Hetuesi i Policisë i shoqëruar me njeriun e dyshuar për vepra penale

Aktuale

Hetuesi i Policisë i shoqëruar me njeriun e dyshuar për vepra penale

Më: 8 nëntor 2018 Në ora: 16:52
Fotografia e publikuar

Hetuesi i Policisë, në Rajonin Policor të Mitrovicës, Bujar Sinani, në një fotografi shihet derisa shoqërohet me një person tjetër i cili dyshohet për të paktën 5 vepra penale.

Kallxo ka siguruar një dokument pesë faqësh ku shihen të gjitha veprat penale të Arsim Ferizit i njohur si “Cima”.

Veprat penale të Arsim Ferizit, janë të regjistruara saktësisht në stacionin policor ku Bujar Sinani është hetues.

Në foton të cilën mund të shihni, hetuesi Sinani së bashku me Arsim Ferizin, një avokat dhe dy persona të tjerë, janë duke u shoqëruar së bashku me pije alkoolike.

Ky medium ka kontaktuar edhe me hetuesin Bujar Sinani.

Ai në një bisedë telefonike ka thënë se nuk ka lidhje me personin ndërsa theksoi se fotografinë nuk e ka shpërndarë ai por dikush tjetër.

“Unë as që po di për këtë punë, as çka je tu thanë. Te unë gjithkush mundet me u ulë në tavolinë e me ba foto me mu. Ti së pari, duhesh me ditë, a e pa fotografinë. Në tavolinë a e ke pa kush e kush kemi qenë të ulur përpara. A e kam publikuar unë?”, tha, Bujar Sinani.

I pyetur se a mund të ndikojnë të tilla shoqërime në pjesën e hetimeve të veprave penale të Arsim Ferizit, hetuesi Bujar Sinani tha se ai që bie ndesh me ligjin do të dënohet.

“Edhe vëllai jem me kanë nëse bjen ndesh me ligjin ai ka me marrë dënimin prej meje. Përderisa unë kam qenë në nejë me shokë, ka ardhë ai ka ba foto, a e ke pa që krejt fotot i ka shpërnda me krejt në lokal çka kanë qenë. E pse ata kanë thanë hajt veç pe bëj një foto edhe pe publikoj”, shtoi Sinani.

Ai gjithashtu ka mohuar të ketë dalë personalisht me personin i cili numëron vepra të shumta në polici, Arsim Ferizin.

“Sa i përket fotove asgjë s’ka reale. Sa i përket punës sime nuk besoj që në Policinë e Kosovës një person ka zbuluar raste më shumë se unë. Po e shoh se prej që jam graduar jam duke i pengu dikujt edhe i ka lëshuar njerëzit”, tha hetuesi.

Në këtë foto shihet edhe avokati Fitim Vokshi.

Ai tha se nuk është avokat i Arsim Ferizit por i vëllait të tij dhe se i ndihmon kohë pas kohë por nuk është i kontraktuar për të mbrojtur Arsim Ferizin.

Policia në Mitrovicë ka preferuar heshtjen në lidhje me këtë rast pasi që nuk ka kthyer përgjigje për nëntë ditë.

Në anën tjetër,  zëdhënësi i Prokurorisë Themelore në Mitrovicë, Valon Preteni thotë se Ferizi ka pesë lëndë në prokurori.

“Arsim (Feriz) Ferizi në Prokurorinë Themelore të Mitrovicës gjithsej i ka 5 vepra penale (1 në Departamentin e Përgjithshëm dhe 4 në Departamentin për Krime të Rënda)”, tha Preteni.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat