Ushtaraku i karrierës: Çka tregojnë veprimet luftënxitëse të Serbisë?

Aktuale

Ushtaraku i karrierës: Çka tregojnë veprimet luftënxitëse të Serbisë?

Nga: N. Sh Më: 30 tetor 2018 Në ora: 09:07
Ramadan Qehaja

Ushtaraku i karrierës, Ramadan Qehaja ka folur për veprimet luftënxitëse të Serbisë.

Ai thotë se Serbia e Aleksandër Vuçiqit nuk ka bërë asnjë hap në drejtime të demokratizimit të shoqërisë.

Qehaja përmend promovimin e ditarit luftërat të kriminelit të luftës gjeneralit Nebojsha Pavkoviç, i cili ka shpërfaq mburrjen e tij për organizimin e retishencës ndaj sulmeve të NATO-s, si dhe ka folur me krenari për krimet që i ka bërë ndaj shqiptarëve të Kosovës.

“Opinionit tonë i kujtohet edhe ligjërimi që bënë gjeneralët serb e që vazhdojnë të bëjnë në shkollat dhe akademitë ushtarake që ishin të dënuar për krime lufte në Kosovë”, shkruan eksperti i sigurisë, Ramadan Qehaja në Facebook, transmeton gazeta “Bota sot”.

Më poshtë ua sjellim shkrimin e plotë të ushtarakut të karrierës, Ramadan Qehajës:

Çka tregojnë veprimet luftënxitëse të Serbisë?

Ashtu siç është theksuar në shumë raste më herët, Serbia aktuale e Vuciqit, nuk e ka bërë asnjë hap në drejtim të demokratizimit të shoqërisë. Krahas shumë shembujve që tregojnë regres shoqëror në liritë më bazike siç janë mediat, shembulli më tipik i kultivimit të mëtejmë të qasjes agresive (luftarake) në veçanti ndaj Kosovës është edhe mundësia që jau dha Ministria e Mbrojtjes së Serbisë kriminelëve serb për të promovuar librat e tyre.

Këtu vlen të përmendet veçanërisht promovimi i ditarit luftarak të kriminelit të luftës, gjeneralit Nebojsha Pavkovic i cili shpërfaqi mburrjen e tij për organizimin e rezitencës ndaj sulmeve të NATO-s dhe foli me krenari për krimet që ka bërë ai dhe njësitet e tij ndaj popullit shqiptarë të Kosovës në vitet 1998/99. S’do mend se i dënuari si kriminel lufte në Kosovë me 22 vjet burgim nga Tribunali I Hagës, Gjenerali Pavkovic, edhe më tej promovon në esencë “nevojën” e luftës së vazhdueshme kundër popullit shqiptar. Ditari i tij i luftës përbën dëshmi për këtë.

Kujtoj se tentativat e BE-së për ta pranuar Serbinë në gjirin e saj nuk prodhuan dhe asnjëherë nuk do të prodhojnë distancim të saj nga e kaluara kriminale ndaj popullit shqiptar. Jo vetëm kaq. Opinionit tonë i kujtohet edhe ligjërimi që bënë gjeneralët serb e që vazhdojnë të bëjnë në shkollat dhe akademitë ushtarake që ishin të dënuar për krime lufte në Kosovë. Atëbotë përveç një kundërvënie diplomatike të një pjese të bashkësisë ndërkombëtare, nuk u vërejt ndonjë ndikim pozitiv për estabilishmentin aktual politik e ushtarak serb.

Nëse e bëjmë një vështrim, qoftë edhe sipërfaqësor të veprimeve të Beogradit zyrtar në dëm të shtet-ndërtimit të Kosovës dhe popullatës së saj atëherë nuk është e vështirë që të konkludohet se ajo nuk ka arritur që të dal nga e kaluara e saj e errët. Me fjalë të tjera, për vet faktin se nuk është ballafaquar asnjëherë me të kaluarën tani më rajoni po i vuan konsekuencat e rilindjes së nacionalizimit në Serbi. Deklarimet e kohë pas kohëshme të disa politikanëve tanë se Serbia për shkak të “orientimit” të saj pro Evropian më nuk paraqet rrezik për Kosovën dhe rajonin janë të pabaza. Nëse asgjë tjeter atëherë përdorimi i Ushtrisë Serbe për shkëputjen e veriut të Kosovës mund të jetë real aq më parë që në atë pjesë të territorit tanë nuk e kontrollojmë tërësisht.

Se fundi presidenti i Serbisë, Aleksander Vuçiq, në disa raste ka theksuar “ rrezikshmërinë” për Serbinë dhe rajonin nga mundesia e formimit te ushtrisë se Kosovës. Kjo në kontekst të arsyetimit të një gatishmërie të lartë luftarake të Serbisë për tu mbrojtur, siç e thonë ata hapur “nga terroristët shqiptar”.

Marre në tërësi, nuk po shihet në horizont ndonjë sinjal pozitiv nga Serbia zyrtare për normalizimin e marrëdhënieve në mes të dy shteteve.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat