Sherifi: Thaçi do të dështojë bashkë me Listën Serbe për të sjellë në Qeveri njerëz që e përkrahin korrigjimin e kufirit - Bota Sot
Sherifi: Thaçi do të dështojë bashkë me Listën Serbe për të sjellë në Qeveri njerëz që e përkrahin korrigjimin e kufirit

Aktuale

Sherifi: Thaçi do të dështojë bashkë me Listën Serbe për të sjellë në Qeveri njerëz që e përkrahin korrigjimin e kufirit

Nga: N.H Më: 11 nëntor 2018 Në ora: 15:58
Shefi i Grupit Parlamentar të Nismas, Bilall Sherifi

Shefi i Grupit Parlamentar të Nismas, Bilall Sherifi thotë se presidenti Thaçi bashkë me Listën Serbe janë në kërkim të një qeverie të re që mbështetë projektin për korrigjim të kufirit.

Sipas tij, qëndrimet e ndryshme të Hashim Thaçit për veprimet e njëjta të Listës Serbe nuk kanë shpjegim tjetër pos përpjekje për të detyruar qeverinë që ta mbështetë aventurën e tij të rrezikshme të korrigjimit të kufijve, përcjell “Bota sot”.

“Qëndrimet parimore rreth kësaj çështjeje të Qeverisë së Kosovës dhe të forcave tjera politike në vend janë arsye e vetme që bënë Hashim Thaçin të mbajë një qëndrim të ri për "daljen e re" të atyre që në fakt nuk kishin dalë fare nga qeveria e Kosovës”, ka shkruar ndër tjerash Sherifi në llogarinë e tij në Facebook.

Ja shkrimi i tij:

Thaçi bashkë me Listën Serbe në kërkim të një qeverie të re që mbështetë projektin për korigjim të kufirit!

Opinionit publik i kujtohet se në mars të këtij viti, gjatë një konference për shtyp të mbajtur në presidencën serbe, Lista Serbe bëri publik daljen e saj nga Qeveria e Kosovës. Përveç deklarimit publik, kjo "dalje nga Qeveria e Kosovës" nuk u shoqërua me asnjë dorëheqje të asnjë zyrtari. As Zëvendës Kryeministri, as ministrat e as zëvendës ministrat nuk dorëzuan dorëheqje, por vazhduan të merrnin rrogat nga buxheti i Kosovës dhe ruajtën të gjitha beneficionet që lidhen me institucionin e qeverisë së Kosovës.

Nga reagimet e shumta të asaj kohe da ta veçoja qëndrimin e presidentit të Kosovës, për arsyet që do të theksohen më poshtë. Duke menduar se e ka mbështetjen e qeverisë, Hashim Thaçi shprehu zhgënjimin e vet për këtë veprim të Listës Serbe dhe deklaroi se "zhvillimet e tilla janë në kundërshtim me angazhimet për dialog për ndërtimin e paqes së qëndrueshme në Kosovë dhe cenim i përpjekjeve për normalizimin e raporteve në mes Kosovës dhe Serbisë". Madje presidenti i Kosovës nuk u ndal me kaq. Ai bëri ftesë që "të respektohet dhe të ruhet fryma e dialogut në mes Kosovës e Serbisë dhe të mbesim të fokusuar në normalizimin e marrëdhënieve, në ndërtimin e fqinjësise së mirë dhe pajtim".

Zhvillimet e mëvonshme politike, sidomos që nga dalja publike lidhur me negociatat e fshehta në mes Aleksandër Vuçiqit dhe Hashim Thaçit, e bindën presidentin e Kosovës se nuk e ka mbështetjen e Qeverisë së Kosovës për realizimin e projektit për korigjimin/shkëmbimin e territoreve me Serbinë

Qëndrimet parimore rreth kësaj çështjeje të Qeverisë së Kosovës dhe të forcave tjera politike në vend janë arsye e vetme që bënë Hashim Thaçin të mbajë një qëndrim të ri për "daljen e re" të atyre që në fakt nuk kishin dalë fare nga qeveria e Kosovës!

Ende pa dorëzuar dorëheqje asnjë nga funksionarët e Listës Serbe, Hashim Thaçit nuk ju prit të kthehet nga Parisi, por prej Francës kërkoi nga qeveria e Kosovës që “të konfirmojë nëse e ka apo nuk e ka shumicën e nevojshme për të qeverisur”. Nëse e ka këtë shumicë atëherë Hashim Thaçi jep leje që të vazhdohet puna, ndërsa nëse nuk e ka ky “do të shikojë mundësitë e interpretimeve të kushtetutës për t'u dhënë mundësi qeverisjeje atyre që e bëjnë shumicën”.

Qëndrimet e ndryshme të Hashim Thaçit për veprimet e njëjta të Listës Serbe nuk kanë shpjegim tjetër pos përpjekje për të detyruar qeverinë që ta mbështetë aventurën e tij të rrezikshme të korigjimit të kufijve!

Kam bindjen e plotë se do të dështojnë të gjitha përpjekjet e Hashim Thaçit që së bashku me Listën Serbe të sjell në krye të institucionit të qeverisë së Kosovës njerëz që do ta mbështesin projektin për korrigjim të kufirit!

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
test
Tjera