Haradinaj dorëzohet për liberalizimin e vizave, ka një kërkesë për Thaçin

Aktuale

Haradinaj dorëzohet për liberalizimin e vizave, ka një kërkesë për Thaçin

Më: 8 nëntor 2018 Në ora: 12:58
Kryeministri Ramush Haradinaj

(E plotësuar) - Sonte, 8 nëntor, pritet takimi ndërmjet Presidentit Hashim Thaçi dhe homologut të tij serb, Aleksandar Vuçiq në Bruksel, me ndërmjetësimin e BE-së.

Sipas kryeministrit Ramush Haradinaj, nëse BE-ja nuk liberalizon vizat për qytetarët e Kosovës, atëherë Thaçi duhet ta analizojë nëse duhet vazhduar me bisedimet.

I pari i AAK-sëm pati porosi edhe për Serbinë, ndaj së cilës paralajmëroi mundësinë e rritjes së taksës së vendosur prej 10 % për prodhimet e tyre. Sipas Haradinajt, taksa mund të rritet, nëse shteti serb vazhdon me qasjen destruktive ndaj Kosovës.

Kështu Haradinaj u shpreh në konferencën e mbajtur për media pas takimit të Këshillit Ministror për Integrim Evropian ku u dakorduan prioritetet e ERA-s, si dhe u vendosën prioritete për ERA 2.

Haradinaj: Nëse s’ka liberalizim, Thaçi ta analizojë dialogun

“Takimi i radhës Thaçi- Vuçiq është një agjendë ekzistuese e zonjës Mogherini, nuk di saktë se çka do të shtrohet për diskutim, kuptohet që është dialogu, por nuk di saktë, ajo çka më bën përshtypje është se meqenëse dialogut po i jepet kaq rëndësi në vazhdimësi nga BE-ja, nga palët tjera mund të thuhet se Kosova vërtetë është treguar shumë e aplikueshme për dialog. Dhe do të ishte shumë keq që njërës palë të dialogut në këtë rast Kosovës dhe zotit Thaçi t’i thuhet ti hajde në dialog por qytetarët e tu nuk do të marrin liberalizim. Edhe zoti Thaçi atëherë është mirë të analizojë vet se çfarë të bëjë, a duhet me vazhduar me shkuar në këto takime kështu edhe a duhet me pranuar që çdo agjendë e vendit të vet me ju bart në disponimin e shtetit fqinj”, tha Haradinaj.

Vendimi për taksën ndaj produkteve serbe dhe atyre të Bsonjës dhe Hercegovinës u kritikua edhe nga BE-ja, mirëpo Haradinaj thotë se qasja e Serbisë nuk mund të tolerohet deri në pakufi.

Haradinaj: Taksën se vendosëm nga arroganca apo dëshira, ajo mund të rritet

“Nuk e kemi marrë këtë vendim as me dëshirë as me arrogancë, as nuk e kemi qëllimin e ndonjë propagande të caktuar. Jemi në zor se Serbia, me të cilën jemi edhe palë në dialog, i cili është edhe kandidat për anëtarësim në BE dhe hap kapituj, kërcënon publikisht edhe praktikisht familje të vendit tonë, të pjesëtarëve të FSK-së serbë, po jo vetëm serbë, kjo duhet me u ndalë, nuk lejohet kështu....Ky kërcënim është kriminal, nuk është as politik, edhe ne s’mundemi pa kufi, pastaj kur i shtojmë kësaj edhe një destruktivitet në planin ndërkombëtar të Ministrit të Jashtëm të Serbisë edhe deklarime të tjera, detyrimisht e kemi marrë këtë veprim, pra nuk është veprim i dëshirës, nuk është veprim i maksimumit, është një masë e parë e cila ka mundësi me u rrit, e cila ka mundësi me kaluar edhe në masa të tjera, por nuk është bë kjo për ndonjë taktizim  dhe nuk është e përkohshme. Derisa nu k ndërron qasja, nuk ndërrojmë në këto qëndrime”, tha ai.

Haradinaj: S’ka gatishmëri që çështja e vizave të hyjë në agjendë të Këshillit të Ministrave

Kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj pas takimit të Këshillit ministror për integrim evropian në një konferencë për media ka folur rreth çështjes së liberalizimit të vizave, ku tha se tani po mungon një gatishmëri që çështja e liberalizimit të vizave të hyjë në agjendë të Këshillit të Ministrave të Bashkimit Evropian.

Haradinaj tha se Komisioni Evropian ka vlerësuar plotësimin e kritereve për liberalizimin e vizave, çështja ka kaluar edhe në Parlamentin Evropian, ndërsa tash vendimi duhet të merret në Këshill.

“Tani më vendimi duhet të merret në Këshill. Tani po na mungon një gatishmëri me hy në agjendë me arsyetimin se disponimi nuk është më i miri”, tha Haradinaj.

Sipas tij, qeveritë kanë një hezitim me shti në rend dite, me arsyetimin se vullneti politik, bindja nuk është e qartë në këtë etapë.

“Unë po mendoj se është mirë me u marr rreziku, sido që të votojnë ministrat, si po si jo, të hyjë në rend dite. Kjo është kërkesa e Kosovës. Nuk bën me paragjyku rezultatin, e mos me hy në rend dite. Ndryshe, nuk ishim shku as në Parlament, se kemi mujt edhe aty me paragjyku rezultatin”, tha Haradinaj.

Sipas kryeministrit, nuk ka logjikë të ketë hezitim tash në fazën e zbatimit.

“I kam kërkuar kancelarit Kurz, pas Austria është kryesuese e BE-së të vendoset në rend dite, të hyjë në agjendë. Pra nuk është e vendosur.. do të kemi mundësi me vazhdu komunikimin… tash pra ka mbet çështje e disponimit”, u shpreh Haradinaj.

Ai shprehu besimin se nëse kjo çështje do të hyjë në agjendë, atëherë do të votohet. Sipas tij, nuk ka shtete që janë kundër, por thjesht nuk e kanë prioritet çështjen e vizave për Kosovën.

Ndërkaq, ministrja e Integrimit bëri të ditur se fillimisht hapi i parë është votimi në nivelin COREPER (ambasadorët  permanentë të shteteve anëtare) dhe votimi është i njëjtë si në Këshill të Ministrave, me shumicë kualifikuese, 55 % e votave me 65 % e popullsisë.

“Insistimi ynë është që të mos dorëzohemi, të që të futet në agjendë edhe në nivelin COREPER, edhe në Këshill të ministrave”, tha ajo.

Ministrja Hoxha ka folur sërish edhe rreth premtimeve të evropianëve, se nëse kalon demarkacioni do të hiqen vizat, duke përmendur intervistën e Federica Mogherini e cila sipas Hoxhës, shumë qartë e ka potencuar se nëse kalon demarkacioni do të liberalizohen vizat për qytetarët e Kosovës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat