Djali i veprimtarit të vrarë të LDK-së, letër të hapur Mehmet Krajës: Shkrimtar pa busull morale!

Aktuale

Djali i veprimtarit të vrarë të LDK-së, letër të hapur Mehmet Krajës: Shkrimtar pa busull morale!

Nga: N.Sh Më: 27 tetor 2018 Në ora: 11:45
Mehmet Kraja

Djali i veprimtarit të vrarë të LDK-së. Smajl Hajdaraj, Shpëtimi, i ka shkruar një letër të hapur Mehmet Krajës, pas botimit të “Fjalorit Enciklopedik të Kosovës”, transmeton gazeta “Bota sot”.

Shpëtimi, letrën e tij publike drejtuar z. Kraja e ka titulluar “Një shkrimtar mizantrop dhe pa busull morale”.

“Ju jeni përpjekur t'i diskualifikoni të gjithë kritikët, duke i etiketuar si "kalamaj të portaleve dhe çipçinj të OJQ-ve". Kjo tregon fobinë tuaj ndaj çdokujt që ua thotë troç se projekti juaj "Fjalor Enciklopedik i Kosovës" është i dështuar. Gjuha juaj nuk ju nxjerr para opinionit si njeri të dijes, por si njeri që dëshiron të kacafytet me çdokënd që nënvizon pikat e dobëta të punës suaj gjoja shkencore”, shkruan Hajdaraj në shkrimin e tij.

Lexojeni më poshtë shkrimin e Shpëtim Hajdaraj drejtuar Mehmet Krajës:

Një shkrimtar mizantrop dhe pa busull morale

(Letër e hapur Mehmet Krajës, anëtar i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës pas botimit të të ashtuquajturit "Fjalor Enciklopedik i Kosovës")

Shpëtim S. Hajdaraj

Zoti Kraja,

pasi që ju ditëve të fundit me një zell të pashoq dhe dashakeqës keni fyer çdokënd që ka kritikuar mënyrën se si ju e keni miratuar botimin e të ashtuquajturit "Fjalor Enciklopedik i Kosovës", unë nuk mund të rri indiferent. Veçanërisht s'mund të rri indiferent për shkak se në trillimet dhe shpifjet tuaja keni goditur për së vdekuri edhe babanë tim, i cili si shumë patriotë e qytetarë të ndershëm të këtij vendi nuk është përfshirë në "Fjalorin Enciklopedik të Kosovës". Këtë injorim të Smajl Hajdarajt e kam kritikuar për arsye parimore, jo për shkak se është babai im.

Së pari: ju jeni përpjekur t'i diskualifikoni të gjithë kritikët, duke i etiketuar si "kalamaj të portaleve dhe çipçinj të OJQ-ve". Kjo tregon fobinë tuaj ndaj çdokujt që ua thotë troç se projekti juaj "Fjalor Enciklopedik i Kosovës" është i dështuar. Gjuha juaj nuk ju nxjerr para opinionit si njeri të dijes, por si njeri që dëshiron të kacafytet me çdokënd që nënvizon pikat e dobëta të punës suaj gjoja shkencore.

Së dyti: ju në një shkrim kinse shpjegues për punën që ka bërë redaksia e "Fjalorit Enciklopedik të Kosovës" jeni marrë edhe me fyerje të rënda ndaj të gjitha familjeve, anëtarët e së cilave janë vrarë gjatë apo pas luftës për motive politike dhe nga qarqet e nëntokës politike. Ju shkruani: "Ndërkohë, le të më lejohet të them, pa prekur sentimentin e askujt, se hero nuk mund të bëhet askush nga dinjitarët për shkak të aktit kriminal të vrasjes së tij, por i tillë bëhet për shkak të veprimtarisë për një kauzë madhore".

Ndërkohë, zoti Kraja, le të më lejohet të them, pa prekur sentimentin tuaj, se për cilën kauzë ka punuar dhe luftuar Smajl Hajdaraj: si inxhinier i ri i elektroteknikës ai dha kontribut të madh për elektrifikimin e rajonit të Rugovës në vitet 80-të, pas largimit nga puna nga ana e regjimit të Sllobodan Millosheviqit, Smajl Hajdaraj udhëhoqi degën e Bashkimit të Sindikatave të Pavarura (BSPK) të punëtorëve të larguar të ish Elektrokosovës për rajonin e Pejës, po ashtu ishte anëtar i kryesisë së BSPK-së në Prishtinë, në vitet 90-të Smajl Hajdaraj ishte kryetar i Nëndegës së Lidhjes Demokratike të Kosovës për rajonin e Rugovës, kryetar i Këshillit të Emergjencës për Rugovë dhe komandant i Shtabit Rajonal të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), pas luftës ai u zgjodh këshilltar komunal në Pejë dhe pastaj edhe deputet i Kuvendit të Kosovës. Për angazhimin e tij në mbrojtje të popullsisë civile gjatë luftës kanë shkruar edhe mediat ndërkombëtare. Të gjitha këto të dhëna janë publike, por juve si kryeredaktor i "Fjalorit Enciklopedik të Kosovës" nuk ju kanë interesuar fare.

Kur një dorë kriminale e vrau Smajl Hajdarajn pas luftës, kundër këtij akti barbar protestuan shumë diplomatë, mes tyre edhe shefi i atëhershëm i Zyrës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë. Smajl Hajdaraj është deputeti i parë i vrarë në Kosovën e çliruar.

"Zëri i Amerikës" më 18 janar 2002 njoftonte: "Zyrtari i lartë i Kombeve të Bashkuara në Kosovë, Charles Brayshaë, thotë se kjo organizatë do të bëjë maksimumin që të gjejë vrasësit dhe të përcaktojë arsyet e vrasjes së Smajl Hajdarajt. Persona të armatosur i zunë pritë viktimës të enjten, pranë shtëpisë së tij në qytetin perëndimor të Pejës. Zoti Hajdaraj përfaqësonte partinë e moderuar kosovare, Lidhja Demokratike e Kosovës, në kuvendin e sapo zgjedhur të Kosovës. Shefi i zyrës amerikane në Kosovë, John Menzies, vlerësoi zotin Hajdaraj për besnikërinë e tij ndaj Kosovës dhe përkushtimin e tij ndaj demokracisë. (...) Zoti Menzies tha se ka ardhur koha që të gjitha partitë dhe grupet politike në Kosovë të bëjnë një qëndresë të fortë, sipas fjalëve të tij, ndaj kërcënimit, dhunës dhe terrorit politik. Edhe udhëheqësi i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Ibrahim Rugova, e dënoi vrasjen. Ai akuzoi për vrasjen njerëzit që janë kundër zhvillimit të institucioneve në Kosovë".

 

Të gjitha këto reagime e vlerësim për punën e Smajl Hajdarajt e hedhin poshtë konstatimin tuaj gjakftohtë e mizor se "hero nuk mund të bëhet askush nga dinjitarët për shkak të aktit kriminal të vrasjes së tij, por i tillë bëhet për shkak të veprimtarisë për një kauzë madhore". Smajl Hajdaraj është hero "për besnikërinë e tij ndaj Kosovës dhe përkushtimin e tij ndaj demokracisë", siç ka theksuar diplomati amerikan John Menzies. Gjuha juaj plot helm kundër figurave të rëndësishme kombëtare që vijnë nga radhët e LDK-së së Ibrahim Rugovës, ju demaskon juve, zoti Kraja, si një shkrimtar mizantrop dhe pa busull morale.

 

Me gjasë misioni juaj ka qenë që në "Fjalorin Enciklopedik të Kosovës" të fusni krejt familjen tuaj dhe të zhvilloni një betejë private kundër Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe të fyeni personalitete të historisë së re të Kosovës. Ju si çdo qytetar i këtij vendi mund të jeni kritik ndaj LDK-së dhe çdo partie apo fenomeni shoqëror, por mos e keqpërdorni buxhetin e Kosovës për të deformuar historinë dhe për të plotësuar dëshira të pandershme familjare.

Me çfarë kompetence dhe morali mund të flisni ju për anëtarësinë e LDK-së që ka qëndruar në Kosovë dhe është përballur me regjimin represiv serb, ndërsa ju vitet e 90-ta i keni kaluar në klimën e ngrohtë të Tiranës, duke marrë rrogë pikërisht nga Fondi i Trepërqindëshit, të cilin e kanë mbushur kryesisht anëtarët e LDK-së në diasporë dhe në Kosovë? Me çfarë të drejte ju sot, në Kosovën që e ka çliruar edhe babai im, merreni me fyerje të rënda ndaj patriotëve të këtij vendi?

Po të kishit busull morale, ju sa më parë do t'i kërkonit falje të gjitha familjeve që jeni përpjekur t'i nënçmoni e fyeni me fjalorin tuaj të pistë. Ndërsa atë "Fjalorin Enciklopedik i Kosovës" mund ta mbani në zyrën tuaj si njollë turpi.

Prishtinë, 27 tetor 2018

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat