Kusari-Lila: LDK na ndali fondet që na takojnë, do të shkojmë në gjyq

Aktuale

Kusari-Lila: LDK na ndali fondet që na takojnë, do të shkojmë në gjyq

Më: 7 nëntor 2018 Në ora: 21:04
Kryetarja e Alternativës, Mimoza Kusari-Lila

Kryetarja e Alternativës, Mimoza Kusari-Lila ka thënë se LDK-ja u ka ndaluar pagesat që merr nga Fondi i demokratizimit për dy deputetët e Alternativës,  pasi këta dy të fundit kanë vendosur të largohen nga grupi i përbashkët parlamentar që kishin me LDK-në.

Kusari-Lila  ka thënë se marrëveshja për ndarjen e fondeve ishte e nënshkruar në marrëveshjen politike parazgjedhore.

“Pas tërheqjes së dy deputetëve të Alternativës nga grupi parlamentar, LDK na ka ndaluar pagesat që merr nga Fondi i demokratizimit. Ne kemi një marrëveshje që pavarësisht nëse jemi apo jo pjesë e një grupi të përbashkët parlamentar, pas zgjedhjeve, në proporcion të deputetëve që fiton Alternativa, do të merr fondet që shpërndahen nga Qeveria e Kosovës për subjektet politike parlamentare”, ka thënë Kusari-Lila.

E para e Alternativës ka treguar edhe arsyetimin që ka dhënë zyrtari i Lidhjes Demokratike të Kosovës që është përgjegjës për financa.

“Lutfi Zharku na ka bërë një telefonatë duke na thënë se ju tashmë keni dalë nga grupi parlamentar i LDK-së, dhe nuk e shohim të arsyeshme të u paguajmë”, tha Kusari-Lila.

Deputetja ka thënë se Alternativa po shqyrton që këtë problem ta ndjek edhe në rrugë gjyqësore.

“Për mua ka qenë absurde…Por tashmë mbetet që çështja të zgjidhet në rrugë gjyqësore”, theksoi ajo.

Kusari-Lila ka thënë se ky është një sinjal se LDK nuk po e do më Alternativës si partner apo si bashkëpunëtor.

“Ky është një sinjal se bashkëpunimi opozitar nuk funksionon. Për LDK-në ne tashmë jemi më “armik” se partitë në pushtet, dhe LDK nuk e trajton Alternativës si partnerë”, tha ndër të tjera Mimoza Kusari-Lila.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat