Murati: Thirrja për të ruajtur parimet e Pakos së Ahtisaarit është absurde

Aktuale

Murati: Thirrja për të ruajtur parimet e Pakos së Ahtisaarit është absurde

Më: 31 tetor 2018 Në ora: 19:42
Valon Murati

Kryetari i Lëvizjes për Bashkim, Valon Murati ka deklaruar se thirrja për të ruajtur parimet e Pakos së Ahtisaarit është absurd, ndërsa ka vlerësuar se “është e vërtetë se ky dokument që është jetësuar edhe në Kushtetutë, ka ardhur në pako me pavarësinë, por gjithashtu është e vërtetë se ai nuk është më i rëndësishëm se pavarësia”.

Postimi I Muratit në Facebook:

Thirrja për të ruajtur parimet e Pakos së Ahtisaarit është absurde

Është e vërtetë se ky dokument që është jetësuar edhe në Kushtetutë ka ardhur në pako me pavarësinë, por gjithashtu është e vërtetë se ai nuk është më i rëndësishëm se pavarësia. Për më tepër, dokumenti i Ahtisaarit dhe parimet e saj, ishin një kompromis i rëndë për të realizuar pavarësinë. E ky kompromis, do të thotë se ne e kemi shpallur pavarësinë, por së brendshmi Kosovën e kemi bërë jo-funksionale përmes privilegjeve të jashtëzakonshme bllokuese që ka pakica serbe. Në anën tjetër thirrja në mos-ndryshim të kufijve do të thotë gjithashtu injorim përfundimtar i pozitës së shqiptarëve të Kosovën Lindore. Politika jonë, do të duhej jo të përqendrohej në betejën e brendshme politike se kush është më shumë për ruajtjen e pakos së Ahtisaarit dhe parimeve të saj të mosndryshimit të kufijve përmes rezolutave të Kuvendit të Kosovës (e çuditshme kjo sidomos kur vjen prej atyre që kinse janë për bas hkim kombëtar), por të shfrytëzojë situatën që përmes një konsensusi politik, të shfrytëzojë rrethanat ndërkombëtare, që guximshëm të hap çështjen e Kosovës Lindore, dhe të kërkojë zbatimin e reciprocitetit me tri komunat e veriut të Kosovës. Nëse kjo çon në ridefinim të kufijve, aq më mirë. Kosova e heq qafe Pakon e Ahtisaarit, i inkorporon pjesët shqiptare të Kosovës Lindore si dhe u jep të drejtë pjesëve serbe të tri komunave veriore të deklarohen për bashkim me Serbinë. Një situatë e tillë jo që dëmton Kosovën, por është shpëtimi i saj. Varianti që të vazhdohet me këtë status quo, është heqje e përgjegjësive vetanake, mungesë guximi e vizioni dhe lënie për një gjeneratë tjetër realizimi i një procesi të pakthyeshëm tani më. Vetëm se ne do të jemi në pozita më të rënda atëherë: rrezikojmë të humbin edhe pjesën veriore të qytetit të Mitrovicës si dhe shumicën e Kosovës Lindore për shkak të shpop ullimit të saj. Të tjerat janë fatkeqësisht pjesë e një loje politike të luajtur dobët nga të gjithë lojtarët e saj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat