Dida kërkon ndëshkimin e operatorëve telefonikë në Kosovë

Aktuale

Dida kërkon ndëshkimin e operatorëve telefonikë në Kosovë

Nga: D.B Më: 5 nëntor 2018 Në ora: 16:46
Agron Dida

Zbatimi i plotë i kodit shtetëror telefonik të Kosovës me prefiksin (+383) vazhdon ende të zvarritet. Dhe ndonëse ishte paraparë që zbatimi i plotë i këtij kodi të fillojë më 30 qershor të këtij viti dhe pas ishte vendosur edhe një afat shtesë për datën 31 tetor, megjithatë ky zbatimi i plotë, nuk ka ndodhur ende. Aktualisht në Kosovë, telefonia mobile Vala shfrytëzon kodin e Monakos (+377), ajo e IPKO-s kodin e Sllovenisë (+386), për të cilat Kosova duhet të paguajë kosto të lartë të shpenzimeve.

Eksperti i telekomunikacionit, Agron Dida, dikur udhëheqës i Post-Telekomit të Kosovës, ka thënë për “Bota sot” se do të duhej të ndëshkoheshin operatorët për neglizhencën e treguar karshi zbatimit në tërësi të kodit telefonik të Kosovës.

Sipas tij, operatorët e kanë pasur të përcaktuar afatin për ta kryer këtë pune dhe Autoriteti Rregullativ i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (ARKEP) duhet marrë masa ndëshkuese për mos përfundimin e projektit.

“Kjo do të ndikonte që ta respektojnë afatin e ri, por kështu si po sillet rregullatori projekti mund të zgjasë shumë dhe kjo natyrisht se do dëmtojë edhe më tutje interesin e qytetarëve. Dikush duhet marrë në përgjegjësi, me  operatoret ose rregullatori, sepse mjaft ishte më ndëshkimin e qytetarëve. Ata duhet të bëjnë maksimumin e vet për të bërë një shërbim si duhet për qytetarët, pasi po bëhet një kohë e gjatë që qytetarët kanë problem me komunikim, pasi që softuerët e këtyre sistemeve nuk janë adaptuar si duhet dhe nuk kanë bërë zgjidhje transitore për të kaluar në sistemin e ri në kodin +383”, ka thënë Dida.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat