Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi gjatë ditës së sotme është takuar në Paris më Presidentin e Rusisë, Vladimir Putin.
E pas takimit të Thacit me Putinin, ka reaguar edhe ish bashkepartiaku i Thaçit, Jakup Krasniqi, tash kryetar i Këshillit Nacional të Nisma Socialdemokrate.
Ai përmes një postimi në facebook, ka parashtruar disa pyetje, për të cilat kërkon përgjigje.
Ky është postimi i plotë:
KRYETARI I KOSOVËS PASKA THËNË:
“Me presidentin rus Putin, u përqendruam për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë dhe arritjes së një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse dhe të detyrueshme. Për këtë temë, Putini ishte i qartë. ‘Nëse ju (Kosova dhe Serbia) arrini marrëveshje paqësore, Rusia do ta mbështesë atë’”, citohet nga Thaçi t’i ketë thënë Putini.
Nga kjo dalin disa pyetje:
1. Kush duhet ta përgatitë atë marrëveshje?
2. A e ka autorizuar Kuvendi i Kosovës, Kryetarin Thaçi për ketë çështje?
3. A ka një dokument iniciues dhe kush e ka inicuar atë?
4. A mund t'ju besohet kjo çështje kaq e madhe dy kryetarëve të Kosovës e Serbisë?
5. Cilat janë shtyllat kryesore të kësaj Marrëveshjeje?
6. Kjo Marrëveshje a do të jetë definitive për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi?
7. Kush e garanton ketë Marrëveshje nga pala ndërkombëtare?