Qeveria: Vendimi për tarifë ndaj Serbisë dhe Bosnjës, nuk do të tërhiqet

Aktuale

Qeveria: Vendimi për tarifë ndaj Serbisë dhe Bosnjës, nuk do të tërhiqet

Më: 7 nëntor 2018 Në ora: 11:58
Qeveria e Kosovës

Qeveria e Kosovës nuk po e merr parasysh kërkesën urgjente të BE-së karshi saj.

Dje (e martë), Qeveria e Kosovës në mbledhjen e saj ka miratuar propozimin e ministrit të Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala, për masën tarifore prej 10 për qind për produktet që importohen nga Serbia dhe Bosnje e Hercegovina.

Ky vendim ngjalli reagime të shumta në vend dhe rajon, por reagoi edhe BE-ja.

Zëdhënësja e Komisionit Evropian, Maja Kocijancic në një përgjigje për lajmi.net, ka kërkuar sqarim të menjëhershëm nga Qeveria e Kosovës për vendimin e marrur sot në mbledhjen e saj për tarifën e 10 për qindëshit për importet nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina.

“Bashkimi Evropian, kërkon sqarim urgjent për vendimin e papritur të Qeverisë së Kosovës për rritje të taksave të importit të produkteve nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina”, tha Kocijancic.

Mirëpo Qeveria e Kosovës nuk po e merr parasysh kërkesën urgjente të BE-së karshi saj.

Zëdhënësja e Qeverisë së Kosovës, Donjeta Gashi, tha se Qeveria nuk e ka në plan të tërheq vendimin e marrë për masën tarifore prej 10 për qind për produktet që importohen nga Serbia dhe Bosnje e Hercegovina.

“Vendimi i Qeverisë së Kosovës është vendim që vie pas rrethanave politike dhe ekonomike në vend.”, ka thënë ajo.

Më pas në përgjigje thuhet: “Qeveria e Republikës së Kosovës ka kompetenca për të marrë vendime të tilla dhe masa të ngjashme, janë praktikë edhe në vende të tjera për të mbrojtur ekonominë e vendit. Nuk ka plan për tërheqje të vendimit.”

Kujtojmë, se produktet që kanë 10 për qind masën tarifore të Serbisë dhe Bosnjës e Hercegovinës janë:

Qumështi dhe produktet e qumështit, mollët, produktet higjenik, tekstili, mielli, materiali ndërtimor, biskotat e ëmbla, lëngjet, medikamentet, uji, alkooli, produktet e duhanit dhe makineritë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat