Tahiri: Moshapja e urës së Ibrit, dështim i BE-së

Aktuale

Tahiri: Moshapja e urës së Ibrit, dështim i BE-së

Më: 31 tetor 2018 Në ora: 10:45
Edita Tahiri

Kryetari i Mitrovicës së Jugut, Agim Bahtiri, insiston se ura e Ibrit do të hapet shumë shpejt, ndonëse nuk përmend ndonjë datë se kur kjo do të ndodhë

Sipas Bahtirit, është homologu i tij nga veriu i Mitrovicës Goran Rakiq i cili po e vonon hapjen e urës. “Hapja e urës është në proces, garantoj që do të hapet, por nuk mund të jap datë as unë dhe askush tjetër, por ajo do të hapet shumë shpejt”, potencoi Bahtiri.

Ish-kryenogaciatorja e bisedimeve me Serbinë, Edita Tahiri, vonimin e procesit të hapjes së urës së Ibrit e quan dështim të Bashkimit Evropian. 

“Revitalizimi i urës dhe hapja e urës, që të dyja kanë qenë kompetencë e BE-së për shkak të ndjeshmërisë së temës dhe meqë nuk arriti ta hapë urën më datë siç e thoshte marrëveshja, për mendimin tim ky është dështim i BE-së”, ka thënë Tahiri, duke shtuar se hapja e urës është kompetencë nacionale dhe jo komunale, duke shtuar që edhe Qeveria aktuale ka dështuar në këtë pikë qysh në momentin kur kryeministri Haradinaj nuk e ka marrë përsipër detyrën e negociatorit me Serbinë. 

“Mendoj se Qeveria aktuale në raport me dialogun ka dështuar me faktin që vetë kryeministri ka thënë se nuk merret me dialog, ndërkohë që vetë Qeveria është bartëse e procesit të dialogut në bazë të autorizimit nga ana e Kuvendit. Ky është një dështim i plotë i kësaj Qeverie që të vazhdojë insistimet tona për urën aty ku i kemi lënë ne si Qeveri e kaluar”, ka thënë Edita Tahiri.

Tahiri ka thënë se gjatë kohës sa ajo ka udhëhequr bisedimet ka ushtruar presion të vazhdueshëm ndaj BE-së për revitalizimin dhe hapjen e urës së Ibrit, si dhe integrimin e kësaj pjese të veriut në sovranitetin e shtetit të Kosovës.

Media ka tentuar dje të marrë përgjigje edhe nga Zyra e BE-së në Prishtinë në lidhje me vonesat për hapjen e urës së Ibrit, por nuk ka marrë ndonjë përgjigje nga ata.

E njohësi i çështjeve të sigurisë, Avni Islami, nuk është optimist për hapjen e urës pa arritur normalizim të plotë të marrëdhënieve mes shtetit të Kosovës dhe atij të Serbisë.
“Çështja e urës së Ibrit është çështje politike mes Qeverisë së Kosovës dhe asaj të Serbisë, pa një vendim politik dhe pa një normalizim të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë ura e Ibrit edhe më tepër do të mbetet e mbyllur”, potencoi Islami.

Islami ka thënë se pala serbe çdoherë ka gjetur mënyra për ta penguar hapjen e urës, madje edhe duke shkaktuar incidente. “Shpeshherë ka pasur tendenca të kalohet mbi urë të Ibrit, të hapet për qarkullim, të ketë lëvizje të lirë, por strukturat e Serbisë në pjesën veriore të Mitrovicës kanë shkaktuar incidente të qëllimshme, qoftë ndonjë rrahje të të rinjve shqiptarë ose uljen e ndonjë granate dore në shtëpitë e shqiptarëve të Kosovës, kësisoj duke krijuar rrethana dhe duke gjetur shkak që ura e Ibrit të mos hapet”, shtoi Islami.

Përndryshe, Bashkimi Evropian kishte financuar me 1.2 milion euro projektin për revitalizimin e urës së Ibrit e që ishte planifikuar të përfundonte në qershor të 2016-ës, por punimet janë vonuar më shumë se dy vjet, kështu duke përfunduar në maj të këtij viti. Pavarësisht që këtë vit pati disa tentativa për ta hapur në qershor e pastaj në shtator, ura vazhdon të jetë e mbyllur.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat