Haradinaj nuk di asgjë për takimet në Bruksel, por për vizat tregon optimizëm

Aktuale

Haradinaj nuk di asgjë për takimet në Bruksel, por për vizat tregon optimizëm

Më: 10 nëntor 2018 Në ora: 11:05
Ramush Haradinaj

(E plotësuar) - Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka deklaruar se nuk ka asnjë informacion se çfarë po ndodh në takimet mes Kosovës dhe Serbisë në Bruksel, me ndërmjetësim të Bashkimit Evropian. Ndërkohë që për liberalizimin e vizave thotë se do të bëhet meqë është një e drejtë e qytetarëve të Kosovës.

Për këto ai ka folur derisa ka pastruar një pjesë të parkut të Gërmisë në Prishtinë, prej ku ka ftuar qytetarët që mos të votojnë ata politikanë që nuk kujdesen për një ambient të pastër.

Shefi i ekzekutivit, bashkë me aktivistë të organizatës “Ta Pastrojmë Kosovën”, kanë dalë sot pranë parkut të Gërmisë, për të pastruar vendin nga mbeturinat dhe deponitë ilegale.

Aty ai iu përgjigj gazetarëve edhe rreth dialogut Kosovë-Serbi, ku dy ditë më parë në Bruksel u takuan presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, dhe ai i Serbisë, Aleksandër Vuçiq.

Haradinaj: Nuk kam pas asnjë informatë për takimet në Bruksel

“Nuk kam asnjë informatë, nuk di çka ka ndodh dje, janë takime që po vazhdojnë, ballafaqime mes presidentëve në takim, por nuk di detaje, u siguroj”, tha ai.

Duke thënë se nuk mund të vazhdojë një situatë e tillë në hapësirat publike në Kosovë, kryeministri pranoi se as ai nuk ka bërë sa duhet që nga paslufta sa i përket mbajtjes së një ambienti të pastër.

Sipas tij, pas përfundimit të kësaj fushate, është koha që të gjithë të vetëdijesohen.

Haradinaj: Do ta na japin liberalizimin e vizave sepse është e drejtë e jona 

 “Ne po ankohemi nuk po na japin liberalizimin e vizave, nuk është Evropë kështu, duhet t’i japim edhe ne disa sinjale të mira çka po bëjmë. Nuk po them se nuk kanë me na dhënë, kanë me na dhënë sepse është e drejtë e jona, por duhet ta dëshmojmë se jemi njerëz të vetëdijshëm për vetveten”, tha ai.

Ai tha se nuk duhet kosto e lartë që të pastrohen deponitë ilegale dhe mbeturinat e vogla në rrugë.

Nga Gërmia, ai u bëri thirrje qytetarëve që mos të votojnë ata që nuk kujdesen për hapësirat e përbashkëta.

Haradinaj: Qytetarët mos të votojnë ata që nuk kujdesen për një ambient të pastër

“Të gjithë ata që e lypin votën e qytetarëve, të gjithë ata që dëshirojnë t’u thonë qytetarëve që mendojmë për ju, në mënyrë me tregu që mendon me të vërtetë për fëmijët e këtij vendi është mos me lënë Kosovën me u mbush bërllog më.... I kisha lutë qytetarët që mos t’i votojnë ata që nuk kujdesen për hapësirat e përbashkëta publike, nëse një kryetar i komunës nuk ka respekt, nuk e kam fjalën sot pse jemi këtu, por ne e kemi parë këtë në të gjithë Kosovën, nuk bënë përjashtim asnjë komunë, çdo komunë ku kemi shku kemi pa bërllog, nuk them se këta kryetar janë fajtorë, kjo ka ndodh 20 vjet, por nëse në të ardhmen e hetojmë se nuk po kujdeset për hapësirat e përbashkëta, një qeveri ose një zyrtar, një asamblist, se po shoh këtu edhe asamblistë të Prishtinë, por nuk është ndonjë lavdë sepse ata kanë ardh se janë ftuar, ata duhet vet me iu ra në mend, vet mu interesu”, tha ai.

Ndërkohë, Luan Hasanaj nga organizata “Ta Pastrojmë Kosovën”, bëri të ditur se në kuadër të këtij aksioni deri tani janë pastruar 450 deponi ilegale dhe janë larguar 15 mijë tonë mbetje ndërtimore.

Hasanaj: 450 deponi janë pastruar në kuadër të fushatës “Ta Pastrojmë Kosovën”

“Deri më sot janë pastruar 450 deponi ilagale në të gjitha komunat e Kosovës, janë pastruar më shumë se gjysma e tyre, dhe me këtë dinamikë do të vazhdojmë deri në fundin e fushatës. Janë larguar mbi 15 mijë tonë kryesisht mbetje ndërtimore, dhe kështu do të vazhdohet edhe me shumë kompani që janë private dhe që po bashkohet”, tha ai.

Ai kërkoi nga të gjitha komunat që të kenë kujdes kur japin lejet e ndërtimit, që të kenë parasysh që t’i sanksionojnë kompanitë që merren me ndërtim dhe të ofrojnë plan që merret me mbetjet inerte.

Në aksionin “Ta Pastrojmë Kosovën”, që ka nisë me 15 shtator dhe përfundon me 15 dhjetor janë të përfshira institucionet qendrore dhe lokale, qytetarë dhe organizata të ndryshme.

Haradinaj: Nuk e di çka është biseduar në Bruksel

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka deklaruar se nuk di asgjë se çfarë është biseduar në takimin mes Kosovës dhe Serbisë në Bruksel dy ditë me parë.

Shefi ekzekutivit ka dalë sot pranë parkut të Gërmisë në kryeqytet, në kuadër të fushatës tre mujore "Ta pastrojmë Kosovën", ndërkohë ka pranuar se në të kaluarën nuk ka bërë sa duhet për të mbajt një ambient të pastër në Kosovë.

Haradinaj ka thënë se derisa Kosova kërkon liberalizimin e vizave, duhet të mbaj vendin pa mbeturina, sepse siç tha ai nuk është Evropë me ambient jo të pastër.

Megjithatë, sipas tij, lëvizja e lirë do të bëhet.

"Shihet qe ka mungu një kujdes. I bëjë thirrje kryetarit të komunës dhe të gjithëve që të kujdesen për ambientin. Nuk duhet shumë para për me i heq mbetjet inerte. Këto pjesë këtu në hyrje të Gërmisë duhet të bëhen parqe", tha ai.

Ai u bëri thirrje qytetarëve që mos të votojnë ata që nuk kanë respekt për hapësirat e përbashkëta.

Ndërsa Luan Hasanaj nga organizata ‘Ta Pastrojmë Kosovën’, bëri të ditur se deri tanë kanë pastruar 450 deponi ilegale, në shumë se gjysma e tyre sa janë gjithsej dhe mbi 15 tonë mbetje ndërtimore.

Aksioni ‘ Ta pastrojmë Kosovën’, ka filluar më 15 shtator dhe përfundon më 15 dhjetor , që për qëllim ka përfshirjen e qytetarëve, institucioneve qendrore e lokale dhe shoqërisë civile në pastrimin e të gjithë Kosovës nga deponitë ilegale dhe mbeturinat e vogla.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat