Haradinaj i jep një litër raki gazetarit kroat, i thotë që s’ka asnjë lidhje me fe

Aktuale

Haradinaj i jep një litër raki gazetarit kroat, i thotë që s’ka asnjë lidhje me fe

Më: 29 tetor 2018 Në ora: 18:35
Gazetari kroat dhe Ramush Haradinaj

Në një intervistë interesante të realizuar nga media kroate, me Kryeministrin Ramush Haradinaj, janë zbuluar disa fakte të cilat nuk janë përmendur më herët nga kryeministri. Në këtë intervistë, Haradinaj foli për jetën e tij private, para dhe pas luftës, dëshirat e tij dhe pikëpamjet e tij fetare

Shkrimi i titulluar “Identiteti im nuk është feja islame – katër gjenerata të familjes sime ishin katolikë”, është citat i kryeministrit Haradinaj dhënë për median kroate.

Një histori interesante, Haradinaj e ndau me ekipin kroat.

Në fillim të këtij shkrimi, gazetari kroat tregon se si e priti Kryeminisrti Haradinaj atë në zyrë dhe çfarë i kishte ofruar për të pirë.

“Me kryeministrin e Kosovës Ramush Haradinaj gjithmonë më pëlqen të flasë. Pavarësisht se në çfarë pozite është ai, gjithmonë takimi me të është i përzemërt dhe miqësor. Herën e fundit që biseduam, rreth tri vite me parë, ai më pyeti nëse pi raki”.

“Hassane a pini ju? Po ju pyes për shkak se i respektoj të gjitha fetë. Nëse pini, unë e kam këtu një raki fenomenale dhe do të doja që pas intervistës ta shijoni”, tregon gazetari kroat t’i ketë thënë Kryeministri Haradinaj.

Pas kësaj bisede, ai tregon se Haradinaj i ka dhënë një litër të asaj rakie, dhe i tha “dërgoja edhe zagrebasve tu për ta provuar”.

Kjo intervistë nuk ishte vetëm për t’i treguar qejfet e kryeministrit, apo jetën e tij. Haradinaj këtu tregoi edhe qëndrimet e tij politike karshi Presidentit Hashim Thaçi. Madje, ai tregoi për median kroate se nuk e përkrahë idenë e Thaçit për shkëmbim territoresh, në asnjë formë.

Kryeministri foli edhe për raportet me Turqinë, sidomos me presidentin e atjeshëm, Rexhep Tayyip Erdogan, por edhe për sulmet që ia kishin bërë mediat e Erdoganit Haradinajt, në momentin kur u bë publike se Kryeministri ka qejf të pijë alkool dhe nuk e konsideron veten mysliman, por e konsideron veten shqiptar.

“Pothuajse të gjitha mediat e ndikuara nga Erdogan, kanë sulmuar kryeministrin e Kosovës. Mediat turke kanë shkruar për të, si një sulm për gabimet e Haradinajt, duke e paraqitur atë si një njeri që pi alkool, dhe se mohon të jetë mysliman dhe shpenzon shumë para për t’u dehur. Madje, një shkrim në një media turke ishte shumë i ulët dhe ofendues. Aty paraqitej një biografi e Haradinajt, ku thuhej se ai ishte roje trupore e një diskoteke dhe pastaj gjatë luftës u bë njëri nga komandantët kryesorë të UÇK’së. Kështu, shkrimi ia kujtoi edhe kohën që e kaloi Haradinaj në Gjykatën e Hagës dhe lirimi i tij nga akuzat se ai kreu mbi serbët gjatë kohës së luftës”, ka shkruar gazetari kroat.

Kryeministri Haradinaj pasoi duke thënë:

“Nuk më intereson se çfarë thonë mediat turke dhe pas këtij incidenti kam biseduar edhe me Erdoganin. Unë kam respektuar vetëm Kushtetutën dhe Ligjet e Republikës së Kosovës”, ka thënë Haradinaj.

Madje, ai e kishte përmendur edhe rastin e deportimit të shtetasve turq në Turqi nga Kosova, ku pas kësaj, Kryeministri kishte marrë vendim që ta shkarkonte ministrin e Brendshëm të atëhershëm, Flamur Sefaj. Në mars të këtij viti, kur edhe ndodhi ky rast, u shkarkuar edhe Drejtori i AKI’së, Driton Gashi.

“Ata që nuk e respektuan Kushtetutën e Kosovës dhe ligjet e Kosovës, dy nga kolegët e  mi – Drejtori i Shërbimit të Inteligjencës së Kosovës dhe Ministri i Brendshëm, u shkarkuan nga detyra. Ky ishte vendim i mirë dhe unë me këtë desha vetëm ta mbrojë Kushtetutën e Kosovës dhe të mos i nënshtrohesha asnjë presioni nga jashtë, madje nuk pranova asnjë presion as nga vendet mike. Dhe sa i përket sulmit mbi mua se nuk jam mysliman dhe se pi alkool – unë u them atyre njerëzve që sulmojnë mbi këto baza: Unë jam para se gjithash shqiptar. Identiteti im nuk është asnjë fe. Shqiptarët e lashtë kanë jetuar si krishterë. Unë nuk i kam borxh askujt për asgjë”, ka thënë Haradinaj.

Madje, kryeministri tregoi se edhe në xhami ka qenë për vizitë disa herë, por si jo besimtar, por si përfaqësues politik.

“Kam qenë në xhami, por jo për shkak të besimit. Shkoj atje për të vizituar imamët për Bajram, por jo si besimtar , por si përfaqësues politik”, ka thënë Kryeministri duke përsëritur tezën se shqiptarët ishin fetarë vetëm në Perandorinë Osmane, kur feja atëherë ishte e imponuar.

“Katër breza familjarë të mi ishin katolikë. Unë kam lindur si mysliman, por nuk e di pse jam mysliman”, citon media kroate të ketë thënë Haradinaj.

Ndër të tjera, ai tha se kurrë nuk e ka vizituar asnjë xhami që të kryej lutje dhe e vetmja gjë që ai lidhet me myslimanët edhe emri i tij.

“Haradinaj gjithmonë ka thënë se feja për shqiptarët ishte një vështrim në jetë vetëm gjatë sundimit otoman kur Kosova u qeveris nga osmanët, ish turqit. Dhe vetëm gjatë kësaj periudhe ata mbajtën besim të shkurtër, por kurrë feja nuk u bë përparësia ose gjëja kryesore në jetën e tyre”, shkruan media kroate.

Në fund të kësaj interviste, Haradinaj u pyet nëse do të kandidojë edhe për një mandat tjetër në Kryeministri.

“Kudo që ndërroj pozitë, nuk do të ikë askund. Nga këtu ku jam, ose do të dal në pension ose në varr”, tha kryeministri duke qeshur.

Në fund, siç edhe u premtoi Kryeministri Haradinaj ekipit kroat, u dha nga një gotë raki që ishte prodhim i Kosovës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat