Kusari-Lila tregon se çfarë thanë diplomatët e huaj për shkëmbimin e territoreve

Aktuale

Kusari-Lila tregon se çfarë thanë diplomatët e huaj për shkëmbimin e territoreve

Më: 1 nëntor 2018 Në ora: 19:07
Kryetarja e Alternativës, Mimoza Kusari-Lila

Kryetarja e Alternativës, Mimoza Kusari-Lila, ka treguar pse ajo e sheh si ide të keqe propozimin e presidentit të vendit Hashim Thaçi për bashkëngjitjen e Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit me Kosovën.

“Presidenti e ka zgjedhur Luginën që të shtyjë dhe pastaj në momentin kur do të arrihet një marrëveshje që do ta copëtojë Luginën, në kuptimin që do ta ndajë, një pjesë të Luginës vetëm për Kosovën, pjesa tjetër prapë të mbetet me Serbinë atëherë thotë se ne bëmë përpjekje por kaq arritëm”.

“Është ide e keqe për arsye se bazën e ka në vija etnike. Ndarjet etnike të formës së tillë kanë sjellë vetëm konflikte dhe tash pas 20 viteve, gjithë ato përpjekje, gjithë ai mund dhe ato investime që janë bërë në Kosovë nga bota demokratike të bien në ujë dhe të themi se provuam por nuk bëmë zgjidhje, tash e bëjmë ndarjen në vija etnike”.

“Çfarë do të ndodhë me serbët në Graçanicë? Çfarë do të ndodhë me shqiptarët në pjesën tjetër të Luginës?”.

Kusari-Lila ka treguar në Info Magazine se çfarë kanë thënë diplomatët e huaj lidhur me temën e korrigjimit të kufijve.

“Ne na kanë thënë muaj më parë, diplomatë të huaj se diskutimi për territor është hapur. Në këtë diskutim për territor janë disa fshatra të komunës së Preshëvës, një ose dy fshatra të Bujanocit, por pa Bujanoc, Medvegjë dhe Preshevë si komuna. Ato mbesin në Serbi për shkak se kanë popullatë të përzier”.

“Gjithashtu pa qasje në autostradë në afërsi të Preshëves dhe pa qasje në resurset tjera që ka investuar Serbia, qoftë në aspektin ushtarak ose strategjik në këtë pjesë”.

Kusari-Lila ka thënë po ashtu se burimet e saj që ajo i ka cilësuar shumë të besueshme kanë deklaruar se ky shkëmbim i disa fshatrave të Preshevës dhe Bujanocit do të bëhet në këmbim të tri komunave në veri të Kosovës.

“Edhe në aspektin e kilometrave katrorë, Kosova prapë humb më shumë – me protektorat ose menaxhim të veçantë të Liqenit të Ujmanit dhe me administrim të veçantë të Trepçës”.

“Kush me mendje të shëndoshë mund të mendojë se kjo mund të sjellë paqe dhe zgjidhje të konfliktit shumëvjeçar të konfliktit mes Kosovës dhe Serbisë?”.

“Në momentin kur krijon raste të reja të lëvizjes ose migrimit të popullatës shqiptare nga veriu i Kosovës për në pjesën tjetër, ata shqiptarë që kanë mbetur dhe që 20 vjet torturohen fizikisht dhe psiqikisht çdo ditë”.

“Për ata shqiptarë që janë në Luginën e Preshevës dhe mbesin në Serbi, mendoni se Serbia do t’i mbajë dhe i do atje. Do të fillojë gradualisht pastrimi etnik i trojeve që mbesin në Republikën e Kosovës”.

Madje, kryetarja e Alternativës, ka thënë se në rast se ndodhë një ndryshim i kufijve, kjo do të ketë një efekt domino në shtetet tjera.

“Kush do që mendon se kjo nuk mund të ketë efekt domino në shtetet tjera, gabohet. Kemi dëgjuar edhe variantin se kjo është marrëveshje që është ekskluzivisht e pranuar për Kosovën dhe Serbinë dhe se nuk do te këtë asnjë efekt te shtetet tjera, gabim shumë i madh prapë”.

“Kush i garanton shqptarët në Mal të Zi dhe Maqedoni se nuk do të fillojnë të mendojnë se do të jenë pjesë e një bashkimi më të madh me Kosovën, ose edhe me Shqipërinë dikur më vonë?”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat