Rikthimi i raportimeve në OKB, si Kosova edhe Serbia ndihen fituese

Aktuale

Rikthimi i raportimeve në OKB, si Kosova edhe Serbia ndihen fituese

Më: 2 nëntor 2018 Në ora: 10:51
OKB

Derisa përfaqësuesit e Qeverisë së Serbisë e konsiderojnë si sukses rikthimin e raportimit të UNMIK-ut në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, shefja e misionit të Konsullatës së Përgjithshme të Kosovës në New York, Teuta Sahatqija, e ka konsideruar si fitore thyerjen e rregullit të raportimit 3 mujor në raportim 6 mujor.

Sahatqija ka shkruar në Facebook se Këshilli i Sigurimit te KB nën kryesimin e Kinës e futë përsëri Raportimin e UNMIK’ut në rend dite.

Seanca e radhës do të mbahet me 14 nëntor në mëngjes.

“Ajo që është me rendësi është se për herë të parë u thye rregulli 3 mujor i raportimit dhe tashmë kaluan 6 muaj nga raportimi i fundit në maj. Britania e para e bëri këtë hap në gusht të cilin e vazhdoi SHBA në shtator dhe Bolivia në tetor, të cilet nuk e futën në rend dite gjatë kryesimeve respektive. Ambasadorja e SHBA në KB, Nikki Haley shkroi letër Sekretarit të Përgjithshëm, Guteres për nevojën e ndryshimit të qasjes dhe rishikimit strategjik të këtij misioni anakronik. Kjo qasje është prezente qe shumë kohë te anëtarët e KS të KB të cilat kërkojnë një rishikim strategjik të misionit. Pikërisht ndryshimi i frekuences nga 3 ne 6 muaj është fitore dhe mesazh për vazhdim në këtë mënyrë. Për këtë falënderojmë Britaninë, SHBA dhe shtete mike për pune e përkushtim të vazhdueshëm deri në arritjen e kësaj fitoreje dhe për mbështetjen e vazhdueshme. Ndryshimet tjera pritet të vijnë me kohe sikur ulja e prezencës, buxhetit, frekuenca dhe mënyra e raportimit deri në ndryshimin e misionit të UNMIK’ut nga mision "paqeruajtës" dhe "administrues" në mision politik të KB”, ka shkruar ajo në Facebook.

Kurse, ministri i Punëve të Jashtme i Serbisë, Ivica Daçiq i ka thënë mediave serbe se programi i punës së KS të OKB-së për nëntor u miratua dhe seanca mbi Kosovën u kthye përsëri në agjendë dhe u caktua për 14 nëntor.

Ai shpjegoi se disa vende kërkuan që Kosova të mos jetë në agjendën e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, por nuk kërkuan votim për të, por vendimin ia lanë kryesuesit.   

"Dua të falënderoj Kinën për mbështetjen jashtëzakonisht të rëndësishme që Kosova do të jetë përsëri në agjendën e OKB-së, si dhe Rusinë dhe anëtarët e tjerë të OKB-së që e mbështesin propozimin", tha Daçiq.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat