Vllasi: Rezoluta nuk do ta lejonte Thaçin të rrëshqasë në terren të palejueshëm karshi Serbisë

Aktuale

Vllasi: Rezoluta nuk do ta lejonte Thaçin të rrëshqasë në terren të palejueshëm karshi Serbisë

Më: 1 nëntor 2018 Në ora: 18:56
Azem Vllasi

Rezolutat dhe platformat për fazën e ardhshme të bisedimeve me Serbinë, janë propozuar dhe po propozohen nga të gjitha partitë parlamentare, si ato në pushtet ashtu edhe ato në opozitë. Por, deri më tani, asnjë prej propozimeve nuk ka marrë miratimin e Kuvendit, për shkak të mungesës së konsensusit dhe unitetit politik.

Njohësi i çështjeve politike në vend, Azem Vllasi thotë se mos aprovimi i Rezolutës për dialogun me Serbinë, nga ana e grupeve parlamentare flet për joseriozitetin e parlamentit.

Sipas tij, presidentit të vendit Hashim Thaçi nuk është se i konvenon aprovimi i kësaj rezoluta pasi që vetëm kështu ai do të vazhdonte dialogun siç e ka nisur.

“Mungesa e kësaj rezolute, presidentit Hashim Thaçi i jep mundësi që të vazhdojë dialogun qysh e ka nis, dhe sot ai me mjeshtëri i luti deputetët duke u bërë thirrje që është mirë ta aprovojnë një rezolute e të sigurojë një konsensus me plot kujdes, a në të vërtetë ajo si konvenon fare atij ajo rezolutë, atij i konvenon mungesa e rezolutës.”, ka theksuar Vllasi në një bisedë për mediat vendore.

Vllasi konsideron se sot gjatë seancës është treguar joseriozitet nga të dyja anët,  si pozitë ashtu edhe opozitë.

Sipas tij, është shumë me rëndësi që të aprovohet kjo rezolutë pasi që do t’i ndihmonte Kosovës që në dialog me Serbinë mos të rrëshqasë në terren të palejueshëm.

“Nga të dyja palët është treguar një joseriozitet, është një papergjegjësi, një kryeneqësi politike e cila nuk i ka në rend të parë interesat e shtetit por inatet personale.  Ata që janë më të mençur lëshojnë pak pe. Është shumë me rëndësi që të aprovohet një rezolutë pasi që ta siguronte vendin që mos të rrëshqasë në dialog me Serbinë, do t’i ndihmonte shumë edhe presidentit Thaçi që edhe ai mos të rrëshqasë në terren të palejueshëm por në interes të shtetit t’i përmbahet kornizave të cilat ja cakton parlamenti  në atë rezolutë.”, ka shtuar tutje ai. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat