Në dy vjetorin e vdekjes kërkohet zbardhja e vdekjes së Astrit Deharit

Aktuale

Në dy vjetorin e vdekjes kërkohet zbardhja e vdekjes së Astrit Deharit

Më: 5 nëntor 2018 Në ora: 13:21
Vogëlushja e Astritit, Asra

“Drejtësi për babin”. Kështu shkruan në fanellën të cilën e kishte veshur Arsa Dehari, vajza e vetme e Astrit Deharit, e cila ka lindur pas vdekjes së babait të saj.

Ajo bashkë me nënën, gjyshërit e saj, shokë dhe miq dhe aktivistë të Lëvizjes Vetëvendosje ia mësynë varrezave në fshatin Zllatar.

Arsa dhe të tjerët vunë kurora me lule mbi varrin e Astrit Deharit, i cili sot dy vjet ka vdekur në burgun e Prizrenit.

Kjo vdekje ende ka mbetur e pandriquar ndërkohë që familja dhe Vetëvendosje pjesë e së cilës ishte Astrit Dehari, akuzojnë shtetin se Astriti është vrarë në burg.

Madje edhe fjalmi që mbajti sot kryetari i Vetëvendosjes ishte me akuza ndaj shtetit.

Kurti: Drejtësia e Astritit në Kosovë është vet liria 

“Kur njeriu i drejtë për drejtësinë mbytet, krimi bëhet i pamatshëm, ky krim nuk mund të falet, sepse nuk mund të harrohet, nuk mund të harrohet, sepse nuk mund të falet. Drejtësia për Astritin është liria në Republikë, për qytetarin aktiv pa të cilin nuk ka Republikë dhe as qytetari. Prangat në duart e Astritit dje, sot janë zinxhir i policisë dhe i prokurorisë, i gjyqësisë dhe i qeverisë, në duart dhe këmbët e qytetarëve. Drejtësia për Astritin në Kosovë është vet liria për qytetarin në Republikë. Zinxhiri i atyre do të këputet dhe liria e qytetarëve do të lulëzojë. Shteti i së drejtës dhe liria për Astritin shkojnë bashkë dhe do të bëhen bashkë. Astriti ishte i Lëvizjes, tash ne jemi të tij, të fuqishëm si asnjëherë tjetër, sepse me një popull që na do si askush tjetër”, tha  Kurti.

Dehari: Të gjithë ata që mbështesin të drejtën, janë Astrit

“Për ne, pjesëmarrja e juaj, mbështetja e juaj na bën të jemi shumë mirënjohës dhe falënderues. Jemi të bindur se gjithë ata që mbështesin përparimin, të drejtën barazinë, janë Astrit. Ju faleminderit për pjesëmarrje”, ka thënë babai i Astriti Deharit.

Pas homazheve, dyert e familjes Dehari ishin të hapura për vizitë, për të gjithë aktivistët e  Lëvizjes Vetëvendosje, familjarët, shokët dhe miqtë.

Në dy vjetorin e vdekjes së Astrit Deharit,  një rrugë e kryeqytetit është emërtuar me emrin “Arbënor e Astrit Dehari”.

Asamblisti i Lëvizjes Vetëvendosje, Egzon Azemi ka thënë se tash e dy vjet, për vdekjen e Astrit Deharit, shteti po hesht. Ku siç tha ai, edhe provat për vrasjen e tij, janë fshehur nga institucionet e vendit.

Azemi: Shteti po hesht për vrasjen e Astrit Deharit

“Shënohen po ashtu 25 muaj institucionale, shënohen 730 ditë padrejtësi, edhe atëherë kur flisnin këto institucione gënjenin publikisht dhe i ndryshonin deklaratat. Fillimisht na thanë se Astriti u vetëvra me një dozë medikamentesh, pastaj u tha se mbase i preu venat, e në fund u tha se vdiq me një shishe plastike. Përfundimisht u tha se Astriti vdiq dhunshëm nga asfiksia, pra nga bllokimi i rrugëve të frymarrjes. Më shumë se 16 vite pas luftës, ndodhën përsëri ngjarje që na shoqërorin gjatë kohës së okupimit, dikur vriteshin ushtarë shqiptarë... vriteshin të burgosur politikë, por të gjithë këtyre vrasjeve, u mvishej vetëvrasja, sic ndodhi edhe në këtë rast, që pushteti inskenoi kriminalisht”, ka theksuar Azemi.

Azemi ka thënë se Astrit Dehari gjithë qenien e tij ja kishte kushtuar vendit.

Arbënor e Astrit Dehari, sipas tij, ecnin në rrugën për dinjitet dhe barëzi. Tutje, Azemi ka shtuar se pikërisht në këtë ditë, simbolikisht po emërtohet një rrugë e kryeqytetit, me emrat e dy vëllezërve.

Ndryshe, Astrit Dehari ka  vdekur më 5 nëntor të vitit 2016, në burgun e Prizrenit në rrethana ende të pandriçuara. Ndërsa, vëllau i Astritit, Arbënor Dehari, kishte vdekur me 11 qershor të vitit 2014, po ashtu ende në rrethana të paditura.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat