Ragmi Mustafa u bën thirrje të gjitha partive të bashkohen për interesin e Këshillit Nacional

Aktuale

Ragmi Mustafa u bën thirrje të gjitha partive të bashkohen për interesin e Këshillit Nacional

Më: 7 nëntor 2018 Në ora: 00:13
Ragmi Mustafa

Ragmi Mustafa është zgjedhur kryetar i Këshillit Nacional të Shqiptarëve në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë.

Sipas rezultateve preliminare, të cilat i ka publikuar Komisioni Zgjedhor i Serbisë, Mustafa i cili vjen nga Partia për Veprim Demokratik, ka mposhtur kandidatët e partive të tjera me 32.69% të votave, duke siguruar 6 ulëse në Këshill.

Kandidati i dytë, Arbër Pajaziti, nga Alternativa për Ndryshim, ka marrë 26.73% të votave dhe ka sigurar 4 vende, ndërsa i treti ka dalë të jetë ai i Partisë Demokratike, Sali Salihu me 15.63% që ka siguruar dy vende në Këshillin Nacional.

Partia Demokratike Shqiptare me kandidatin, Enver Mehmeti  është radhitur e katërta në këto zgjedhje me 12.35% të votave që po ashtu ka siguruar dy ulëse.

Kandidati që ka siguruar vetëm një ulëse është ai i Lëvizjes për Reforma, Sami Salihu.

Nga ana tjetër, kandidati i cili nuk ka mundur të kalojë pragun ishte Muharrem Salihu nga Forumi Shqiptar për Zhvillim Ekonomik me vetëm 2.78% të votave.

Megjithatë për të drejtuar këtë Këshill, PVD duhet të bëjë koalicion me një parti pasi nuk i ka votat e duhura për ta drejtuar e vetme këtë organ, për ç’gjë duhen 8 ulëse.

Në lidhje më këtë çështje, Ragmi Mustafa në një prononcim për kallxo.com tha se u ka bërë thirrje publike të gjitha partive të cilat janë të interesuara për koalicion. Megjithatë, ai thotë se duhet të shikohet se sa përputhen programet.

“Ajo që është e rëndësishme është që Partia për Veprim Demokratik ka dalë partia e parë, bindshëm kemi fituar për këto zgjedhje të Këshillit Nacional dhe presim që pas certifikimit përfundimtar të rezultateve t’i hapim bisedimet me partitë. Tashmë kemi bërë thirrje publike për të gjithë subjektet që kanë marrë mandat në kuadër të Këshillit Nacional”, tha ai.

I pyetur nëse ka ndonjë parti që do ta favorizonte për koalicion ai tha se duhet të bashkohen të gjithë bashkë për interesin e Këshillit.

“Ne jemi  të hapur për një përfshirje të të gjitha partive politike por megjithatë do të shohim gjatë bisedimeve se a do të biem dakord për programet. Po besoj që ne duhet t’i kthehemi misionit të këtij Këshilli dhe objektivave. Në këtë drejtim do të zhvillojmë bisedimet me partitë e tjera me subjketet e tjera pjesëmarrëse, që të dalim me njërëzit më të mirë të mundshëm”, tha Ragmi Mustafa.

Rreth 36 mijë votues shqiptarë, në 55 vendvotime të Preshevës, Bujanocit e Medvegjës, patën rastin të votojnë kandidatët e tyre për Asamblenë e Këshillit Kombëtar Shqiptar.

Pesë parti politike dhe një grupim qytetar, garuan në këto zgjedhje për pesëmbëdhjetë ulëset e këtij Kuvendi, i cili sipas ligjit për pakicat kombëtare të Serbisë, ka kompetenca në arsim, kulturë, informim, përdorim të gjuhës e shkrimit dhe simbolet kombëtare.

Këto zgjedhje ishin monitoruar nga përfaqësues të disa ambasadave të shteteve të Bashkimit Evropian të akredituara në Beograd, përfshirë Ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe atë të Republikës së Shqipërisë.

Kandidatët për këtë Këshill ishin të ftuar në emisionit “Jeta në Kosovë”, ku edhe shpalosën planprogramet e tyre.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat