Gjermania ia ‘këput’ shpresat Thaçit dhe Serbisë: Qëndrimi kundër korrigjimit s’do të ndryshojë

Aktuale

Gjermania ia ‘këput’ shpresat Thaçit dhe Serbisë: Qëndrimi kundër korrigjimit s’do të ndryshojë

Më: 14 nëntor 2018 Në ora: 11:32
Ambasadori gjerman në Serbi Thomas Schieb

Ambasadori gjerman në Serbi Thomas Schieb ka folur sot në mëngjes në një intervistë për televizionin N1 në Beograd, rreth spekulimeve se qëndrimi i Gjermanisë ka ndryshuar kur bëhet fjalë për idenë e korrigjimit të kufirit Kosovë-Serbi.

Kancelarja e Gjermanisë Angela Merkel të dielën në Paris në dy takime të ndara kishte takuar presidentët Hashim Thaçi dhe Aleksandar Vucic, me të cilët ka folur edhe për marrëveshjen finale në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Ky ishte takimi i parë i kancelares gjermane dhe dy presidentëve të rajonit pasi Merkel kishte shprehur publikisht qëndrimin gjerman kundër idesë së korrigjimit të kufijve, si model për një marrëveshje finale në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Ambasadori Schieb duke komentuar takimin në mes të Merkel dhe Vucic tha se ai ishte mbajtur me iniciativën e kancelares gjermane ku përveç tjerash është diskutuar edhe për dialogun dhe normalizimin e marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Schieb tha se Gjermania ka pozicion kundër këtij projekti dhe kjo tashmë nuk është sekret, por sipas tij kjo nuk do të thotë partneriteti në mes të Gjermanisë dhe Serbisë do të zbehet.

I pyetur nëse ekziston mundësia që Gjermania të ndryshojë qëndrimin e saj mbi këtë çështje, thotë ambasadori u përgjigj duke thënë – jo.

“Kancelarja Federale ka deklaruar në mënyrë të përsëritur publikisht qëndrimin e saj… Ka spekulime nëse qëndrimi i Gjermanisë ka ndryshuar – apo jo, pozicioni gjerman mbetet i njëjtë tash e për një kohë” , tha ambasadori, duke shtuar se edhe vende të tjera të BE’së dhe rajonit janë duke shprehur rezerva rreth këtij plani.

I lutur që të komentoj qëndrimin e SHBA’së dhe komisionarit të BE’së Johannes Hahn të cilët nuk po e kundërshtojnë korrigjimin e kufirit si mundësi për një marrëveshje finale, ambasadori gjerman ka thënë se Gjermania është duke e shqyrtuar qëndrimin e SHBA’së, por as ajo dhe të tjerët sipas tij, nuk kanë dhënë dritë të gjelbër për shkëmbim të territoreve, por mundësi për më shumë manovrim për të gjetur një zgjidhje.

Ambasadori gjerman thotë se Gjermania është e shqetësuar për këtë plan, pasi sipas tij, ndryshimi i kufijve në mes të Kosovës dhe Serbisë, do të kishte implikime në rajon. Kjo sipas tij mund të kontribuojë në zgjidhjen e problemit të Kosovës, por do të hapë të tjera probleme në rajon.

“Nëse, pas të gjitha këtyre konflikteve që kishim në rajon, po riorganizojmë kufijtë e rinj, atëherë jemi shumë të shqetësuar se kjo mund të prishë stabilitetin në rajon”.

Ai thotë se Berlini mirëpret takimin mes dy presidentëve në Bruksel dhe inkurajon që dialogu të vazhdojë.

Duke folur për mbështetjen e anëtarësimit të Kosovës në Interpol nga ana e Gjermanisë, ai tha se besojnë që kjo është e rëndësishme për shkak se Interpol është institucioni përgjegjës për luftimin e krimit dhe se policia e Kosovës mund të kontribuojë më shumë në këtë luftë pas anëtarësimit në Interpol.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat