Ndërpritet seanca e jashtëzakonshme, opozita e quan antikushtetuese

Aktuale

Ndërpritet seanca e jashtëzakonshme, opozita e quan antikushtetuese

Më: 13 nëntor 2018 Në ora: 10:28
Kuvendi i Kosovës

(E plotësuar) - Është ndërprerë me kërkesë të opozitës, seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit e thirrur për të miratuar pakon e ligjeve për sundim të ligjit dhe agjendës integruese evropiane.

Partitë opozitare janë shprehur se kryeministri nuk ka të drejtë të ftojë seancë të jashtëzakonshme për shqyrtimin e dytë të një ligji, pasi kjo i takon Kuvendit.

Shefi i grupit parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti duke e sqaruar ardhjen e tyre në seancë, u shpreh se kjo seancë duhet të mbyllet.

Ai ka kërkuar koordinim më të mirë në mes koalicionit qeverisës.

Hoti: Kërkojmë koordinim më të mirë në mes koalicionit qeverisës

“LDK është në seancë në përputhje me qëndrimin tonë si parti, si grup parlamentar që mbështesim marrëveshjet ndërkombëtare dhe agjendën për integrim evropian. Tash është e qartë se seanca nuk ka materie, dhe seanca duhet të mbyllet. Ne kërkojmë që të ketë një koordinim më të  mirë mes koalicioni qeverisës, zyra e kryeministrit dhe zyra e kryetarit të Kuvendit janë vetëm 20 metra larg njëri-tjetrit, mos t’i sjellin kështu deputetët në këtë situatë të pavolitshme” u shpreh Hoti.

Shefi i grupit parlamentar të Pastrisë Socialdemokrate ka thënë se është e paqartë për shumicën e deputetëve se për çfarë janë mbledhur.

Ai ka kërkuar që seanca të ndërprehet dhe të koordinohen. 

Sejdiu: Nuk kemi pas njoftim për shtyrje të seancës

“Besoj që nuk është në rregull, që besa as korrekte që të përfundojmë me seancë nëse ekziston një kërkesë për shtyrje të seancës nga ai i cili e ka ftuar seancën. Rrjedhimisht ne si grup parlamentar kemi ardhur këtu se nuk kemi pas njoftim për shtyrje të seancës, por sot nuk po shoh ndonjë arsye për të qëndruar më shumë në sallë. Kështu që, ju lus si kryesues që të ndërprejeni seancën dhe të koordinohemi grupet, komisioni, kryesia, kryeministri dhe të vazhdojmë me punë nëse ka diçka që duhet ta trajtoj ky Kuvend”, tha ai.

Ndërprerje të seancës kanë kërkuar edhe partitë e koalicionit qeverisës.

Shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Memli Krasniqi ka kërkuar që  seanca e jashtëzakonshme  të ndërpritet, pasi  dje  vetë kryeministri  i cili e ka thirrur këtë seancë ka kërkuar që kjo seancë të anulohet.

Krasniqi: Kemi ardhur në sallë për shkak të procedurave

“Ne sot kemi ardhur këtu për shkak të procedurave, krejt e dimë çka jemi në këtë sallë, edhe ata deputet që nuk kanë ardhur që sot seanca nuk mbahet, sepse ne jemi pajtuat dje që kjo seancë nuk mbahet, por për shkak të implemtimeve të rregullores dhe procedurave na kemi përfunduar sot këtu. Në ora 15:15 minuta kryeministri ka dërguar letër . E rrugës kish me qenë që më së lehti që ne dje ose edhe njëherë me e mbledh kryesinë ose të konsultoheshin anëtarët e kryesisë që të mos vinim fare sot këtu duke e ditur që sot kemi  ardhur me thënë që seanca nuk mbahet ose dikush me keqpërdorë këtë minutazh për me bë politik”, ka thënë Krasniqi.

Ai u shpreh se gjatë ditës së sotme duhet të konstatojnë se është shtyrë kjo seancë dhe të merren vesh se kur do të mbahet kjo seancë e jashtëzakonshme e thirrur nga kryeministri Ramush Haradinaj.

Ndërsa, shefi i grupit parlamentar të Nismës Socialdemokrate, Bilall Sherifi, ka thënë se gjatë mbledhjes së kryesisë ka kërkuar që kërkesa për seancë të jetë më specifike, që sipas tij është dashur të përmenden me emër se cilat janë ato ligje.

Sherifi: Kemi pasur një marrëveshje që ai të bëjë tërheqjen e kërkesës

“Shpresoj që nuk do të më hidhërohen ata grupi i OJQ-ve me atë emërtimin Demokracia në Veprim, kjo seancë i ngjet pak a shumë kësaj Demokracisë në Veprim ku respektohet strikt procedura. Pra, është ftuar seanca dhe tani nuk mund të qthirret edhe pse e kemi ditur se nuk do të mbahet. Nuk është dashur për mendimin tim që të vijmë deri tek ky ushtrim i domosdoshmërisë për të konstatuar se nuk e kemi pakon e ligjeve për t’i shqyrtuar se janë në komisione. Një gjë e tillë ka mundur të bëhet duke shkëmbyer një letër me kryeministrin, nëse e keni marrë një, keni mundur t’ia dërgoni edhe një  dhe të kërkoni edhe një letër nga ai që të kërkohet tërheqje. Në marrëveshje me kryeministrin në komision kemi pasur një marrëveshje që ai të bëjë tërheqjen e kërkesës për seancë të jashtëzakonshme në mënyrë që sot dhe nesër të përfundojnë punët në komisione dhe kështu të ftohet seanca kur ligjet do të m und të kalojnë”, tha ai.    

Shefi i grupit parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ahmet Isufi thirrjen e seancës së jashtëzakonshme nga kryeministri e ka konsideruar si vullnet i mirë, e jo ndërhyrje në punës e Kuvendit ashtu siç e ka paraqitur opozita.

Ai tha se edhe Kuvendi po i neglizhon disa projektligje.

Isufi: Kërkesa e kryeministrit, vullnet i mirë i Qeverisë

“Është kërkesë edhe e mëhershme që këto ligje sa më shpejt të amandamentohen dhe të kalojnë në seancë plenare ...Kërkesa e kryeministrit për seancë të jashtëzakonshme pikërisht ka pasur këtë motiv dhe duhet kuptuar jo si ndërhyrje, por si një vullnet të mirë të Qeverisë që të kalohen sa më shpejt projektligjet të cilat Qeveria veç i ka sjell në Kuvendin e Republikës së Kosovës. Kemi edhe projektligje tjera të cilat po neglizhohen dhe njëfarë mënyre faji është i Kuvendit që nuk po i kryen nëpër komisione punët e veta ashtu siç duhet”, ka thënë Isufi.

Krejt në fund, nënkryetari i Kuvendit Xhavit Haliti, ka dhënë sqarimin pse kjo seancë është thirrur.

Haliti: Seanca nuk ka qenë e përgatitur për t’u thirrur

“Kryesia e Kuvendit nuk merr urdhra nga komisionet, të merremi vesh, as nga deputetët e veçantë, as nga kryeministri, as nga Qeveria. Kuvendi është institucioni kush donë ta respektoj më i larti i shtetit që ka politikat e veta, ka drejtimin e vet, ka politikat që kanë të bëjnë me miratimin e ligjeve dhe me çështje që i ka obligim si Parlament. Seancën e kemi thirr si kryesi me kërkesë të kryeministrit të Kosovës dhe jemi në seancë. Konstatoj që seanca nuk ka qenë e përgatitur për t’u thirrur edhe pse është bërë kërkesa dhe seancën e shpalli të mbyllur”, tha ai.

Seanca e sotme është thirrur nga kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj, për shqyrtimin dhe miratimin e pakës së ligjeve për sundim të ligjit dhe agjendën integruese evropiane.

Hoti kritikon koalicionin PAN dhe kryeministrin Haradinaj, ndërpritet seanca e jashtëzakonshme

Është ndërprerë vetëm pak minuta pas nisjes, seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit për të diskutuar pakon e ligjeve për sundim të ligjit dhe agjendës integruese evropiane.

Shumica e deputetëve të koalicionit qeverisës PAN e as anëtarë të qeverisë nuk ishin të pranishëm në sallë. 

Pas diskutimeve nga shefat e Grupeve Parlamentare, kryesuesi Xhavit Haliti mbylli seancën.

***

Deputetja e Vetëvendosjes Albulena Haxhiu, ka thënë se duhet t’i shqetësojë, siç shprehet ajo aventura e presidentit Hashim Thaçi për zëvendësimin e Gjermanisë me Rusinë.

Këto deklarata Haxhiu i ka bërë pasi presidenti Thaçi gjatë ditës së djeshme ka bërë të ditur se në Paris është takuar me presidentin rus, Vladimir Putin. Sipas Thaçit, Putin do të mbështesë arritjen e një marrëveshjeje paqësore Kosovë-Serbi.

Haxhiu ka thënë se është e papranueshme ajo çka po bënë presidenti i vendit.

Haxhiu: Duhet të na shqetësojë aventura e Hashim Thaçit

“Këtë tendencën që me e zëvendësua Gjermaninë me Rusinë. Neve duhet të na shqetësoj kjo aventurë e Hashim Thaçit. Është skandal çka po bënë ai si president i vendit. Por, këtë ndoshta do të kemi mundësi ta diskutojmë të premten, sepse kjo është e papranueshme çka po bënë ai si president, duke tentuar ta zëvendësoj apo të krijojë marrëdhënie të re me Serbinë dhe Rusinë”, tha ajo.

Kuvendi i Kosovës ka mbajtur seancë të jashtëzakonshme me kërkesë të kryeministrit Ramush Haradinaj, për shqyrtimin dhe miratimin e pakës së ligjeve për sundim të ligjit dhe agjendën integruese evropiane. 

***

Ka nisur seanca e jashtëzakonshme për shqyrtimin e pakos së ligjeve për sundim të ligjit dhe agjendës integruese evropiane.

Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti ka thënë se partia e tij po merr pjesë në seancë për shkak të qëndrimit konstruktiv, mirëpo koalicioni PAN nuk shkojnë në Kuvend.

“Sot, me kërkese te Kryeministrit, është kërkuar seance e jashtëzakonshme e Kuvendit te Kosovës. Ne përputhje me qëndrimin konstruktiv te LDK-se për te mbështetur agjendën e integrimit evropian te Kosovës dhe marrëveshjet ndërkombëtarë qe kërkojnë 2/3 e votave, ne sot po marrim pjese ne seance për te votuar këto ligje. Por, as Kryeministri dhe as grupet parlamentare te koalicionit PAN nuk vijnë ne Kuvend”, ka shkruar Hoti

Seancë e jashtëzakonshme për agjendën evropiane (Drejtpërdrejt)

Sot mbahet seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit të Kosovës, në të cilën do të bëhet shqyrtimi i pakos së ligjeve për sundim të ligjit dhe agjendën integruese evropiane.

“Shqyrtimi dhe miratimi i pakos së ligjeve për sundim të ligjit dhe agjendën integruese evropiane”, është pika e vetme e rendit të ditës

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat