Informacioni në kontroll të Thaçit, 2 nga 3 ish-kreyshefët e AKI-së punojnë te presidenti

Aktuale

Informacioni në kontroll të Thaçit, 2 nga 3 ish-kreyshefët e AKI-së punojnë te presidenti

Më: 4 nëntor 2018 Në ora: 19:17
Hashim Thaçi

Driton Gashi karrierën e tij si kryespiun i Kosovës e nisi në shkurtin e vitit të kaluar, kur nga të qenët këshilltar i disa ministrave të PDK-së, u emërua në krye të Agjencisë Kosovare të Inteligjencës.

Por, që në vitin e dytë të udhëheqjes Gashi u detyrua të largohet pasi Agjencia u përfshi në dëbimin e 6 shtetasve turq të kërkuar për grusht-shtetin e dështuar në korrikun e vitit 2016 në Turqi.

Presidenti, kryeministri e kryeparlamentari u deklaruan se nuk dinin gjë për aksionin, pavarësisht se ai ishte organizuar dhe zbatuar nga AKI-ja dhe Policia e Kosovës.

Por, me t’u larguar nga Inteligjenca e Kosovës, Driton Gashi u rehabilitua në zyrën e presidentit të Kosovës dhe atë si sekretar i Presidencës.

deputetin e Vetëvendosjes, Rexhep Selimi, Driton Gashi nuk është bashkëpunëtor i presidentit, por është bashkëfajtor në skandalin më të madh të pas pavarësisë, në të cilin është përfshirë Kosova - atë të dëbimit të 6 turqve nga Kosova.

E, për shoqërinë civile, inkuadrimi i tij në Presidencë është amnistim nga fajësia ende pa përfunduar punën ekipi hetimor që po merret me këtë skandal.

Por, përveç Gashit, menjëherë pas largimit nga AKI-ja edhe Bashkim Smakaj vetëm pak kohë mbeti larg presidentit Hashim Thaçi. Kur Smakaj u largua nga kreu i AKI-së, Thaçi ishte ministër i Jashtëm, por me të marrë Presidencën, Smakajn e emëroi këshilltar personal.

Dhe, bazuar në të dhënat e deklarimit të pasurisë, Smakaj paguhet në muaj nga Zyra e Presidenti të Kosovës 1800 euro.

Por, mbajtja afër e njerëzve të informacionit shihet si tendencë e presidentit për ta pasur në dorë Inteligjencën.

I vetmi që ka mbetur jashtë zyrës së presidentit është Agron Selimaj , largimin e të cilit e kishte kërkuar pikërisht presidenti Thaçi.

Presidenti e kishte vlerësuar dështim të AKI-së, mos ofrimin e informacioneve për tentimin e trenit serb që të hynte në Kosovë.

Selimaj ishte emëruar nga tash ish-presidentja Jahjaga dhe kryeministri i atëhershëm Mustafa, në detyrën e drejtorit të AKI më 2 shkurt të vitit 2015 ,ndërsa dorëheqje dha më 27 janar 2017.

Aktualisht, Agjencia Kosovare për Inteligjencë është duke u udhëhequr nga Shpend Maxhuni, i cili ka qenë drejtor i Policisë së Kosovës e që shpesh nga opozita është etiketuar si person i afërt me presidentin Thaçi.

Në kohën e para pavarësisë, Thaçi po ashtu afër vetes kishte Shërbimin Informativ të Kosovës, i cili i ka raportuar atij që nga koha e përfundimit të luftës e deri në shuarje, më 17 shkurt 2008.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat