Punimet e seancës plenare nuk filluan me votimin e propozim-rezolutës debati parlamentar lidhur me angazhimet e presidentit të Kosovës për përfshirjen e "shkëmbimit të territoreve" apo "korrigjim të kufijve" në dialogun në mes të Kosovës dhe Serbisë, që ishte pika e parë e rendit të ditës.
Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli tha se janë marrë vesh grupet parlamentare që të ketë harmonizim dhe një qëndrim të përbashkët, siç tha ai, në mënyrë që mos të ketë debat përçarës.
Seanca e Kuvendit filloi sot me propozim-rezolutën e deputetes Donika Kadaj-Bujupi për hartimin e legjislacionit për ndarjen e shtesave për fëmijë.
Por, deputeti i Vetëvendosjes, Salih Zyba, tha se nuk duhet ndryshuar rendi i ditës pa sqarime.
Zyba: Duhet të bëhet e qartë kur ndryshohet rendi i ditës
“U desht fillimisht me ba të qartë ndryshimin e pikave të rendit të ditës, ose shefat e grupeve, ose ju me specifikë të veçantë cila është marrëveshja cili është ndryshimi, se u fut ndryshim pa e arsytu ndryshimin dhe shkuat në pikën tjetër dhe jo me renditje”, tha Zyba.
Por sipas kryetarit të Kuvendit, kjo u bë në pajtueshmëri me grupet parlamentare.
Veseli: Jemi marrë vesh që të ketë harmonizim mes të gjitha grupeve parlamentare
“Unë mendova që ishin të gjithë përfaqësuesit e grupeve parlamentare, edhe ju të Vetëvendosjes kur ishim në Kryesi. Për publikun do ta bëjë të qartë, për propozim rezolutën nga debati parlamentar lidhur me angazhimet e Presidentit të Kosovës për përfshirjen e ‘shkëmbimit të territoreve’ apo ‘korrigjim të kufijve’ në dialogun në mes të Kosovës dhe Serbisë, ka mbetur që të harmonizohet bashkërisht. Ky ishte një qëndrim i përbashkët, të harmonizohet bashkërisht në mënyrën që mos të krijojmë debat përçarës mes vete, ky ishte qëndrim i të gjitha grupeve parlamentare, me pas parasysh, dhe në të njëjtën kohë harmonizim në votimin në parim të projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 02/L-88 për Trashëgiminë Kulturore”, tha Veseli.
Në seancën e sotme po marrin pjesë edhe opozita.