Haradinaj: Presioni nuk e largon masën 10 % për produktet serbe, por vetëm ....

Aktuale

Haradinaj: Presioni nuk e largon masën 10 % për produktet serbe, por vetëm ....

Më: 10 nëntor 2018 Në ora: 12:37
Ramush Haradinaj

(E plotësuar) - Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj pranon se Qeveria e Kosovës nuk ka asnjë informacion se cilat janë temat në takimet mes presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe atij të Serbisë Aleksander Vuçiq, por pavarësisht kësaj, thotë se nuk guxon të diskutohet për territorin e Kosovës.

Haradinaj ka thënë se masa e vendosur për produktet serbe prej 10% nuk është bërë nga lazdrimi.

Ai thotë se nuk ka presion që e largon atë masë dhe tregon cilat janë kushtet për Serbinë, që ajo të ketë mundësi të hiqet.

Haradinaj: Në dialog nuk guxon të diskutohet për territorin e Kosovës

“Nuk kam ndonjë informatë direkte nga rrjedha e bisedës, nuk kemi marrë ndonjë informatë nga Presidenti ose zyra e tij ende, mirëpo, Kosova është mirë që është prezente në tavolinë, pra ta zëmë nëse do të organizohej një takim nga Mogherini dhe ne të mungonim si Kosovë, mund të merrej në një farë mënyre si plus për Serbinë dhe si minus për ne. Pastaj, po, ne i kemi disa shqetësime se çka shtrohet për diskutim në takime, pra nuk guxon të shtrohet për diskutim territori i Kosovës dhe kufijtë e Kosovës, Kosova është shtet i pavarur, i obligohet kushtetutës së tij dhe vendimit të deputetëve më 17 shkurt 2008, pra ne jemi kundër që të shtrohet për diskutim substanca e shtetit tonë”, thotë ai.

I pyetur se kur do bëhet Qeveria pjesë e dialogut, përmend faktin që janë pjesë e dialogut teknik.  Por shpreson se do të arrihet një marrëveshje mes gjithë liderëve e të gjithë të shkojnë të ulen në tavolinën e bisedimeve.

Haradinaj: Qeveria është pjesë teknike e dialogut

“Po ne jemi pjesë teknike e dialogut sikurse dihet dhe po ashtu i kemi dhënë parlamentit mundësi që të merr përgjegjësitë e veta dhe në një platformë, kornizë të bisedimeve që do të buronte nga Kushtetuta e vendit dhe një platformë e cila do të respektonte territorin, kufijtë, paprekshmërinë e territorit dhe të kufijve, e njëkohësisht edhe një delegacion, dhe shpresojmë që do të gjendet një gjuhë e përbashkët edhe me opozitën për delegacionin, pra që Kosova të jetë unike, edhe ashtu puna në dialog është e ndarë në të tri legjislacionet, Presidenti e përfaqëson Kosovën që është e drejtë kushtetuese, qeveria është në aspektin zbatues, implementues, të arriturave ose obligimeve të marra, Parlamenti është organi që merr vendimet me rrjedhën e bisedimeve ose të marrëveshjes potenciale, pra duhet t’i ndajmë punët në tri pjesë”, pohon Haradinaj.

Sa i përket masës prej 10% për produktet e importuara serbe, Haradinaj thotë se ajo nuk është vendosur nga arroganca apo lazdrimi, por si masë mbrojtëse.

Kur përmend CEFTA-n, thotë se Serbia qysh moti nuk respekton rregullat e saj.

Ndërsa, sipas Haradinajt, Serbia po bënë veprime jo etike, jo diplomatike dhe joligjore. E derisa nuk i ndalë këto, Haradinaj thotë se nuk do e heqin këtë masë.

Haradinaj: Taksën e 10% e vendosëm si mbrojtje

“Dikur Serbia ka marrë obligim që të mos e pengojë Kosovën në anëtarësimin në organizata rajonale e ndërkombëtare, ka marrë  përsipër që të tërhiqet nga një ‘luftë’, ta quajmë ashtu në planin global kundër Kosovës. Tani është shumë agresive, gjoja në tërheqjen e njohjeve duke shfrytëzuar edhe metoda e veprime që janë jo etike, jodiplomatike edhe joligjore besa. Pastaj kemi një agresivitet të madh për qytetarët e Kosovës, serbët e Kosovës, kërcënime ndaj tyre, familjeve që janë anëtarë të FSK-së, pra është një, po e quaj ashtu një agresivitet i rritur, të cilit ne jemi të detyruar t’i themi stop, duke shfrytëzuar një instrument legjitim të vendit tonë, pra masën ndaj prodhimeve të Serbisë, po ashtu duke bërë kujdes që me këtë masë të mos prekim prodhimet ose produktet ndërkombëtare apo vendet ndërkombëtare, Kjo është masa më reale që kemi mundur ta marrim, përkundër faktit që President i Vuçiq e interpreton këtë si shkelje të disa normave. E vërteta është se Serbia nuk ka  respektuar normat e CEFTA-s deri tani, nuk kanë pse të thirrën në CEFTA-n tani, kjo është masë legjitime e jona, mbrojtëse, nëse jemi të detyruar ne mund të mbrohemi duke e rritur këtë masë nga dhjetë përqind në njëzetë, tridhjetë apo deri në atë finale. Pse e them këtë? Se vërtetë jemi të detyruar, jemi të mbështetur për muri, nuk kemi kah të shkojmë si Kosovë”, thotë kreu i Qeverisë.

Mes tjerash, thotë se këtë nuk po e bënë as për pushtet, ngase sipas tij, partitë shqiptare në Kuvendin e Kosovës e përkrahin.

Haradinaj: Po mbrohemi nga Serbia

“Pra ne në pakufi nuk mund të mos e mbrojmë veten e dua ta them edhe një herë, ta shfrytëzoj rastin, e para të iu them qytetarëve serbë të Kosovës që janë qytetarë të këtij vendi, se në mes të marrëdhënieve Kosovë-Serbi do të ketë paqartësi, po këto ne nuk i përdorim kundër qytetarëve të Kosovës, me këtë nuk po e kërkojmë mëshirën, as simpatinë veç për votë në parlament apo për ta mbajtë Aleancën koalicionin në pushtet, se partitë shqiptare më kanë deklaruar se nëse ty do të të rrëzojë lista serbe, ne nuk të rrëzojmë. Po e përsëris, nuk i kemi target serbët e Kosovës, edhe ta dinë Brukseli, Uashingtoni, Berlini, Roma, Londra e Parisi që nuk jemi kundër tyre, por do të mbrohemi nga Serbia. Këtë do ta bëjmë”, thotë ai.

Haradinaj deklaron se kjo masë nuk do hiqet me ndonjë presion, por vetëm atëherë, sipas tij, kur Serbia disiplinohet dhe nuk përdor arrogancë në raport me Kosovën.

Haradinaj: Nëse Serbia disiplinohet, e ulim taksën

“Do ta vlerësojmë bashkërisht, nëse ndalet ky agresivitet nëse Serbia e disiplinon veten në raport me Kosovën, ose nëse Bashkësia Ndërkombëtare arrin ta disiplinojë, ne jemi të gatshëm ta shkurtojmë, por nuk mund ta heqim me ndonjë presion ose shantazh mbi ne, ose me rritje të agresivitetit, janë gabim nëse shkojnë kësaj rruge në Beograd, ose kudo qoftë, nuk shkon ashtu, pra nuk jemi të interesuar ta heqim”, deklaron ai.

Kryeministri i Kosovës deklaron se janë për dialog, por thotë se nuk mund të mos e mbrojnë veten nga një agresivitet i tillë.

Haradinaj: Nëse ka shkelje ligjore për pronat në veri, mund të shqyrtohet vendimi

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka komentuar vendimin e tij për tërheqjen nga procesi i privatizimit dhe të bartë një numër pronash të cilat menaxhoheshin nga Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP) në pronësi të Komunës së Mitrovicës së Veriut, Kllokotit dhe Ranillugut.

Kryeministri Haradinaj ka thënë se sikur të gjitha komunave të tjera të Kosovës, edhe komunave me shumicë serbe iu kanë aprovuar kërkesat për prona shoqërore.

Ai ka mohuar të jetë kjo në kuadër zbatimit të Asociacionit të Komunave me shumicë serbe. 

Haradinaj: Kalimi i pronës është kompetencë nacionale

“S’ka asnjë komunë e vendit që s’ka kërkuar prona, për varreza, për atë për këtë. Pra, kalim i pronës që është kompetencë nacionale me ua kaluar komunave në kompetencë. Pra, ajo pronë prapë është aty, prapë është publike. Pra, nuk është s’e e merr dikush privat. P.sh. kemi një rast kur I kemi dhënë Drenasit. Kësisoj ka në gjithë vendin, nuk është bërë asnjë përjashtim. Edhe komunave me shumicë serbe në bazë të procedurës së njëjtë në Kosovë ua kemi kaluar në administrim pronat që kanë qenë nën administrimin e AKP-së”, ka theksuar Haradinaj.

Kryeministri ka marrë shembull Pallatin e Rinisë për bartjen e kompetencave të kësaj ndërmarrje tek komuna e Prishtinës.

Megjithatë, ai nuk ka përjashtuar mundësinë e shqyrtimit të vendimit nëse dikush konstaton se është në shpërputhje me çfarë do norme ose ligj të Kosovës.

Haradinaj: Nëse dikush gjen shkelje, mund ta shqyrtojmë

“P.sh. Pallatin e Rinisë ia kemi dhënë komunës së Prishtinës. Nuk humb askush, Pallati i Rinisë është këtu. Nëse Qeveria ose AKP, ose dikush privat e merr një pronë, njëjtë është edhe me komunat si Parteshi, Ranilluku, Graçanica ose Prishtina, Gjilani ose Podujeva.  Ne mbajmë takime të rregullta me kryetar të komunave, ata i kanë bërë këto kërkesa në bazë të procedurave të parapara dhe i kanë marrë përgjigjet. Pra, kjo është e vërteta. Tani nëse ka dikush që e gjen që është në shpërputhje me çfarëdo norme ose ligj të Kosovës, pse mos me shqyrtuar. Por, mos harroni se kjo praktikë që ka ndodhë është për të gjithë. Sa më përket mua, nuk e shoh problem”, ka thënë ai.

Ndërsa, AKP ende nuk ka pranuar ndonjë informatë zyrtare për këtë vendim. 

Zyrtarë të AKP-së kanë thënë për KosovaPress se Agjencia Kosovare e Privatizimit deri më tani nuk ka pranuar ndonjë informatë zyrtare lidhur me bartjen eventuale të pronave shoqërore në kompetencë të pushtetit lokal, përkatësisht siç thuhet të komunave Mitrovicë veriore, Ranillug dhe Kllokot.

“Agjencia Kosovare e Privatizimit është themeluar nga Kuvendi i Republikës së Kosovës me mandat të qartë të transformimit të pronës shoqërore. Agjencia nuk mund të marrë veprime të cilat bien në kundërshtim me mandatin e saj ligjor që është e përcaktuar si administrator e ish-Ndërmarrjeve Shoqërore. Obligim ligjor i AKP-së është që të kujdeset për ruajtjen dhe rritjen e vlerës së Ndërmarrjeve Shoqërore deri në procesin e privatizimit dhe likuidimit si dhe në kujdesin që duhet të ketë për shpërndarjen e të ardhurave të 20% për ish punëtorët dhe kreditorët e kualifikuar të Ndërmarrjeve Shoqërore dhe kreditorët e Ndërmarrjeve Shoqërore. Fondet e Mbetura pas procesit të likuidimit do të transferohen në Buxhetin e Kosovës, ashtu siç kemi bërë deri më tani”, thonë zyrtarë për media të AKP-së.

Ndërsa, Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS) vlerëson që Qeveria e Republikës së Kosovës duhet të luaj rol proaktiv dhe të nxit bashkëpunimin e Komunave me shumicë serbe me institucionet e Kosovës. Mirëpo vendimet e fundit janë veprime të cilat i shërbejnë vetëm rritjes së autonomisë së komunave me shumicë serbe në Kosovë dhe zgjerojnë hapësirën e ndikimit të Listës Serbe.

GLPS vlerëson që vendimet e Qeverisë së Kosovës jo vetëm që janë të ngutshme, por janë kundër interesave të Republikës së Kosovës dhe mundësisë që rendi dhe ligji të zbatohen të pakushtëzuar nga kërkesat individuale të liderëve komunal në komunat me shumicë serbe.

“Qasja e Qeverisë së Kosovës vë në rrezik fatin e aseteve tjera të Kosovës që gjenden në territorin e komunave me shumicë serbe, dhe parandalon që ato prona të menaxhohen nga Qeveria e Kosovës sipas  interesit të Kosovës. Vendimet e Qeverisë, rrjedhimisht, janë konfirmim që kjo e fundit ka filluar të heq dorë nga kompetencat e saj në komunat me shumicë Serbe”, thuhet në reagimin e GLPS-së.

Sipas GLPS-së autonomia për Komunat me shumicë serbe nuk ka dimenzion tjetër dhe nuk mund të shfaqet ndryshe veçse në këtë formë ku Qeveria  dhe institucionet qendrore heqin dorë nga kompetenca për të qeverisur me pronat e saj, në territorin e Kosovës.

Për fund, GLPS i bën thirrje Kryeministrit, dhe anëtarëve të tjerë të koalicionit qeverisës që të kenë parasysh se vendime të këtilla duhet të kenë pikësynim një qeverisje sa më të mirë lokale, mirëpo asnjëherë duke fuqizuar drejtpërdrejt ose tërthorazi një grup të veçantë politik, që në këtë rast është Lista Serbe.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat