të përgatitur për pozitën.

Procesi, sipas këtyre të fundit, është zhvilluar pa ndonjë parregullsi.

Thaçi, pas dorëheqjes së drejtorit Arben Gjuka, ishte emëruar për ushtrues detyre të kësaj pozite, derisa nga punësimi i tij në vitin 2006, e deri në vitin 2010, ishte Shef i Prokurimit në këtë ndërmarrje, ndërsa në vitin 2010, ishte avancuar në pozitën e Drejtorit Operativ.

Prokuroria Speciale, në vitin 2016, kishte ngritur aktakuzë ndaj tij dhe e ngarkonte për tri vepra penale: shpërdorim të detyrës zyrtare, lidhje të kontratave të dëmshme dhe veprimtari të pandërgjegjshme ekonomike.

Bashkë me të, në aktakuzë ishin të përfshirë edhe ish-kreu i OSHP-së, Hysni Hoxha, dhe tre zyrtarë të tjerë, ndërsa në fillim të vitit 2017, Prokuroria ishte tërhequr nga akuzat ndaj të gjithë të akuzuarve.

Në media është raportuar për tenderë milionësh që kanë shkuar për kompaninë “Geo Mineral”, kompani kjo e afërt me vëllain e Presidentit Thaçi, Idriz Thaçi, në periudhën sa kushëriri i tyre ishte përgjegjës për prokurimin në KEK.

Përndryshe, në garë për këtë pozitë ka qenë edhe ish-ministri i PDK-së, Blerand Stavileci, por i njëjti ishte skualifikuar.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat