Subjektet politike qëllimshëm po e bllokojnë reformën zgjedhore - Bota Sot
Subjektet politike qëllimshëm po e bllokojnë reformën zgjedhore

Aktuale

Subjektet politike qëllimshëm po e bllokojnë reformën zgjedhore

Më: 31 tetor 2018 Në ora: 10:09
Foto ilustrim

Reforma zgjedhore ka tetë vjet që zvarritet, shtyhet dhe që nuk bëhet dhe kjo bëhet qëllimshëm nga subjektet politike.

Kështu vlerësuan përfaqësues të shoqërisë civile në vend.

Rasim Alija nga D4D, tha se subjektet politike qëllimshëm e kanë stopuar reformën zgjedhore dhe vazhdojnë ta stopojnë.

“Në stabilitetin qeverisës e demokratik që e karakterizon Kosovën, mundësia që të shkohet në zgjedhje të jashtëzakonshme/parakohshme tashmë është bërë traditë. Reforma zgjedhore ka 8 vite që zvarritet, që shtyhet, që nuk bëhet. Ajo çfarë është praktikë e standardeve ndërkombëtare rreth ndryshimeve të legjislacionin që prek ndryshimin e sistemit zgjedhor, është që të paktën 6 muaj para datës së zgjedhjeve të mos ketë ndryshime ligjore. Ajo çfarë është regres për demokracinë në Kosovë është mungesa e vullnetit politik për ta shtyrë një reformë të mirëfilltë zgjedhore. Subjektet politike qëllimshëm e kanë stopuar reformën zgjedhore, dhe vazhdojnë ta stopojnë, duke e ri aktualizuar si temë sa herë që duan të kamuflojnë dështime tjera”, ka thënë ai.

Ai po ashtu tregoi se si subjektet politike mund të përgatisin dy skenarë për reformën zgjedhore dhe ndërlidhjen e reformës me zgjedhje të reja.

“Skenari i parë është që reforma zgjedhore e mirëfilltë të filloj që tash me një vullnet politik dhe qasje serioze, por që kjo reformë të mos vlejë për zgjedhjet e mundshme të përkohshme në rast që do të kishim të tilla. Sepse një reformë e mirëfilltë zgjedhore duhet dakordim më i madh i subjekteve politike, shterim i debateve, angazhim të shoqërisë civile dhe mbi të gjitha kohë të mjaftueshme që në rast ndryshimi të sistemit zgjedhor të jetë një kohë më e gjatë që qytetarët dhe subjektet politike të mund të dijnë mjaftueshëm për këto ndryshime dhe si pasojë të ambientohet me sistemin e ri zgjedhor, gjithmonë nëse do të kishim një reforme të tillë”, tha ai.

Alija e përmendi si të mundshëm edhe një skenar të dytë, atë të adresimit të çështjeve teknike që prekin procesin zgjedhor.

“Skenari i dytë është që reforma zgjedhore të adresojë vetëm çështjet teknike që prekin procesin zgjedhor, për të cilën duket që ka edhe vullnet politik të të gjitha subjekteve politike. Kjo reformë e cila adreson vetëm pjesët teknike do të mund të përfshinte, ndryshimin e dizajnit të fletëvotimeve që do të mund të ulnin votat e pavlefshme, heqjen e votës me kusht, përmirësimin dhe pastrimin e listës votuese, ndryshimin e mënyrës së informimit publik rreth procesit zgjedhor, rishikimin e mënyrës së votimit nga jashtë dhe me postë, që padyshim do ta përmirësonin procesin zgjedhor dhe njëkohësisht nuk do të prekej sistemi zgjedhor aktual për të cilin subjektet politike momentalisht nuk janë të interesuara që ta adresojnë si pjesë të reformës zgjedhore”, shpjegoi Alija.

Edhe hulumtuesi i lartë në KDI, Eugen Cakolli, theksoi se subjektet kryesore politike duhet të ulen dhe të merren vesh për përfundimin e këtij procesi.

Siç tha ai subjektet politike duhet të marrin praktikat më të mira të mundshme në lidhje me procesin e reformës zgjedhore dhe ky proces duhet të jetësohet sa më shpejt.

“Duke qenë se tani për tani, opozita nuk i ka numrat për rrëzimin e qeverisë, do të duhej që të gjitha subjektet kryesore politike të ulen dhe të merren vesh për përfundimin e këtij procesi, duke marrë praktikat më të mira të mundshme. Palët po ashtu do të duhej që të pajtohen që kjo çështje të inciohet sa më shpejtë, dhe të merren vesh që në rast të shkuarjes në zgjedhje, ato të zhvillohen nën parametrat e sistemit aktual”, potencoi Cakolli.

Ndërkaq, ai tha se një nga arsyet kryesore të mungesës së vullnetit politik është edhe ndarja e subjekteve politike sa i përket natyrës që duhet të ketë reforma.

“Derisa një pjesë e subjekteve kërkojnë që reforma të jetë teknike dhe sipërfaqësore, duke prekur vetëm një numër të kufizuar të elementeve, një pjesë tjetër e subjekteve, kryesisht të atyre në pushtet, kërkojnë që reforma të jetë substanciale, dhe të prekë elementet themelore të sistemit zgjedhor, si zonat, pragun, apo listat zgjedhore. Vlen të ceket që për disa nga këto ndryshime, nevojiten edhe ndryshime kushtetuese”, tha Cakolli.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...