Kryetari i komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, ka reaguar sërish për rastin e Astrit Deharit nëdy vjetorin e vdekjes së tij duke akuzuar pushtetin se vdiq në duart e tij.
Ahmeti ka thënë se ai humbi jetën në burgun e Prizrenit, ku u mbajt padrejtësisht pa u intervistuar fare, njofton Klan Kosova.
Ai po ashtu tha se drejtësia e gjithë shoqërisë varet nga drejtësia në raste individuale sië është edhe rasti i Astriti.
Më poshtë keni postimin e plotë të Ahmetit:
Sot, para dy viteve, Astrit Dehari humbi jetën në burgun e Prizrenit. I akuzuar dhe i pa intervistuar fare, Astriti u mbajt në burg paarsyeshëm dhe padrejtësisht për muaj të tërë.
Pavarësisht rrethanave, Astriti vdiq në duart e pushtetit. Deri më sot, askush nuk ka dhënë përgjegjësi, as politike e as ligjore.
Astriti ishte shembullor në cdo punë e aktivitet ku ka marrë pjesë, qoftë në aspektin profesional, qoftë në rrafshin njerëzor. Por mbi të gjitha, ishte një qytetar i Republikës i cili vdiq sepse ishte padrejtësisht në burg. Shoqëria jonë nuk duhet të ndalet së kërkuari drejtësi për Astritin. Në raste të caktuara drejtësia e krejt shoqërisë varet nga drejtësia në raste individuale. Rasti i Astritit është rast i tillë.
Nuk mund të flasim për drejtësi në Kosovë përderisa nuk ka drejtësi për Astrit Deharin.