“Ti je një luledielli” bën me aparatura të reja Klinikën e Pediatrisë

Aktuale

“Ti je një luledielli” bën me aparatura të reja Klinikën e Pediatrisë

Më: 31 tetor 2018 Në ora: 15:30
Ramush Haradinaj

Fushata e bamirësisë “Ti je një luledielli” është përmbyllur sot, me ç’rast repartit të Hemato-Onkologjisë iu shtuan dhjetëra aparatura të reja, ndër to edhe aparati për matjet e metotretksatit në gjak.

Në përmbylljen e fushatës ishte i pranishëm edhe kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj, i cili tha se ishte skeptik kur ka filluar kjo fushatë, por tashmë është befasuar  për të mirë. Me këtë rast Haradinaj njoftoi është rritur buxhetin për shëndetësinë.

Haradinaj: E kemi rritur buxhetin e shëndetësisë për afro 80 milionë euro

“Ne e kemi rritur buxhetin për shëndetësi për afro 80 milionë euro, pra në Kosovë, që është diçka e jashtëzakonshme që nuk ka ndodhur në të kaluarën. Kemi vepruar në disa drejtime sa i përket çështjes së shëndetësisë, fokusimi është vërtet serioz, një zyrtar i lartë i partisë politike më të cilën jemi në koalicion, ka marrë përgjegjësi direkte, pra nuk mundemi me u fshehë kur është puna për t’i marrë meritat”, tha Haradinaj.

Ndërsa ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili, tha se nisma të tilla të bamirësisë po i inkurajojnë edhe udhëheqësit institucional.

Ministri Ismaili tha se ky donacion do ta rrisë cilësinë e shërbimeve mjekësore në Kosovë si dhe do t’i bëjë më të përgjegjshme institucionet dhe premtoi përkrahje edhe në projektet e tjera.

Ismaili: Ky donacion ka peshë reale

“Ky është një projekt i cili ka një peshë reale, është aparaturë e cila u nevojitet profesionistëve tanë shëndetësorë që të bëjnë një diagnostikim më të mirë, që të jenë në gjendje që të japin shërbime, sidomos në sëmundjen e leukemisë, të japin një diagnozë, ta dinë se me çka po përballen pacientët, pra është një donacion që ka vlerë reale dhe e ngritë cilësinë e shërbimeve mjekësore në Kosovë”, tha Ismaili.

Njëra nga udhëheqëset e kësaj fushate Anita Haradinaj, bashkëshortja e kryeministrit

përgëzoi të gjithë për punën dhe njëherësh inkurajoi të gjithë që të përkrahin nisma të tilla, duke u thënë të pranishmëve se ndryshimet nisin nga vetja.

Haradinaj: E kemi përmbyllur me sukses

“Më vjen shumë mirë që nuk kemi dështuar, e kemi përmbyllur me sukses, domethënë e kemi sjellë atë që e kemi premtuar. Kur kemi ardhur në fillim unë e Albana për t’u takuar me stafin mjekësor, jemi dukur paksa qesharake ndoshta, po ja që u bë realitet”, ka thënë Anita Haradinaj.

Ndërsa incizuesja e kësaj fushate  Albana Osmani , tha se pavarësisht kontributit të fondacionit, meritat më të mëdha i shkojnë stafit mjekësor, të cilët i quajti heronj.

Osmani: Mjekët e infermierët janë heronjtë e vërtetë

“Ne kemi bërë një fushatë humanitare nga zemra dhe është shumë e vogël krahasimisht me çfarë iu duhet këtyre fëmijëve, por më lejoni të them që këta mjekë, këto infermiere në turne orë e pa orë janë heronjtë e vërtetë të këtyre fëmijëve, ndaj faleminderit me mirënjohje, me përulje nga zemra”, ka thënë Osmani.

Drejtoresha e Klinikës së Pediatrisë, Drita Telaku –Qosja  tha se ardhja e këtyre aparaturave në klinikë do ta përmirësojë kualitetin e punës së mjekëve dhe shërbimeve më cilësore.

Telaku - Qosja: Këta fëmijë do të kenë një shërim të mirëfilltë

“Fati i një fëmije që të vuajë nga një sëmundje e rëndë nuk do të thotë që ta ketë edhe fatin e keq edhe në ofrimin e shërbimeve shëndetësore. Me kontributin tuaj ju keni ndihmuar që këta fëmijë të kenë një shërim të mirëfilltë dhe të dinjitetshëm”,  tha Talaku-Qosja.

Drejtori i SHSKUK-së, Basri Sejdiu, këtë fushatë bamirësie e quajti një aktivitet shumë të qëlluar dhe premtoi se do ta ndryshojnë shëndetësinë në të mirë të pacientëve.

Ndërsa drejtoresha e repartit të Onko-Hematologjisë, Violeta Grajçevci- Uka, tha se ky donacion përveç tjerash ka bërë që shumë fëmijë të mos kenë nevojë të kërkojnë shërim jashtë vendit.

I pranishëm ishte edhe futbollisti Lorik Cana, njëherësh themelues i fondacionit “Pesë”, i cili u zotua se do të vazhdojë të përkrahë nisma të tilla që kanë në fokus mirëqenien e fëmijëve.

Në fund folën edhe dy vajza të cilat ishin të shtrira në këtë klinikë. R.M. dhe F.K. ndanë eksperiencat pozitive gjatë mjekimit të tyre në përmbyllje të fushatës.

Pas përmbylljes së fjalimeve, kryeministri, ministri dhe donatorët e tjerë të pranishëm vizituan fëmijët e shtrirë në këtë repart.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat