Mushkolaj: Vendimi për produktet serbe, ishte hakmarrje politike e jo strategji

Aktuale

Mushkolaj: Vendimi për produktet serbe, ishte hakmarrje politike e jo strategji

Më: 7 nëntor 2018 Në ora: 23:13
Imer Mushkolaj

Analisti Imer Mushkolaj ka thënë se vendimi i Qeverisë së Kosovës në raport me mallrat serbe, është një hakmarrje politike.

“Ky vendim vjen si hakmarrje ndaj politikave të Serbisë karshi Kosovës, që nuk duhej të ndodhte”, tha Mushkolaj .

Mushkolaj në RTV Dukagjini ka thënë se embargoja duhej të ishte si pjesë e një strategjie afatgjate.

“Ne jemi dëshmitarë se si Serbia ka ndërmarrë një ofensivë të madhe politike për të minuar shtetin e Kosovës. Ka paralajmërime edhe për tërheqje të njohjeve tjera…Vendimi është në rregull, por të ishte pjesë e një strategjie afatgjate. Këto nuk janë masa të duhura sepse problemet me Serbinë ne i kemi në vazhdimësi”, tha ai.

Analisti ka thënë se ne si qytetarë është dashur të reagojmë para vendimeve të Qeverisë, në raport me produktet serbe.

“Mbetet te secili prej nesh të tregojmë qëndrimin tonë ndaj produkteve serbe. Ne jemi treguar dashamirë ndaj këtyre produkteve dhe vazhdojmë të jemi konsumatorët më të mëdhenj të tyre sepse ai 400 milionëshi po blihet pikërisht nga qytetarët e Kosovës”, tha Mushkolaj.

Imer Mushkolaj ka thënë se faji për problemet e mallrave serbe mbetet te klasa politike, pasi me vite ky problem ka ekzistuar.

“Masat po merren vetëm kur po na vjen laku në fyt. Të krijohet një strategji afatgjate si ti qaset këtij problem” deklaroi ndër të tjera Imer Mushkolaj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat