Prokurori i Gjykatës Speciale në Kosovë

Aktuale

Prokurori i Gjykatës Speciale në Kosovë

Më: 31 tetor 2018 Në ora: 00:07
Prokurori i Gjykatës Speciale për Kosovën, apo siç njihet me emrin zyrtar, "Prokurori i Specializuar”, Jack Smith

Prishtina i ka kërkuar prokurorit të Gjykatës Speciale Smith që qytetarët, të cilët potencialisht mund të jenë subjekt i gjykatës të trajtohen në përputhje me normat dhe standardet më të larta të të drejtave të njeriut.

Prokurori i Gjykatës Speciale për Kosovën, apo siç njihet me emrin zyrtar, "Prokurori i Specializuar”, Jack Smith, qëndroi në Kosovë  (30.10) për t'u takuar me krerët e organizatave ndërkombëtare, përfaqësuesit e shteteve anëtare të BE-së dhe me ministrin e Drejtësisë në qeverinë e Kosovës, Abelard Tahiri. Takimet u zhvilluan larg medieve, ndërsa, Prokurori Smith nuk bëri ndonjë deklaratë. Ministri i Drejtësisë Abelard Tahiri, pas takimit me prokuorin Smith, tha se ai i ka shprehur zotit Smith ”gatishmërinë e institucioneve të Republikës së Kosovës për të përmbushur të gjitha detyrimet e saj ndaj Dhomave të Specializuara, të cilat janë themeluar me ndryshimet kushtetuese dhe ligjore të miratuara nga Kuvendi i Republikës së Kosovës".

"Kam kërkuar nga Prokurori Smith që qytetarët që potencialisht mund të jenë subjekt i paraqitjes pranë këtyre Dhomave, të trajtohen në përputhje me normat dhe standardet më të larta të të drejtave të njeriut, dhe të bazuara në standardet më të avancuara juridike ndërkombëtare”, thuhet në një komunikatë për medie të Ministrisë së Drejtësisë'. Prokurori Smith, bëhët e ditur se në Prishtinë ka takuar edhe kryesuesin e Këshillit Gjyqësor, Nehat Idrizi, si dhe kryesuesin e Këshillit Prokurorial, të Kosovës, Blerim Isufaj.

Më herët gjatë ditës ishte vet zyra e prokurorit Smith që njoftoi për vizitën në Kosovë, të parën që nga emërimi i tij në këtë detyrë. Prokurori amerikan, Jack Smith, është emëruar kryeprokuror i Dhomave të Veçanta apo i Gjykatës së Posaçme për Krime Lufte në Kosovë, pas një procesi të përzgjedhjes, të organizuar nga Bashkimi Evropian, dhe ai ka nisur detyrën më 11 shtator. Jack Smith, zëvendësoi në këtë post një prokuror tjetër amerikan David Schvendiman, që u largua nga kjo detyrë në fund të muajit mars. Mandati i Gjykatës Speciale për Krime Lufte përkufizohet kryesisht në hetimet dhe gjykimet e rasteve të pretenduara të krimeve të luftës nga ana e disa ish-pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ndaj pjesëtarëve të komuniteteve pakicë dhe kundërshtarëve. Këto krime të dyshuara përfshijnë periudhën kohore nga viti 1998 e deri në fund të vitit 2000.

Në gusht të vitit 2015, Parlamenti i Kosovës me shumicë votash miratoi ligjin për themelimin e Gjykatës Speciale për Krime Lufte në Kosovë, e cila selinë e saj tashmë e ka më Hagë dhe në të do të punojnë tërësisht prokurorë dhe gjykatës ndërkombëtar. Ideja për themelimin e Gjykatës Speciale për krime lufte në Kosovë, doli pas një rezolute në Këshillin e Evropës që kërkonte hetime mbi supozimet e një senatori zviceran Dick Marty, i cili pretendonte se pjesëtarë të UÇK-së kanë kryer krime lufte dhe kanë trafikuar organeve të serbëve të vrarë gjatë luftës në Kosovë. Asnjë aktakuzë akoma nuk është ngritur mbi bazën e këtyre pretendimeve, ndërsa, hetime në shkallë të gjerë akoma apo vazhdojnë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat