Shumë polemika e pak pajtim rreth rezolutës për dialogun

Aktuale

Shumë polemika e pak pajtim rreth rezolutës për dialogun

Më: 31 tetor 2018 Në ora: 18:31
Kuvendi i Kosovës

Kuvendi i Kosovës ka filluar me seancën e jashtëzakonshme në lidhje? me dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Për mbajtjen e seancës u vendos në Kryesinë e Kuvendit pas kërkesës Lidhjes Demokratike të Kosovës, të mbështetur nga 42 deputetë.

Në emër të LDK-së, parti kjo që ka kërkuar këtë debat, shefi i Grupit Parlamentar, Avdullah Hoti kërkoi mbështetjen e deputetëve për të miratuar një rezolutë me të cilën presidentit Hashim Thaçi do t’i pamundësohej të negociojë me Serbinë çështjen e kufirit të Kosovës.

Ai tha se qasja e presidentit që në negociata me Serbinë të diskutohet çështja e kufirit, është jokushtetuese dhe e dëmshme.

Hoti tha se presidenti Thaçi është duke mashtruar kur thotë se ka mbështetje ndërkombëtare për idenë e korrigjimit të kufijve. Ai e ka quajtur korrigjimin e kufjeve ide të Beogradit dhe Moskës për të penguar zhvillimin dhe fuqizimin e subjektivitetit të shtetit të Kosovës.

“Dëmet tani janë bërë për këto veprime të presidentit. E para, është krijuar pasiguri e madhe qytetare, ekonomike dhe sociale si asnjëherë më parë. Vlerësimet tregojnë se pakënaqësia e qytetarëve ka arritur nivelin rekord, me mbi 80 për qind të qytetarëve që janë të pakënaqur me rrjedhat politike në Kosovë. E dyta, janë stopuar të gjitha aktivitetet e diplomacisë të Kosovës dhe të shteteve mike për konsolidimin e shtetësisë së Kosovës në arenën ndërkombëtare. Është e qartë se këto veprime të presidentit janë anti-kushtetuese”, tha Hoti.

Sipas Hotit, rishikimi i kufjeve të Kosovës, nënkupton ribërjen e shtetit të Kosovës.

LDK propozoi që dialogu me Serbinë të vazhdojë pas shpalljes së zgjedhjeve të parakohshme dhe pas formimit të institucioneve të reja të Kosovës.

Ndërkohë, shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniq, tha se kjo parti politike e përkrahë dialogun mes Kosovës dhe Serbisë duke thënë se duhet konsensus politik për të përfunduar këtë proces.

“Ne jemi pro dialogut, si mënyra më e mirë për arritjen e qëllimeve tona si shtet, por në asnjë mënyrë nuk do të lejohet cenimi i sovranitetit dhe i shtetësisë së Kosovës, i integritetit territorial të shtetit tonë, i funksionimit unitar të shtetit dhe të kushtetutës së Republikës së Kosovës. Po ashtu çfarëdo marrëveshje që do të mund të arrihet me Serbinë, nuk mund të jetë e vlefshme pa u ratifikuar me votat e dy të tretave të deputetëve të Kuvendit”, tha Krasniqi.

Krasniqi tha se janë vetëm spekulime ato që thuhen sa i takon ndarjes apo ndryshimit të kufijve.

Korrigjimin e kufirit, Krasniqi e quajti ide të rrezikshme dhe tha se do ta dëmtojë Kosovën në procesin e bisedimeve duke krijuar argumente pikërisht në favor të oponentëve që janë kundër Kosovës dhe që dëshirojnë ndarjen e vendit.

Në emër të koalicionit qeverisës, Memli Krasniqi ka dhënë disa propozime të cilat, sipas tij, duhet të jenë baza e çfarëdo rezolute që do të nxjerrë Kuvendi pas debatit të sotëm. Në mesin e pikave është mbështetja e procesit të dialogut me rezultat final, njohjen reciproke.

Ndërkaq, shefi i grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosjes, Glauk Konjufca tha se me çdo kusht duhet që presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi t’i kufizohen temat për të cilat ai mund të bisedojë në Bruksel.

Konjufca ka propozuar që në rezolutën e propozuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës të përfshihet edhe një pikë përmes së cilës presidentit Thaçi i ndalohet që të takohet me përfaqësuesit politik nga Serbia dhe t’i ndalohet që të marrë vendime në emër të Kosovës.

“Për herë të parë një president i ka kontestua kufijtë e vet. Kjo ja mundëson Serbisë që t'u thotë faktorëve ndërkombëtarë që për Kosovën diçka nuk është në rregull dhe që dialogu po vazhdon, prandaj kjo me të vërtetë i ngadalëson dhe i jep një goditje të pakthyeshme edhe procesit të njohjeve të Kosovës, sepse nëse krejt njohjet kanë ndodhur për shkak se Kosova po e kompleton shtetin e vet, tash për një moment edhe drejtimi politik i temave ndërron të cilat ne i flasim në Kosovë. Kjo është një favor i jashtëzakonshëm për Serbinë”, tha Konjufca.

Ai tha se hapja e çështjes së kufijve përpos problemeve politike që i ka shkaktuar, shkakton edhe dëme ekonomike, pasi asnjë investitor nuk dëshiron të shkojë në një vend ku ende diskutohet për kufij.

Ndërkohë, kryetari i Kuvendit, Kadri Vesli kërkoi që të gjitha subjektet politike së bashku të ulën dhe të krijojnë një rezolutë, platformë për dialog.

Veseli u shpreh se nëse arrihet një konsensus dhe subjektet politike ulën së bashku për të dalë me një qëndrim të përbashkët, atëherë sipas tij, edhe presidenti Hashim Thaçi do të respektojë çdo pikë të rezolutës që do të mund të votohej për dialogun me Serbinë.

“Ejani ulemi bashkërisht edhe njëherë. Ndahen grupet parlamentare, ulën, e konsumojmë debatin, krejt deputetët flasin, deri në fund për mos i me i mbetur borxh askujt, por ajo çka është kryesore, një marrëveshje duhet ta kemi sot. T’i dërgojmë një mesazh një të riu në Kosovë, një ndërmarrësi në Kosovë, një partneri të Kosovës se Kosova e ka një qëndrim”, tha kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli.

Në seancën ku po diskutohet për dialogun mes Prishtinës dhe Beogradit, kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka ftuar për kompromis. Haradinaj tha se Kuvendi është institucioni përmes së cilit kalojnë marrëveshjet ndërkombëtare.

“Njëra prej temave që kemi nevojë të gjejmë momentin për të thënë atë që mendojmë të gjithë bashkë është çështja e dialogut me Serbinë. Po ashtu nuk ka dilemë që Kuvendi i Kosovës është autoriteti suprem, pa të cilin asnjë marrëveshje ndërkombëtare nuk mund të jetësohet. Këtë duhet ta dimë të gjithë”, tha Haradinaj.

Zëvendëskryeministri Fatmir Limaj, i cili është emëruar nga Qeveria për të udhëhequr ekipin negociator të Kosovës, ka thënë se kërkesa e ekzekutivit për t’u bërë bashkë, nga opozita duhet të shihet si nivel i ngritur i përgjegjësisë.

“Qeveria e Kosovës nuk ka nevojë që të vijë dhe të lusë Kuvendin për të zhvilluar negociata. Por, kjo çfarë ne po bëjmë sot, po duam një format tjetër, që të jemi të përgjegjshëm, sepse nuk ka pasur nevojë që të vijmë këtu për të kërkuar as votë as asgjë për të zhvilluar negociata sikur që ka ndodhur në të kaluarën, por rezultatet i kemi keq. Qeveria e përgjegjshme e Kosovës, po dëshiron, ka dëshirë, duhet që Parlamenti i Kosovës, të gjitha grupet, të jemi bashkë dhe ky proces të jetë edhe transparent edhe i përgjegjshëm dhe në fund me rezultat pozitiv”, theksoi Limaj.

Deputeti i AAK-së, Daut Haradinaj, u ka bërë thirrje partive opozitare dhe atyre në pushtet që të angazhohen në gjetjen e një forme të përbashkët për harmonizuar një rezolute.

“Në rast se këto tri i shkrijmë në një, atëherë unë jam i sigurt që del një e gjetur e mirë dhe i japim mandat ekipit tonë negociues, po ashtu i dërgojmë edhe përfaqësuesit nga partitë e tjera opozitare dhe të shkojmë si njerëz, sikur e patëm te ushtria unitetin e përbashkët, ta kemi edhe në dialog me Serbinë. Ata zotërinjtë janë duke ecur me të madhe në avans para Kosovës. Kurse Kosova nuk është duke avancuar në çka i kërkohet”, tha Haradinaj.

Ndërkaq, deputeti i PSD-së, Dardan Molliqaj tha se Kosovës aktualisht nuk i duhet rezolutë, por platformë për bisedimeve. Molliqaj ishte kritik si ndaj opozitës ashtu edhe ndaj Qeverisë.

“Kosova nuk ka më nevojë për rezolutë, sepse siç po e shihni, asnjë nga rezolutat nuk po dallon, as e opozitës as e pushtetit e as e opozitës. Kosova sot ka nevojë që të mbërrijë dhe të ndërtojë platformë për dialogun. Pse nuk po ndodh kjo? Sepse opozita po thotë meqenëse Qeveria nuk i ka votat për dialog, ne duam zgjedhje legjitime. Pse po i dëshiron zgjedhjet? Për të shkuar në pushtet. Prapë legjitime. Pse s’po i dëshiron Qeveria ose pushteti zgjedhjet? Prapë për të qëndruar në pushtet. Edhe kjo legjitime. Por, në anën tjetër duhet thënë sot se dikush dëshiron zgjedhje para dialogut e dikush dëshiron zgjedhje pas dialogut e mundësisht deri në fund të mandatit”, tha Molliqaj.

Molliqaj tha se rezoluta e propozuar nga LDK-ja dhe Vetëvendosje nuk do të ketë asnjë lloj efekti politik.

Mbajtja e një seance me të njëjtën kërkesë ishte provuar edhe javë më parë, por kishte qenë e pamundur për shkak të mungesës së kuorumit.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka deklaruar kohë me parë se në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, ai do të paraqesë idenë e tij, siç e quan ai, të “korrigjimit të kufirit”. Sipas presidentit Thaçi, kjo ide nënkupton bashkëngjitjen e Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit me Republikën e Kosovës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat