Veseli: Kosova ka nevojë për ndërmarrës të rinj, jo për parazitë që ankohen

Aktuale

Veseli: Kosova ka nevojë për ndërmarrës të rinj, jo për parazitë që ankohen

Më: 30 tetor 2018 Në ora: 19:14
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, ka thënë në hapje të Konventës për zgjedhje të brendshme në Drenas, se Dekada e Re do të jetë mundësi dhe platformë e të gjithë qytetarëve për të kontribuar për vendin në të gjitha fushat.

Ai me këtë rast porositi se Kosova ka nevojë për zhvillime të hovshme për një jetë më të mirë për të gjithë qytetarët.

“Shteti jonë i pavarur, do të jetë më i fuqishëm dhe më i zhvilluar, më i integruar dhe adresë e qytetarëve të Kosovës me Dekadën e Re, sepse, kur PDK është mirë edhe Kosova është mirë”, tha kryetari Veseli duke shtuar se PDK nuk ka luftë me askënd, por synon që vlerat e secilit qytetar të jenë në shërbim të qytetarëve.

“Ne edhe kemi dallime me të tjerët, por nuk kemi arsye të fyejmë askënd, ne respektojmë shtetin dhe vlerat e shtetit që po forcojmë çdo ditë. Uniteti është forca jonë, zhvillimi ekonomik, iniciativa e lirë dhe prosperiteti i vendit nuk arrihet pa unitet. Ne me Dekadën e Re, do ta jetësojmë interesin e qytetarëve. Vendi ynë ka nevojë për ndërmarrësit e rinj, iniciativën e lirë, jo të rinj parazit që vetëm ankohen dhe mendojnë si të ikin nga përgjegjësia e zhvillimit të vendit të vet”, tha Veseli.

Ndërsa, kryetari i Degës së PDK-së në Drenas, Nexhat Demaku, ftoi qytetarët të jenë pjesë e procesit zgjedhor.

“Ne kemi nevojë për secilin qytetar, theksoi ai, duke vlerësuar angazhimin shumëvjeçar të aktivistëve që Drenasin e kanë fuqizuar si bastion të qëndrueshëm të PDK-së”, tha ai.

Ndërsa kryetari i komunës, njëherësh kryetar i Komisionit zgjedhor në degë, Ramiz Lladrovci, theksoi se zgjedhjet e brendshme në degën e PDK-së në Drenas janë fillim i fitores së re, duke shprehur unitetin partiak dhe unitet me qytetarin.

“Ne mund të jemi edhe më të fortë, edhe më të mirë. Dyer e dritare i kemi hap. Këtë do ta rikonfirmojmë me zgjedhjen e kandidatëve më të mirë, qytetarëve më të përkushtuar, më të aftë e më atdhetar, në radhët tona, me proces të rregullt, demokratik dhe transparent”, tha Lladrovci.

Ai me këtë rast u zotua se do të punojnë që Dega e PDK-së në Drenas të jetë e fortë, ‘sepse Drenica do të jetë më e fortë, sepse Kosova bëhet edhe më e fortë”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat