Nëse Kuvendi nuk ndryshon projektligjin për pagat, duhet të kthehet në Qeveri

Aktuale

Nëse Kuvendi nuk ndryshon projektligjin për pagat, duhet të kthehet në Qeveri

Më: 30 tetor 2018 Në ora: 16:48
Stephanie Eble

Edhe pse Projektligji për paga në sektorin publik, i cili është pjesë e pakos së ligjeve për reformim të administratës publike ka kaluar në lexim të parë në Kuvend, sot përfaqësues të FMN-së kanë kërkuar që të rishqyrtohet ky projektligj në Qeveri.

Sepse, sipas tyre, përveç që ky projektligj ka kosto të lartë financiare, nuk e trajton edhe “Punë të barabartë për pagë të barabartë”.

Mirëpo, kryetari i Komisionit për Administratë Publike, Qeverisje Lokale dhe Media, Nait Hasani nuk ka dashur ta komentojë kërkesën e FMN-së për rishqyrtim.

Ndonëse, në Komisionin për Administratë Publike të udhëhequr nga kryetari Nait Hasani sot është mbajtur një dëgjim publik lidhur me tri Projektligjet që kanë të bëjnë me reformën në administratën publike: Projektligji për pagat në sektorin publik, Projektligji për zyrtarët publik, Projektligji për organizimin dhe funksionimin e administratës shtetërore dhe agjencive të pavarura.

Ndërsa, zëvendës kryetarja e Komisionit për Administratë Publike, Qeverisje Lokale dhe Media. Shqipe Pantina, ka thënë për KosovaPress se ky projektligj duhet të pësojë disa ndryshime përmbajtjesore në mënyrë që të ruhen parimet për pagë meritore “Pagë e njëjtë për punën e njëjtë”, por mbi të gjitha të kihet parasysh edhe qëndrueshmëria e buxhetore.

Pantina: Tabela për koeficientet nuk është në përputhje me përmbajtjen e ligjit

“Projektligji si i ti tillë ka jashtë zakonisht shumë probleme dhe ai duhet të shqyrtohet në detaje për të shmang anomalitë që i ka, sepse tabela që përcakton koeficientet dhe pagesat nuk është në përputhje me përmbajtjen e ligjit, i cili bënë vlerësimin e pozitave. Por edhe duhet të eliminohen dallimet  thella që ekzistojnë në mes pozitave politike dhe atyre profesionale. Brenda sektorëve të caktuar ka dallime të mëdha, e të cilat duhet të trajtohen”, ka thënë Pantina.  

Ajo ka shtuar se projektligji për paga ka shumë probleme, të cilat Komisioni do të duhej t’i trajtoj, sepse sipas saj, Kuvendi mundet t’i bëjë ndryshimet e nevojshme dhe do të duhej t’i bëjë këto ndryshime.

Në rast se jo, Pantina ka thënë se Qeveria do ta tërhiqte ligjin për ta rishikuar edhe një herë, por kjo do të nënkuptonte se Kosova nuk do të mund të ketë ligj për pagat të paktën edhe për gjashtë muajt e ardhshëm, ndoshta edhe më gjatë.

Pantina: Nëse nuk bëhen ndryshimet e projektligjit në kuvend, duhet t’i kthehet Qeverisë

“Unë mendoj se ka hapësirë gjatë procesit të amandamentimit të korrigjohen shumë gabime që janë bërë në atë projektligj. Dhe vetëm nëse nuk ka pajtueshmëri brenda subjekteve politike, atëherë ligji mund të mos kaloj. Vota jonë si PSD në leximin parë është e kushtëzuar. Pra, nëse nuk bëhen ndryshimet e kërkuara edhe nga ne, por edhe nga shumë akterë të tjerë që janë të shqetësuar sidomos me qëndrueshmërinë buxhetore, atëherë edhe vota jonë do të kenë kundër për projektligj”, theksoi Pantina.

Ndërsa, gjatë ditës FMN-ja ka kërkuar që projektligji për pagat të rishqyrtohet, sepse përveç që ka kosto të lartë, nuk trajton “Punë të barabartë për pagë të barabartë”.

Këtë kërkesë e ka bërë Udhëheqësja e Misionit të FMN-së për Kosovë, Stephanie Eble.

Eble: Projektligji për paga duhet të rishqyrtohet

“Për të mbajtur presionin e shpenzimeve sociale do të jetë thelbësore që të vazhdohet tutje me reforma e veteranëve të luftës dhe të frenohen skemat e reja, ato për shtesat e fëmijëve dhe të mësimdhënësve dhe të tjera, sepse ato minojnë drejtësinë e sistemin pensional dhe nuk janë të targetuara vetëm për të varfëritë. Çdo rritje e pensionit duhet të lidhet vetëm me pensionin bazë. Për sa i përket presionit në faturën e pagave, reforma e administratës publike duhet të përshtatet sipas rregullave të pagave dhe Projektligji për Pagat duhet të rishqyrtohet jo vetëm për shkak të kostos të madhe fiskale, por edhe për shkak të lejimeve të shumta edhe meqë nuk siguron “Pagë të barabartë – për punë të barabartë””, theksoi Eble.

Deputetët e Kuvendit të Kosovës më 25 tetor me 62 vota për, 2 abstenime dhe asnjë kundër kanë miratuar në parim Projektligjin për Pagat të Sektorit Publik.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat