Vetëvendosje: Deputetët po shantazhohen nga Presidenti dhe Qeveria

Aktuale

Vetëvendosje: Deputetët po shantazhohen nga Presidenti dhe Qeveria

Më: 10 nëntor 2018 Në ora: 13:04
Konferenca per media

(E plotësuar) - Lëvizja Vetëvendosje vlerëson se deputetët janë të shantazhuar dhe në presion nga Qeveria dhe Presidenti, andaj edhe nuk kanë guxim të veprojnë në mbrojtje të territorit dhe sovranitetit.

Në këtë parti konsiderojnë se nëse Presidenti Hashim Thaçi nuk ndalet sa i përket dialogut me Serbinë, atëherë demonstratat janë të pashmangshme.

Deputetja Albulena Haxhiu ka thënë se veprimet e tyre karshi çështjes së presidentit në bisedimet me Serbinë, do t’i intensifikojnë varësisht prej rrethanave.

Haxhiu: Nëse Thaçi nuk ndalet, demonstratat janë të pashmangshme

“Ne si Vetëvendosje konsiderojmë që duke pas parasysh faktin që deputetët e Kuvendit janë në presion të vazhdueshëm nga qeveria dhe presidenti, janë të shantazhuar, sigurisht që nuk kanë pas guximin të veprojnë në mbrojtje të territorit dhe sovranitetit të vendit. Andaj edhe ende nuk është votuar të paktën një pikë e rezolutës që në fakt derivon nga Kushtetuta e Republikës së Kosovës dhe që ka të bëjë me ndalimin e cenimit të sovranitetit dhe integritetit territorial.Veprimet tona do të intensifikohen varësisht prej rrethanave, nëse e shohim që Hashim Thaçi nuk po ndalet në drejtim të kësaj, natyrisht që edhe ne do të veprojmë. Nëse Hashim Thaçi nuk ndalet, protestat dhe demonstratat janë të pashmangshme dhe janë të domosdoshme”, tha ajo.

Këtë përgjigje, Haxhiu e dha para gazetarëve në konferencën e thirrur nga Lëvizja Vetëvendosje, lidhur me pakon ligjore për administratën publike, ku përfshihet projektligji për pagat në sektorin publik.

Ajo tha se në këtë projektligj shihet se qeveria ka tentuar të privilegjojë individë, vetën dhe deputetët, por jo edhe kategori të tjera që marrin paga të vogla.

Haxhiu: Nëse deputetët mungojnë në seancë ose komisione, të u hiqet përqindje nga paga

“Heqja e shtesave për deputetët dhe propozimi që në rast të mungesës në seanca ose komisione të u hiqet përqindje nga paga.Shtesa të posaçme për shërbyesit civil në institucionet e drejtësisë, ju e dini që ka pas një grevë të institucioneve të drejtësisë, shqetësimet e tyre nuk janë adresuar me projektligjin për pagat, dhe po ashtu shtesa të posaçme për shërbimin korrektues në shtojcën e pagave, dhe kemi propozuar një amandament që ka të bëjë me zjarrfikësit. Rritje e koeficientit të tyre dhe shtesa të posaçme për shkak të rrezikshmërisë në punë”, tha ajo.

Ndërsa Fatmire Kollqaku foli për gjendjen e shëndetësisë në vend, ku tha se mjekët e sapo diplomuar po ikin për shkak se kontributi i tyre këtu është nënvlerësuar.

Kollqaku: Po mundësohet ikja e qytetarëve nga Kosova

“Njëra ndër temat kryesore, muaj me radhë ishte tema e liberalizimit të vizave, i cili tashmë po dihet se nuk do të ndodh për shumicën e qytetarëve të Republikës së Kosovës. Ajo çfarë aktualisht  po ndodh është një liberalizim i heshtur i cili po mundëson ikjen e trurit nga Kosova. Sa i përket sektorit të shëndetësisë shumica  e mjekëve, mos të them secili i sapo diplomuar, që kryen fakultetin e mjekësisë, vijon kurse të gjuhës gjermane dhe planifikon që të ikë nga Kosova. Dhe kjo është për keqardhje, kjo po ndodh sepse vite me radhë kontributi i mjekut në Kosovë është nënvlerësuar”, tha ajo.

Arbërie Nagavci tha se projektligji për pagat i rrit pabarazitë në mes të punëtorëve publik.

Nagavci: Projektligji për pagat rrit pabarazitë në mes të punëtorëve

“Në mënyrën si është aprovuar dhe sjellur nga qeveria në parlament, vetëm se krijon konfuzitet edhe më të madh dhe i rrit pabarazitë, në mes të punëtorëve të ndryshëm publik, duke favorizuar grupe të vogla të qeveritarëve dhe pushtetarëve dhe duke i sjellur në pozitë shumë të pafavorshme një numër të madh të shërbyesve publik në sektorë shumë të rëndësishme, siç janë sektori i drejtësisë, shëndetësisë dhe arsimit”, tha ajo.

Aty po ashtu  u tha se me projektligjin për pagat në sektorin publik, paga e presidentit i bie të jetë 17 herë më e madhe se paga minimale, 15 herë më e madhe ajo e kryeministrit, dhe paga e deputetit 12 herë më e madhe se minimalja.

Image

***

Përfaqësues të Lëvizjes Vetëvendosje, kanë thënë se nëse presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi nuk ndalet, protestat dhe demostratat janë të pashmangshme dhe të domosdoshme.

Kjo parti thotë se deputetët në Kuvend kanë presion dhe janë të shantazhuar nga qeveria dhe presidenti, andaj sipas tyre ende nuk është votuar ndonjëra nga rezolutat në Kuvendin e Kosovës.

"Ne do te veprojmë varësisht prej situatës. Nëse Hashim Thaçi nuk ndalet, protestat dhe demostratat janë të pashmangshme dhe të domosdoshme”, tha Albulena Haxhiu.

VV doli në konferencë për media për të folur rreth pakos ligjore për administratën publike. Sipas tyre, qeveria ka tentuar të privilegjojë vetën, deputetet.

Haxhiu tha se kjo pako ligjore për administratën publike shkel ligjet dhe Kushtetutën.   

Ajo tha se Sipas projektligjit përveç pagës së lartë, janë propozuar edhe shtesa për deputetët. Haxhiu tha se kanë kërkuar ndryshim, ndër të tjera që aty të ketë rritje të koeficientit për gjyqtarët e krimeve të rënda dhe shtesa të posaçme për shërbyesit civil në sektorin e drejtësisë

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat