“Kuvendi i Kosovës është shndërruar në cirk”

Aktuale

“Kuvendi i Kosovës është shndërruar në cirk”

Nga: G.B Më: 2 nëntor 2018 Në ora: 23:24
Kuvendi i Kosovës

Për vetëm 6 muaj, Kuvendi i Kosovës, ka shpenzuar 67 mijë euro vetëm për dreka zyrtare, ndërsa akomodimi i deputetëve në udhëtimet e tyre jashtë vendit, ka kushtuar 91 mijë e 187 euro.

Kurse, së fundmi Kuvendi ka miratuar dhe udhëtimet e disa deputetëve jashtë vendit, për punë që nuk kanë të bëjnë me Kuvendin.

Njohësi i çështjeve aktuale në vend, Faik Krasniqi, ka thënë për gazetën “Bota sot” se deputetët përveç se kanë treguar performancë të dobët në miratimin e ligjeve, ata kanë treguar edhe fytyrën e tyre zhvatëse.

Image
Faik Krasniqi

“Me asnjë legjislaturë në Kosovën e pasluftës nuk mund të mburremi, por dy legjislaturat e fundit janë më dobëtat dhe më të turpshmet. Kjo përbërje vetëm sa e ka degraduar maksimalisht pozitën e deputetit. Kuvendi i Kosovës është shndërruar në një cirk. Deputetët e Kuvendit përveç që kanë treguar performancë të dobët, e sidomos sa i përket miratimit të ligjeve, ata kanë treguar fytyrën e vërtetë zhvatëse”, është shprehur ai.

Sipas Krasniqit, është e jashtëligjshme që deputetëve tu paguhen udhëtimet që nuk kanë të bëjnë me punën e Kuvendit dhe sikur të kishim shtet normal dhe zbatim të ligjit, këto gjëra nuk do të ndodhnin.

“Në një shtet normal është e jashtëligjshme që deputetëve t'u paguhen mëditjet dhe shpenzimet jashtë vendit që nuk udhëtojnë për punë që lidhen me Kuvendin. Por tek ne kjo praktikë ka qenë prej pasluftës dhe fatkeqësisht vazhdon edhe sot. Kush zgjohet më herët nga gjumi fillon me zhvatë shtetin në forma të ndryshme. Sikur të kishim një shtet normal dhe ku zbatohet ligji, gjëra të tilla nuk do guxonin të ndodhnin, sepse është ligji që i ndëshkon të gjithë” ka deklaruar Faik Krasniqi për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat