Dialogu me Serbinë, PSD: Kuvendi t’i caktojë premisat për ekipin negociues

Aktuale

Dialogu me Serbinë, PSD: Kuvendi t’i caktojë premisat për ekipin negociues

Më: 6 nëntor 2018 Në ora: 14:26
Foto

Kryetari i PSD-së, Shpend Ahmeti, ka pritur sot në takim drejtoreshën për Evropën Kontinentale në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Francës, Florence Mangin me të cilën ka biseduar për marrëdhëniet midis Kosovës dhe Francës, zhvillimet politike në vend, e me theks të veçantë dialogu me Serbinë.

Në këtë takim, ku ishin të pranishëm edhe zyrtarja përgjegjëse për Kosovën në Zyrën për Ballkan të Ministrisë së Jashtme të Francës, Fanny Sebban, zyrtari nga Zyra Politike, Timothée Barbier dhe ambasadori francez në Prishtinë, Didier Chabert, kryetari Shpend Ahmeti shprehu qëndrimin e Partisë Socialdemokrate, se Kuvendi i Republikës duhet të jetë bartës i dialogut me Serbinë, prej ku duhet të burojë platforma shtetërore, ekipi negociues dhe komision mbikëqyrës.

Kreu i PSD-së ritheksoi se presidenti Hashim Thaçi nuk ka legjitimitet për t’i drejtuar bisedimet në emër të Kosovës, dhe se Kuvendi i Republikës duhet t’i përcaktojë premisat mbi të cilat do të funksiononte ekipi negociues dhe parimet mbi të cilat do të negociohej një marrëveshje eventuale me Serbinë.

Duke e veçuar rëndësinë e perspektivës evropiane për rajonin, Ahmeti kërkoi nga shteti francez mbështetje për liberalizimin e vizave për Kosovën dhe anëtarësimin e Kosovës në Interpol.

Ndërsa, zyrtarët e Francës shprehën besimin se partitë politike në Kuvendin e  Kosovës do ta gjejnë së shpejti një zgjidhje të përbashkët për të ecur tutje në dialogun me Serbinë, në funksion të marrëveshjes Kosovë-Serbi.

Ata veçuan po ashtu nevojën për reformën në drejtësi, e sidomos miratimin dhe zbatimin e Ligjit për konfiskimin e pasurisë së paligjshme. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat