Kryesia vendos për seancën e jashtëzakonshme të thirrur nga LDK-ja

Aktuale

Kryesia vendos për seancën e jashtëzakonshme të thirrur nga LDK-ja

Më: 29 tetor 2018 Në ora: 11:31
Kryesia e Kuvendit

(E plotësuar) - Seanca e jashtëzakonshme e iniciuar nga LDK-ja, e mbështetur nga 42 deputetë do të zhvillojë debatin parlamentar lidhur me angazhimet e presidentit Hashim Thaçi në dialogun me Serbinë më 31 tetor nga ora 10:00.

Kështu bëri të ditur pas mbledhjes së Kryesisë, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, në një konferencë për media ku tha se mungesa e unitetit politik në vend po ia mundëson presidentit serb Aleksandar Vuçiq moderimin e dialogut Kosovë - Serbi.

Veseli i bëri thirrje spektrit politik që t'i evitojnë interesat partiake, në mënyrë që të kenë qëndrim të përbashkët në ballafaqimin me Serbinë.

Veseli: Ndarja jonë po i shërben Vuçiqit

“Ndarje nuk do të ketë kurrë, nuk duhet të rrezikojmë ndarjen tonë që na krijon situatë imponuese... Nëse ne shkojmë të ndarë, e lejojmë Vuçiqin të tregojë veten të moderuar, kjo është e dëmshme, përderisa ne po shtyhemi me vetën, ai po e promovon vetën, dialogun dhe partneritetin, ai po përfiton nga mungesa e unitetin kosovar”, tha Veseli.

Armend Zemaj nga LDK, subjekt ky që të enjten e shkuar inicioi seancën e jashtëzakonshme, tha se pati tentim të pozitës që seanca të mbahet më 1 nëntor.

Zemaj: Të gjitha grupet parlamentare të bëhen pjesë e këtij debati

"Grupi parlamentar i LDK-së kërkoi që seanca të mbahet me datën 31 tetor, jo me datën 1, për shkak që të mos pengojmë mbarëvajtjen e punës së Kuvendit, një arsyetim që është tentuar t’i imponohet opozitës. Ftoj të gjithë grupet parlamentare të bëhen pjesë e këtij debati, t’i japin mendimet e tyre sa i përket kësaj pike të Kuvendit. T'i japim fund kësaj çështje. Seanca është caktuar në orën 10.00. Shpresojmë se kësaj radhe nuk do të ketë sabotim, apo për ta penguar kuorumin", tha ai.

Ndërsa sa i përket pjesëmarrjes ose jo të NISMA-s në seancën e së mërkurës, foli shefi i grupit parlamentar të këtij subjekti politik, Bilall Sherifi.

Sherifi: Kryesia do të vendosë nëse marrim pjesë ose jo

“Nuk e di. Tash këtë vendim të kryesisë së Kuvendit do ta shtroj në kryesi të partisë dhe do të bëjmë të ditur qëndrimin tonë”, tha Sherifi.

Ndryshe, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, në një adresim për qytetarët e vendit, ka thënë dje se mungesa e unitetit rreth dialogut po e dëmton Kosovën dhe nuk duhet lejuar që t’i humbim partnerët tanë ndërkombëtarë, dhe se është koha për unitet dhe maturi.

Ai ka potencuar se SHBA-ja dhe BE-ja nuk do të presin pafundësisht për shkak të dallimeve të subjekteve politike kosovare dhe se me asnjë çmim nuk duhet lejuar të humbim partnerët tanë ndërkombëtarë.

***

Kryesia e Kuvendit ka vendosur që të mërkurën të mbahet seanca e jashtëzakonshme me kërkesë të Grupit Parlamentar të LDK-së

Kërkesën për seancë të jashtëzakonshme LDK e ka bërë për të shqyrtuar dhe për të mbajtur debat parlamentar lidhur me angazhimet e presidentit të Kosovës Hashim Thaçi për përfshirjen e “shkëmbimit të territoreve” apo “korrigjimit të kufijve” në dialogun në mes të Kosovës dhe Serbisë.

***

Kryesia e Kuvendit mban mbledhjen me kryetarët e grupeve parlamentare, ku përveç tjerash do të shqyrtohet edhe kërkesë e 42 deputetëve për mbajtjen e seancës së jashtëzakonshme për debat parlamentar lidhur me angazhimet e Presidentit të Kosovës për përfshirjen e “shkëmbimit të territoreve” apo “korrigjimit të kufijve” në dialogun në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Pikat e papërfunduara nga Seanca plenare e mbajtur më 13, 14, 20 shtator dhe 15 tetor.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat