“LDK nuk do të bëhet bisht i PDK-së”

Aktuale

“LDK nuk do të bëhet bisht i PDK-së”

Më: 29 tetor 2018 Në ora: 14:20
Mbledhja e kryesisë së LDK-së

(E plotësuar) - Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa pas mbledhjes së kryesisë së kësaj partie, tha se dialogu në mes Kosovës dhe Serbisë nuk duhet të vë në pikëpyetje shtetësinë e Kosovës, derisa theksoi se partia që ai drejton nuk do t’i bëhet bisht PDK-së në pushtet.

Ai tha se në mbledhjen e kryesisë së LDK-së është biseduar për një platformë për dialogun me Serbinë. Sipas tij, ky dialog duhet të vazhdojë por duhet të definohet si dialog në mes Republikës së Kosovës dhe asaj të Serbisë, e jo në mes Prishtinës dhe Beogradit.

Mustafa: Dialogu nuk duhet ta vë në pikëpyetje shtetësinë e Kosovës

“Dialogu në mes Kosovë dhe Serbisë duhet të zhvillohet për çështje të interesit të përbashkët ndërmjet dy shteteve. Konsiderojmë se dialogu duhet të zhvillohet si dialog ndërmjet dy shteteve të barabarta që është kriteri themelor i yni dhe jo si dialog në mes Prishtinës dhe Beogradit, dhe po ashtu konsiderojmë se dialogu duhet të ketë për qëllim përfundimtar njohjen reciproke ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, përkatësisht Serbisë dhe Kosovës dhe nuk do të pajtohemi të ketë vakum tjetër për një dialog vazhdues. Dialogu i deritanishëm i definuar si dialog ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit ne do kërkojmë edhe nga Komisioni Evropian që të definohet si dialog në mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë përkatësisht dialog ndërmjet dy shteteve sovrane dhe të barabarta. Si LDK angazhohemi që dialogu në asnjë formë nuk duhet ta bjerë në pikëpyetje shtetësinë dhe rezultatet e deritanishme të shtet-ndërtim it”, tha Mustafa.

Kryetari i LDK-së e ka hedhur poshtë ftesën e homologut të tij nga PDK-ja, Kadri Veseli, për unifikim të spektrit politik të Kosovës rreth dialogut. Ai tha se nuk ka komunikuar me  Veselin dhe se deklarimet e tij se janë afër konsensusit për dialog, i ka quajtur reklama që kreu i Kuvendit po ia  bën vetes.

Mustafa: Nuk  mund t’i bëhemi bisht as PDK-së, as Veselit

“Konsideroj se kryetari i Kuvendit më së pari nuk është strumbullari, sepse ai është vetëm spiker, është vetëm drejtues i seancave të Kuvendit dhe kryetar i një partie politike dhe unë mendojë që ai duhet t’i përmbahet atij autoriteti dhe autorizimi që e ka dhe ai nuk e ka kompetencën e unifikimit i bie një institucioni tjetër, i cili duhet ta bëjë këtë punë. Ne nuk kemi komunikuar me kryetarin e Kuvendit, por konsiderojmë se ato janë reklama që ai po ia bënë vetit. LDK nuk i beson as PDK-së, as zotëri Veselit, as disa të tjerëve dhe ne nuk mund t’i bëhemi pastaj bisht njerëzve dhe partive, të cilat kanë abuzuar në bashkëpunimin me ne”, ka deklaruar ai.

Ai tha se tema për korrigjimin e kufijve dhe ‘krijesave’ me kompetenca ekzekutive, duke aluduar kështu n asociacionin e komunave serbe, as që duhet të vijnë në shprehje për diskutim.

Sipas tij, të gjitha kushtet janë “pjekur” që vendi të shkojë në zgjedhje, kjo pasi sipas tij ‘Qeveria e pakicës nuk mund të udhëheqë dialogun,  dhe aq më pak presidenti i cili nuk ka mandat për këtë’.

Mustafa: Janë pjekur kushtet që Qeveria të japë dorëheqje

“Institucionet e tanishme të Republikës së Kosovës nuk mund ta bartin këtë proces as Qeveria e as presidenti. Qeveria për arsye se nuk është Qeveri që përfaqëson shumicën në Kuvendin e Republikës së Kosovës dhe presidenti nuk ka mandat ta bëjë këtë punë, sepse nuk është mandatuar nga Kuvendi. Si LDK do të jemi të gatshëm të hyjmë në këtë proces pas legjitimit qytetar, sepse vlerësojmë që për shkak të një procesi shumë serioz me të cilin ballafaqohet Kosova sot në Kosovë duhet të mbahen sa më shpejt zgjedhjet e lira. Janë pjekur kushtet që Qeveria të japë dorëheqje dhe janë pjekur kushtet që Parlamenti i Republikës së Kosovës të shpërndahet”, ka thënë Mustafa.

I pari i Lidhjes Demokratike të Kosovës ka folur edhe për mocionin për rrëzimin e Qeverisë Haradinaj.

Mustafa: Po punojmë të sigurojmë edhe disa vota

“Mendoj po punohet. Është duke bashkëpunuar Grupi ynë parlamentar me GP të LVV, të PSD-së, dhe sa i përket votave të deputetëve të këtyre partive, vërtet nënshkrimeve për mocion, ato konsideroj se ekzistojnë sipas informative që ne i kemi. Por, po punojmë që të sigurojmë edhe disa vota nga partitë të cilat janë në pozitë. Andaj, nuk kemi heq dorë dhe nuk do të heqim dorë jo vetëm për shkak të dialogut, por për shkak të asaj që vërtet jemi të bindur se ky vend e meriton një qeverisje tjetër, e cila mund të përballet me këto sfida me të cilat po ballafaqohemi sot”, tha Mustafa.

Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, tha se sot në Kryesi kanë biseduar për disa çështje të rëndësishme.

“Kemi trajtuar tekstin e platformës. Ne konsiderojmë se dialogu Kosovë-Serbi duhet të zhvillohet për çështje të interesit të përbashkët, dialog të dy shteteve e jo si dialog mes Prishtinës e Beogradit. Duhet të përfundojë me njohje. Dialogu i deritashëm, do të kërkojmë edhe nga Komisioni Evropian që të jetë dialog mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë. Dialogu nuk duhet ta va në pikëpyetje shtetësinë. Dialogun duhet ta vazhdojmë brenda kornizës kushtetuese”, ka thënë Mustafa.

Ka thënë gjithashtu se e vlerësojnë lartë rolin e BE-së në këtë proces, por kërkojnë që edhe BE edhe SHBA të jenë të kyçura edhe në implementimin e marrëveshjeve.

“Kjo marrëveshje duhet të punojë që asnjëra palë të mos e pengojë tjetrën në rrugën evropiane. Ne vlerësojmë se dialogun mund ta vazhdojë një Qeveri e shumicës. LDK vazhdon të qëndrojë pranë bindjes se institucionet e tanishme nuk mund ta bartin këtë proces as qeveria e as presidenti. Qeveria nuk e ka shumicën derisa presidenti nuk ka legjitimitetin. Si LDK do të jemi të gatshëm vetëm kur të legjitimohen institucionet përmes votës, zgjedhje duhet të ketë sa më parë. Ndryshimi i kufijve nuk vjen fare në shprehje e as pushteti i tretë”, tha ai.

“Ne diskutuam edhe lidhur me çështjet aktuale. Mendojmë se janë pjekur kushtet që qeveria të jap dorëheqje e kuvendi të shpërbëhet. Një Qeveri e cila merret veç me shpenzim të buxhetit nuk e meritojnë qytetarët. Më mirë të mos e presim mocionin por në të mirë të qytetarëve të japin dorëheqje”, tha tutje.

Mustafa gjithashtu tha se e ka të relativizuar këtë nocionin e ekipit të unitetit.

“Këto çështje duhet t’i kryej Qeveria e Kosovës, por një Qeveri e shumicës. Nuk kemi pasur presion të bëheni pjesë e ekipit. Ata që po e drejtojnë Kosovën janë pakicë e ne nuk mund ta plotësojmë vakumin e pakicës”, tha Mustafa.

Mocionin, tha Mustafa, do ta vazhdojnë, por nuk do të shkojnë në mocion pa i siguruar votat.

“Të sigurojmë jo veç 61 nënshkrime por 61 vota”, tha ai.

Image

Nis mbledhja e kryesisë së LDK-së e thirrur nga Isa Mustafa

Ka nisur mbledhja e kryesisë së LDK-së, të cilën e kryeson kryetari Akademik, Isa Mustafa.

Mbledhja e thirrur nga i pari i LDK-së, Isa Mustafa nisi në orën 14:00.

Tashmë në ‘Hotel Sirius’ kanë arritur edhe dy nënkryetarët e kësaj partie, Lutfi Haziri dhe Haki Rugova.

Në njoftimin për mbledhjen e sotme nuk është bërë e ditur tema e diskutimit por që kohët e fundit LDK ka pasur të shtuar numrin e mbledhjeve në të cilat janë diskutuar shumë çështje të rëndësishme të vendit..

Image
Image
commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat