Institucionet të përkushtuara për sigurinë në rrugë

Aktuale

Institucionet të përkushtuara për sigurinë në rrugë

Më: 2 nëntor 2018 Në ora: 12:40
Pamje nga tryeza

Institucionet mbeten të përkushtuara për sigurinë në trafik me qëllim të mënjanimit të aksidenteve, duke kujtuar se këtë vit ka pas shumë aksidente me fatalitet.

Kështu u tha në takimin e parë të Këshillit të Sigurisë së Trafikut Rrugor. Këshill ky që synon uljen e numrit të aksidenteve të trafikut dhe premton siguri në rrugë.

Ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj, bëri të ditur se kryesuesi i këtij Këshilli do të raportojë përmes Qeverisë së paku njëherë në vit para Kuvendit.

Ai bëri të ditur se nga ky Këshill parashihet edhe formimi i grupit të ekspertëve.

Lekaj: Këshilli i Sigurisë shumë i rëndësishëm për të ardhmen e sigurisë në rrugë

“Sot po inaugurojmë një këshill i cili është shumë i rëndësishëm për të ardhmen e sigurisë në rrugë. Këshilli do të angazhohet sipas kompetencave për rritjen e sigurisë rrugore, zhvillimin dhe implementimin e politikave në fushën e sigurisë rrugore, ngritjen e vetëdijes publike për çështjen e sigurisë rrugore nëpërmjet fushatave të përhershme promovuese, koordinimin e punës së të gjitha subjekteve të cilat janë të përfshira në promovimin e sigurisë së trafikut rrugor”, tha ai.

Ministrja e Integrimeve Evropiane, Dhurata Hoxha vlerësoi se themelimi i këtij Këshilli është shumë i rëndësishëm.

Hoxha: Siguria në komunikacion është një ndër masat e buta që duhet t’i përmbushim

“Në procesin e integrimit evropian, siguria në komunikacion është njëra ndër masat e buta që ne duhet t’i raportojmë në komunitete të ndryshme. Por po ashtu është e përfshirë në agjendën evropiane të reformave ERA. Konsideroj se me të vërtetë është një nismë të qëlluar ”, tha ajo.

Zëvendësministri i Shëndetësisë, Ali Berisha,  foli për përkushtimin e tyre që pasojat e aksidenteve të jenë sa më të vogla.

Berisha: Kemi vështirësi gjatë rrugës deri tek aksidenti

“Mekanizmat e intervenimit deri tek të aksidentuarit në raste të caktuara është më vështirësi. Kjo për shkak të vështirësive në komunikacion, por nganjëherë edhe për shkak të mekanizmave joadekuat të intervenimit në rastet e aksidentuara”, u shpreh ai.

Kurse drejtori i Përgjithshëm i Policisë të Kosovës, Rashit Qalaj, u zotua se do të ofrojnë siguri maksimale në rrugë.

Qalaj: Policia e Kosovës do të ofrojë siguri më të madhe në rrugë

“Ka nevojë shumë për një koordinim të të gjitha ministrive përkatëse... Konsideroj  që ka qenë shumë i nevojshëm dhe njëherit zotohem se Policia e Kosovës do të bëjë maksimumin që të ofrojë një gjendje më të mirë të sigurisë në rrugë”, theksoi Qalaj teksa ftoi për një kulturë ndryshe të sigurisë në rrugë.

Takimi i parë i Këshillit të Sigurisë së Trafikut Rrugor pati pikë kryesore të rendit të ditës njoftimin me detyrat dhe përgjegjësitë me detyrat e anëtarëve të Këshillit të Sigurisë të Trafikut Rrugor.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat