Çohu: KEK-u si shpenzuesi më i madh i parave publike duhet të auditohet

Aktuale

Çohu: KEK-u si shpenzuesi më i madh i parave publike duhet të auditohet

Më: 2 nëntor 2018 Në ora: 12:39
Pamje nga tryeza

Korporata Energjetike e Kosovës, është ndërmarrja me më së shumti shpenzime të parasë publike përmes tenderëve, por ende vazhdon të mos auditohet nga Zyra Kombëtare e Auditimit.

Kështu është thënë në konferencës e organizuar nga organizata Çohu dhe Qendra Kosovare për Gazetari Hulumtuese-Preportr, ku është prezantuar hulumtimi mbi prokurimin  publik në KEK.

Ky hulumtim ka paraqitur edhe atë se shumë kompani të cilat janë penalizuar ndër vite për mosrespektim të kontratës vazhdojnë të fitojnë miliona euro përmes tenderëve.

Të dhënat e raportit janë prezantuar nga Leonida Molliqaj, e cila është shprehur se duhet të ketë një kontroll ndaj KEK-ut mbi shpenzimet e parasë publike.

Një nismë e mirë sipas saj, do të ishte që KEK-u të jetë pjesë e planit vjetor të ZKA-së për auditim.

Molliqaj: KEK pavarësisht që është shpenzuesi më i madh i parave publike nuk auditohet

“Sipas të gjeturave tona vetëm gjatë viteve 2007-2017 KEK-u ka pasur mbi 10 mijë aktivitete të prokurimit publik, e cila kap vlerën mbi 1.3 miliardë euro. Një fakt shqetësues mbi këtë Korporatë është sepse pavarësisht që shpenzuesi më i madh i parave publike përmes tenderëve vazhdon të mos auditohet nga ZKA-ja. Gjatë gjithë kësaj periudhe KEK-u ka dhënë afër 955 tenderë me vlerë të madhe prej 752 milionë euro. Përfitues të këtyre tenderëve janë diku rreth 300 kompani vendore e ndërkombëtare”, tha Molliqaj.

Këto kompani, sipas saj shumë raste tenderët i kanë fituar në konzorcium me njëra tjetrën.

Molliqaj ka treguar edhe atë se shumë kompani nga KEK-u janë penalizuar për mosrespektim të kontratave, por që përsëri kanë marrë tenderë në këtë institucion.

Molliqaj: Shumë kompani që janë penalizuar kanë marrë përsëri tenderë

“Sipas të gjeturave tona vetëm gjatë viteve 2010-2017 KEK-u ka penalizuar 163 kompani për mos zbatim të kontratave në 707 raste, të cilat janë në vlerë prej 1.7 milionë euro...’Preportr’ të njëjtën listë të penalizimeve e ka krahasuar me listën e përfituesve të tenderëve publik në këtë institucion dhe gjetjet tona tregojnë se janë afër 60 kompani nga 163 të penalizuara, të cilat janë me vlerë të madhe, kanë fituar afër 642 tender gjatë viteve 2008-2017 në vlerë mbi 368 milionë euro. Pra, është një fakt shumë shqetësues të njëjtat kompani të cilat janë penalizuar për shkelje dhe mos respektim të kontratave ndër vite me radhë, të njëjtat kanë fituar prapë tender në këtë institucion”, tha Molliqaj.

Molliqaj ka thënë se KEK-u është institucioni publik ndaj të cilit parashtrohen më së shumti ankesa nga operatorët ekonomik lidhur me shkeljen e Ligjit të Prokurimit, në anën tjetër, sipas saj, vet kjo ndërmarrje disa herë nuk i ka respektuar vendimet e OSHP-së.

Molliqaj: Operatorët ekonomik kanë ushtruar afër 381 ankesa në OSHP

“Është institucioni ndaj të cilit më së shumti ushtrohen ankesa në organin shqyrtues të prokurimit publik. Sipas të dhënave që kemi analizuar vetëm prej vitit 2008-2017 operatorët ekonomik kanë ushtruar afër 381 ankesa në OSHP ndaj KEK-ut. Hala më shqetësuese është fakti se 50 përqind e këtyre ankesave kanë shkuar në rivlerësim apo ri tenderim, që i bije që shumë prej tyre procedurave të prokurorimit publik ka pasur shkelje. Preportr ka gjetur se nga viti 2011 deri në vitin 2017 OSHP ka dhënë 10 urdhëresa për mos zbatim të vendimeve të panelit nga ana e KEK-ut. Do të thotë, përveç që është institucioni ndaj të cilit janë ushtruar më së shumti ankesa, është institucioni që ka vendosur të mos i respektoj disa prej vendimeve të panelit shqyrtues”, tha ajo.

Se duhet të ketë një auditim për KEK-un e ka thënë edhe Selim Halimi, ekspert i ekonomisë, i cili ka thënë se është e domosdoshme që kjo korporatë t’i nënshtrohet auditimit.

Halimi: Këtu duhet një kontroll e domosdoshme

“Sipas mendimit tim këtu duhet një kontroll e domosdoshme. Shkojnë bëjnë auditime në vlera të vogla a në këto vlera të mëdha nuk bëjnë. KEK-u duhet të jetë i audituar”, tha ai.

Hulumtimi me titull “Shumë tenderë pak kontroll” është realizuar nga organizata Çohu dhe Qendra Kosovare për Gazetari Hulumtuese-Preportr.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat