Albin Kurti: Në shtetin e kapur, burgjet janë fronte. Aty na e mbytën Astritin

Aktuale

Albin Kurti: Në shtetin e kapur, burgjet janë fronte. Aty na e mbytën Astritin

Nga: N. Sh Më: 5 nëntor 2018 Në ora: 12:06
Albin Kurti

Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti ka folur për dy vjetorin e vdekjes së aktivistit të këtij subjekti politik, Astrit Deharit.

Kurti, thotë se në shtetin e kapur, burgjet janë fronte, aty ku u mbyt Astriti.

Ai thotë se kemi dhimbje edhe pas dy vjetëve për Astritin dhe për drejtësinë.

“Kur njeriu i drejtë e për drejtësi mbytet, krimi bëhet i pamatshëm. Ky krim nuk mund të falet sepse nuk mund të harrohet, nuk mund të harrohet sepse nuk mund të falet. Drejtësia për Astritin është liria në Republikë, për qytetarin aktiv, pa të cilën nuk ka republikë dhe as qytetari. Prangat në duart e Astritit dje, sot janë zinxhir i policisë e i prokurorisë, i gjyqësisë e i qeverisë, në duart dhe këmbët e qytetarit. Drejtësia për Astritin në Kosovë është vetë liria për qytetarin në Republikë. Zinxhiri i atyre do të këputet e liria e qytetarëve do të lulëzojë”, shkruan Kurti në Facebook, transmeton gazeta “Bota sot”.

Ai shprehet se Astriti ka qenë idealist dhe besnik, punëtor dhe trim, i Lëvizjes dhe i Republikës, i shoqërisë dhe kombit.

Më poshtë shkrimi i plotë i Albin Kurtit:

Të dashur aktivistë e anëtarë e qytetarë,

Të nderuara Arta e Arsa, Albana e Lum e Blin, Xhemile e Avni,

Të nderuar të pranishëm,

Në shtetin e kapur, burgjet janë fronte. Aty na e mbytën Astritin. Dy vjet më vonë ne kemi dhembje, sepse nuk e kemi Astritin dhe sepse nuk e kemi drejtësinë. Kur njeriu i drejtë e për drejtësi mbytet, krimi bëhet i pamatshëm. Ky krim nuk mund të falet sepse nuk mund të harrohet, nuk mund të harrohet sepse nuk mund të falet. Drejtësia për Astritin është liria në Republikë, për qytetarin aktiv, pa të cilën nuk ka republikë dhe as qytetari. Prangat në duart e Astritit dje, sot janë zinxhir i policisë e i prokurorisë, i gjyqësisë e i qeverisë, në duart dhe këmbët e qytetarit. Drejtësia për Astritin në Kosovë është vetë liria për qytetarin në Republikë. Zinxhiri i atyre do të këputet e liria e qytetarëve do të lulëzojë. Shteti i së drejtës e drejtësia për Astritin shkojnë bashkë e do të bëhen bashkë. Astriti ishte i Lëvizjes, tash ne jemi të tij. Të fuqishëm si asnjëherë tjetër, sepse me një popull që na do si askush tjetër.

Astriti ka qenë idealist dhe besnik, punëtor dhe trim. Ai e dinte që t’i shërbesh popullit dhe atdheut, do të thotë të mos jesh më i vetvetes dhe as për vete. Astriti ka qenë i shumëkujt, gati i gjithkujt, përveç i Astritit: ka qenë i studentëve dhe i universitetit, ka qenë i Lëvizjes dhe i Republikës, i shoqërisë dhe i kombit, ka qenë i të varfrit e i të papunit, ka qenë i të sëmurit e i punëtorit, i nënave, i fëmijëve e i pleqve. I të gjithëve, përveç i vetes, i secilit tjetër, përveç i vetes së tij. Prandaj Astriti nuk ka qenë, por Astriti është, kaq i gjallë e i pranishëm edhe sot, në kujtimet e çdonjërit, në aktivitetet e të gjithëve. Astriti është frymë që na mban lart, dhe drejt; që na shtyn para, më shpejt. Prandaj Astriti nuk na mungon neve, vetëm ne mund t’i mungojmë atij. Dhe, ne nuk do t’i mungojmë Astritit. Ai na mban në lëvizje, ne e mbajmë në zemër.

Përkulemi me mall e me krenari. Sot e përjetë. Lavdi!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat