Konjufca – Veselit: Thaçi ju mban në xhep

Aktuale

Konjufca – Veselit: Thaçi ju mban në xhep

Më: 31 tetor 2018 Në ora: 11:35
Glauk Konjufca

(E plotësuar) - Në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës, shefi i Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca, e ka akuzuar kryetarin e PDK-së dhe të Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, se presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, po e mban në xhep atë dhe pozitën.

Konjufca ia rikujtoi Veselit deklaratën e para pak ditësh, kur tha se ideja për shkëmbime territoriale vjen nga Serbia dhe Rusia.

“Para tri ditësh thatë që ideja për shkëmbime vjen prej Rusisë dhe Serbisë. Unë pajtohem me këtë. Nuk di ky a e ka dëgju, ama presidenti i vendit me të vërtetë ka thënë ashtu, që është për shkëmbim territoresh”, tha Konjufca.

Konjufca i tha Veselit se po qëndrojnë të bashkuar vetëm me deklarata, sepse kur është në pyetje kundërshtimi ndaj Thaçit, atëherë po shihet se kë e ka në xhep ai.

“Ne po qëndrojmë bashkë vetëm me deklarata, por kur po vjen koha me kundërshtu përnjëmend po shihet e vërteta. Po shihet se kë e ka presidenti në xhep. Krejt mazhorancën presidenti e ka në xhep. Për këtë arsye hajde ta miratojmë një rezolutë ku thuhet: presidenti Thaçi asnjë takim më me Serbinë dhe ai mos të marrë asnjë vendim për Kosovën”, tha ai.

Ndërsa, Veseli i tha Konjufcës se Thaçi nuk është më patriot se asnjëri nga deputetët, mirëpo do ta mbrojë Kosovën njësoj si të gjithë të tjerët, e për këtë ai tha se garanton me jetën e tij.

Konjufca propozon që Thaçit t’i ndalohet çdo takim me Serbinë

Shefi i Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca ka thënë se presidenti i Kosovës, ka hapur një problem të madh, atë të lëvizjes së kufijve. Me këtë gjë, Konjufca tha se është lëkundur edhe sistemi politik i Republikës së Kosovës dhe të rendit kushtetues.

Konjufca: Presidenti po sillet si monark absolut

“Shteti i Kosovës ka tri pushtete, nuk ka pushtet të katërt. Presidenti po sillet si pushtet i katërt. Por, jo vetëm që është dhe po sillet si njëri nga pushteteve aktualisht në Kosovë, por ai e ka keqkuptu mandatin e tij si president, po sillet si monark absolut”, tha Konjufca.

Dëmin më të madh gjatë mandatit të presidentit, Konjufca e ka vlerësuar, imponimin e terminologjisë së finales së dialogut. Sipas tij finalja me Serbinë ka përfunduar në vitin 2008 dhe se nuk ka finale tjetër.

Konjufca: Presidenti po e konteston shtetin e Kosovës

“Gabimi më i rëndë i një udhëheqësi që me gojën e vet e qet në pikëpyetje shtetin që e përfaqëson, atëherë kur i konteston kufijtë e vet. Kosovën e ka kontestu gjithmonë Serbia ajo dihet, me këtë jemi mësuar, ama për herë një President i Kosovës  i ka kontestu kufijtë e vet, kjo ja mundëson Serbisë që t’iu thotë faktorëve ndërkombëtarë, që për Kosovën dika nuk është në rregull dhe që dialogu po vazhdon, prandaj kjo me të vërtetë i ngadalëson edhe ju jep një goditje të pakthyeshme edhe procesit të njohjeve të Kosovës”, tha Konjufca.

Ai mes tjerash ka shtuar se presidentit Thaçi duhet t’i kufizohet çdo takim me Serbinë, vetëm atëherë është rezolutë e vërtetë. Sipas tij vetëm atëherë kur do të implementohet kjo pikë qytetarët do të jenë të qetë në lidhje me dialogun me Serbinë.

Konjufca: Ta miratojmë një rezolutë që Thaçit ia ndalon negociimin me Serbinë

Shefi i Grupit Parlamentar të Kuvendit të Kosovës Glauk Konjufca ka folur në Kuvendin e Kosovës lidhur me përpjekjet e presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, për të korrigjuar kufijtë me Serbinë, si rezultat i një përballjeje finale.

Ai ka thënë se Kuvendi i Kosovës duhet ta miratojë një rezolutë ku thuhet se “Hashim Thaçit i ndalohet të marrë pjesë në negociata me Serbinë”.

Konjufca ka thënë se presidenti Thaçi është duke shkelur rendin kushtetues të Republikës së Kosovës.

“Nuk është krejt problem te çështja se presidenti e ka hapë një temë të papranueshme. Problemi shkon përtej kësaj. Nuk është vetëm se presidenti e ka hapë një temë tronditëse, por këtu kemi të bëjmë me një shthurje të Republikës së Kosovës dhe rendit kushtetues. Me kushtetutë, Kosova i ka tri pushtete, por presidenti nuk është i katërti”, tha Konjufca.

Konjufca tha se Kosova e ka fituar betejën finale me Serbinë në vitin 2008 kur e ka shpallur pavarësinë. Sipas tij, kushdo që hapë edhe një finale tjetër me Serbinë, po i bën një favor asaj.

“Kosova ka fitu në vitin 2008 dhe Serbia është anku në Gjykatën Ndërkombëtarë të Drejtësisë. Gjykata i ka dhënë të drejtë gjykatës së Kosovës. Këtu ka përfundu finalja e Kosovës me Serbinë. Këtu ka përfundu ndeshja kryesore. Ai që thotë do ta luajmë edhe një finale dhe rezultati nuk dihet, dhe thotë nuk ka vija të kuqe, ia ka shkaktu dëmet më të mëdha Kosovës. E ai është presidenti. Presidenti mendon se gjithçka është e negociueshme. Gabimi më i madh i një udhëheqësi është kur me gojë të vet e konteston shtetësinë e vet. Ky është një favor tepër i madh për Serbinë”, tha Konjufca.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat