"Haradinaj frikësohet se Thaçi do ta rrëzojë përmes deputetëve të PDK-së"

Aktuale

"Haradinaj frikësohet se Thaçi do ta rrëzojë përmes deputetëve të PDK-së"

Më: 29 tetor 2018 Në ora: 18:51
Ramush Haradinaj dhe Hashim Thaçi

Deputetja e Alternativës, Mimoza Kusari Lila, në një intervistë për media ka thënë se kryeministri Ramush Haradinaj i frikësohet nismës për rrëzimin e Qeverisë që mund ta ndërmarrë presidenti Hashim Thaçi, përmes deputetëve të Partisë Demokratike të Kosovës.

Në këtë intervistë, Kusari-Lila ka thënë se të gjithë partnerët e koalicionit qeverisës po kalkulojnë në pozita të veta, duke lënë anash interesin shtetëror të Kosovës.

“Të gjitha partitë po kalkulojnë në pozita të veta dhe në forcën eventuale të presidentit për prishjen e koalicionit, përmes deputetëve të PDK’së. Pozita ka forcë qeveritare ta ndal presidentin në dialog, por nuk e kanë bërë këtë. Nuk po mendojnë për fatin e Kosovës, por për të mirat që po ua sjell qeverisja. Partitë në pushtet po e trajtojnë si më të vlefshme qëndrimin në pozitë sesa mbrojtjen e interesit të Kosovës. Kryeministri nuk e ka forcën politike me ndërpre Thaçin, me gjasë e ka udhëzuar dikush që ta lë Thaçin të vazhdojë. Ai e do pozitën, andaj nuk i reagon Thaçit sepse e din që në momentin që ai do të kishte ndonjë kërcënim më serioz, presidenti do të mund t’i tërhiqte deputetët që e dëgjojnë atë për të humb besimin në Qeveri dhe për të shkuar në zgjedhje. Haradinaj zgjedh pozitën dhe pushtetit në dëm të shtetit”, ka thënë ajo.

Sipas Kusari-Lilës, deputetët e PDK’së e ndiejnë obligim dhe përgjegjësi që mos ta lënë presidentin vetëm në idenë e tij për ndryshimin e kufijve.

“Është absurde se si të gjitha partitë politike deklarohen se janë kundër ndryshimit të kufijve, përfshirë edhe PDK’në, por veprimet tregojnë të kundërtën. Pozita po refuzon pjesëmarrjen në seancën që opozita ia ndalon Thaçit që në Bruksel të flasë për kufijtë. Partia Demokratike natyrisht që e ndien obligimin dhe përgjegjësinë që mos ta lë presidentin Thaçi vetëm, se presidenti vetë ka marrë vendim të ngrisë këtë çështje në dialog”, ka deklaruar ajo tutje.

Për median, ajo deklaroi se është momenti final dhe kritik për partitë politike, që të arrijnë konsensus për platformën e dialogut.

“Aktualisht kemi një çakordim total të shtetit për një temë shumë të rëndësishme për të ardhmen e vendit. Është momenti final dhe kritik për partitë politike që të veprojnë për tema nacionale, që i tejkalojnë interesat partiake. Përgjegjësinë më të madhe e ka pozita, sepse faji i partnerëve të koalicionit Kosova ka ardhur në këtë gjendje. E kemi kryeministrin, i cili është tërhequr nga kryesimi i ekipit negociator, për çka ka qenë i mandatuar nga Kuvendi i Kosovës. Tema tjetër e cila e rëndon shumë këtë proces është hedhja në tavolinë e idesë së ndryshimit të kufijve apo shkëmbimit të territoreve që ka shkaktuar panik dhe shton tensione në spektrin e partive politike në Kosovë. Kuvendi duhet të ketë një rezolutë, e cila përcakton se kufijtë e Kosovës janë të paprekshëm dhe të miratohet një platformë për negociata, para se të miratohet ekipi negociator. E rëndësishme është te kemi udhëzim të mirëfilltë për negocim me Serbinë.

Ajo thotë se Thaçi me veprimet e tij në dialog ka treguar që më së shumti mendon për vete, e më së paku për Kosovën.

“Ai me dy këmbët ka shkel detyrën dhe institucionin që përfaqëson duke shkaktuar polarizim të skenës politike dhe duke shkelur Kushtetutën, e jo të krijojë unitet. Udhëheqësia e keqe na ka sjell deri këtu neve”, përfundoi ajo.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat